Manastirliu inspekton Covid 3: Bëhen gati klinikat në rast se do kemi rritje të të infektuarve

schedule14:28 - 25 Prill, 2020

schedule 14:28 - 25 Prill, 2020

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte për inspektim në spitalin Covid 3.

Kjo strukturë, sipas Manastirliut do të presë rastet që janë në fazë shërimi, në rast se do të ketë një shtim të të prekurve.

“Është një strukturë e cila është e mjaftueshme përsa i përket pacientëve të cilët janë në fazë shërimi dhe duhet vetëm të bëjnë periudhën 14 ditore, ku do të shërbejë ish-klinika nr. 1 dhe më pas edhe dy klinikat e tjera, të cilat po bëhen gati për të pritur rastet, nëse do të kemi një fluks të të sëmurëve me Covid-19”, tha Manastrliu.

Manastirliu tha se Komiteti Teknik i Ekspertëve kishte përcaktuar në skenarët e parashikuar ish-kirurgjitë si spital Covid 3, dhe se ishte duke u përgatitur plani i masave të përgatitjes së sistemit shëndetësor për fazën e hapjes.

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/235278957678544/

“Ne jemi duke përgatitur planin e masave, i cili është i fokusuar në tre drejtime kryesore. Ka të bëjë me testimet, ka të bëjë me kapacitetet spitalore dhe ka të bëjë gjithashtu me gjithë aspektin monitorues përsa i përket atyre të cilët janë të infektuar me Covid19, apo edhe rasteve asimptomatike që duhen mbajtur nën kontroll, për të mundësuar shkëputjen e zinxhirit të infeksionit ashtu siç parashikojnë edhe kriteret epidemiologjikë”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se po planifikohet rihapja e butë e sistemit shëndetësor për vizitat, konsultat dhe ndërhyrjet operatore, në mënyrë graduale.

“Po tregohemi shumë të kujdesshëm, për të bërë rihapjen e butë dhe të sistemit shëndetësor përsa i përket planifikimeve, përsa i përket konsultave ambulatore, përsa i përket sistemit të vizitave që qytetarët sidomos ato që janë me sëmundje kronike duhet të kryejnë në sistemin tonë, qoftë në atë parësor edhe në atë spitalor. Ndaj jemi duke punuar për të krijuar një kalendar të hapjes sipas disa niveleve të sistemit shëndetësor duke filluar sigurisht nga struktura bazë që është kujdesi parësor dhe duke vijuar edhe në spitale”, u shpreh Manastirliu./abcnews.al