Për banorët e Bohoniki në Poloninë lindore, ky është funerali i dytë në tre ditë. Gjithçka që ata dinë mbi të vdekurin, është se ai nuk është nga zona e tyre, dhe thuhet se është mysliman. Trupin e zbuloi një banor që ishte duke mbledhur kërpudha në pyll.
Anëtarë të komunitetit mysliman në zonë, kanë ardhur t’i bashkohen imamit në lutjen për të ndjerin. Varrezat më të mëdha myslimane të Polonisë ndodhen pikërisht në Bohoniki, në kufi me Bjellorusinë. Që nga nëntori, disa nga njerëzit që vdiqën në përpjekje për t’u larguar nga Bjellorusia janë varrosur këtu.
Zona kufitare mes Polonisë dhe Bjellorusisë është shndërruar në një kurth vdekjeprurës. Ushtarët nga të dyja vendet janë përballur me njëri-tjetrin gjatë disa javëve të fundit, teksa mijëra refugjatë kanë mbetur midis. Disa janë rikthyer në vendet e tyre të origjinës, por shumë tjerë janë ende të bllokuar në brezin kufitar.
Që nga shtatori ka pasur mesatarisht një të vdekur në javë, pasi si Bjellorusia po ashtu edhe Bashkimi Evropian i kanë dhënë pak ose aspak mbështetje refugjatëve. Viktimat kanë ngrirë deri në vdekje ose janë mbytur në lumin Bug, që kalon përgjatë kufirit midis 2 vendeve.
Të vdekurit mbeten gati në çdo rast pa emër në raportet mediatike. Politikanët evropianë i kanë përshkruar refugjatët si “armë” të “luftës hibride”që po zhvillon diktatorit bjellorus Alexander Lukashenko kundër Evropës. Në fakt, ata ishin njerëz me ëndrra, frikëra dhe aspirata.
“Der Spiegel”shpenzoi javë të tëra duke hulumtuar mbi identitetin e viktimave dhe rrethanat që çuan në vdekjen e tyre, duke mundur të verifikojë vdekjen e 16 të rriturve dhe një foshnje ende të pa lindur. Por numri real ka të ngjarë të jetë më i lartë. Deri tani dihet identiteti i 12 prej të vdekurve.
Midis tyre është një pastiçer sirian, një tifoz futbolli nga Jemeni, dhe një grua irakiane e cila ishte shtatzënë kur u nis për në udhëtimin e saj të fundit. Në shtator lajmi se një palestinez ia doli të udhëtojë me sukses nga një kamp në Bjellorusi përtej kufirit në Poloni dhe më pas në Holandë, u përhap me shpejtësi në kampin e refugjatëve palestinez në Hama, një qytet në Sirinë veriperëndimore.
Atë e dëgjoi edhe Rajaa Hasan. Ne jetën e saj, ajo kishte njohur vetëm botën e kampeve të mbipopulluara të refugjatëve. Kishte lindur në një kamp më në veri të Sirisë, dhe tani jetonte në kampin e Hamas me bashkëshortin dhe katër djemtë e saj.
Gjatë një bisede telonfike me ne, vëllai i saj na tregon se ajo fitonte vetëm 2 dollarë në ditë duke bërë qëndisje. Hasan mori numrin e një personi të kontaktit në Holandë, i cili organizoi edhe udhëtimin në Minsk për 3700 dollarë. Udhëtimi i mëtejshëm drejt Holandës do të kushtonte 2500 dollarë të tjera.
Meqë burrin e kishte të sëmurë, asaj iu desh ta ndërmerrte e vetme atë udhëtim. Hasan besonte se mund t’ia dilte, siç thotë edhe vëllai i saj, pasi trafikantët i kishin thënë: “Nuk është aspak problem. Ju do të hipni në një avion për në Minsk. Ne do t’ju çojmë në kufi me Poloninë. Atje do të ecni për 3-4 orë, dhe pastaj jeni në Bashkimin Evropian!”.
Hasan mori me vete rroba të ngrohta dhe hurma të thata. Pastaj ajo shkoi në kufi me 3 refugjatë të tjerë. Por ata humbën rrugën në pyll dhe u lagën nga shiu. Moti po bëhej gjithnjë e më i ftohtë. Raaja Hasan nisi të ecte më ngadalë dhe mezi merrte frymë. Ajo donte të pushonte çdo 10 minuta, rrëfen një sirian që ishte pjesë e atij grupi në pyll.
