480 mijë qytetarë, sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të marrin shërbim shëndetësor me standarde. 80 qendra shëndetësore do të rehabilitohen këtë vit. Manastirliu inspektoi punimet në një ambulancë në Pezë të Madhe.
Mjediset e 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave do të ndryshojnë pamje brenda vitit. Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë inspektimit të punimeve në një qendër shëndetësore në Pezë të Madhe.
“480 mijë qytetarë do të kenë kushte dhe standarde bashkëkohorë në shërbimin shëndetësor parësor, me rehabilitimin e 80 qendrave shëndetësore që përfundojnë brenda këtij viti. Sjellim jo vetëm kushte më të mira të infrastrukturës por edhe shërbime të integruara, duke filluar nga kontrolli mjekësor bazë, duke vijuar me konsultorin e nënës dhe fëmijës dhe të gjitha shërbimet bazë, të cilat do të ofrohen pa burokraci për qytetarët, me përdorimin e recetës elektronike, tashmë nga çdo mjek familje, në çdo qendër shëndetësore në vend”, tha ministrja.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal tek portali “Infermierë për Shqipërinë”. 590 infermierë sipas Manastriliut u punësuan përmes tij ndërkohë që 800 të tjerë janë në listën e fituesve dhe presin të punësohen./abcnews.al