Në një moment, forcat polake të sigurisë e pikasën grupin e refugjatëve. Ata i hipën refugjatët në një kamion, përfshirë gruan e rraskapitur. Por në vend se ta çonin në spital, ata e kthyen mbrapsht në Bjellorusi. Raaja mezi qëndronte në këmbë. Ajo ankohej për dhimbje në gjoks. “Kjo grua po vdes!”- iu bërtiti siriani rojeve kufitare bjelloruse.
Por ai kujton se ata vetëm qeshën. Pak minuta më vonë Hasan nuk po reagonte. Ajo po nxirrte shkumë nga goja, kur ushtarët bjellorusë u bindën më në fund ta çonin në Hrodna, qyteti më afër kufirit. Në vend se ta çonin menjëherë gruan në spital, ata thirrën një taksi. Refugjatët thanë se u detyruan të paguanin 600 euro për të shkuar deri në Minsk. Zemra e Hasan pushoi së rrahuri. Burrat e nxorën nga makina dhe e shtrinë në asfalt. As mjekët që u thirrën me urgjencë nuk mundën ta risillnin në jetë. Familja e saj në Hama, mësoi për vdekjen e Rajaa Hasan nga shoqëruesi i saj sirian.
Ai u dërgoi dy mesazhe audio që Hasan kishte regjistruar për nënën e saj kur ishte ende në pyll, por që nuk kishte mundur t’i dërgonte. “Si jeni, mami?”- pyeste ajo. “Ne jemi mirë. Lutuni për ne!”.
Kur miqtë i thanë se ishte e mundur të shkonte në BE përmes Bjellorusisë, Kaëa Anëar Mahmood Al-Jaf nuk hezitoi shumë. Ai punonte në një treg në qytetin Sulemanije në Irakun Verior, dhe e nisi udhëtimin e tij në fillim të nëntorit me disa të njohur. Al-Jaf pagoi 3500 dollarë për të shkuar deri në Minsk.
Një video selfi e tregon të riun jashtë një qendre tregtare, i veshur me një xhaketë blu dimërore, dhe me shallin e ngritur deri në hundë. Motra e tij thotë se si fëmijë Al-Jaf kishte pasur një lidhje shumë të ngushtë me nënën e tij. Ai ëndërronte të jetonte në Zvicër, ku shpresonte të diplomohej për programime kompjuterike.
I riu u përpoq 6 herë të kalonte kufirin por pa sukses, tregon babai i tij, që ishte vazhdimisht në kontakt me të. Ai kujton se rojet kufitare polake e kthyen dy herë mbrapsht. Vetëm herën e nëntë pati sukses. Al-Jaf depërtoi ne thellësi të territorit polak bashkë me një grup kurdësh. Pak kohë më vonë, shokët e Al-Jafit i telefonuan babait të tij. Ata i thanë se një trafikant po i çonte në Gjermani, por djali i tij nuk ishte mirë më shëndet dhe nuk mund të ecte. Pastaj një telefonatë tjetër:Ata ishin sërish duke udhëtuar me makinë, dhe shëndeti i djalit të tij po përkeqësohej. Babai i Al-Jaf i telefonoi dhëndrit të tij, që jeton në Danimarkë.
Ky i fundit iu lut grupit që ta çonte Al-Jaf në një spital aty pranë. Por të rinjtë nga Said Sadik refuzuan, me sa duket nga frika se mos kapeshin nga policia. Më 23 nëntor, babai i Al-Jaf kreu telefonatën e tij të fundit tek numri i telefonit të të birit. Grupi i refugjatëve kishte mburritur në Frankfurt, por ata i thanë se djali i tij kishte vdekur.
Në një ditë të ftohtë nëntori, Ahmad Al-Ensi, e takojmë në një kafene pranë stacionit të trenit në qytetin e Nojmynster, Gjermani. Kishin kaluar 3 javë që kur ai kishte kaluar kufirin nga Bjellorusia në Poloni, dhe ishte ende i tronditur. Miku i tij Ahmad Al-Hasan kishte vdekur, i mbytur në lumë dhe Al-Ensi i shpëtoi për pak vekjes.
Ahmad Al-Hasan ishte më i vogli nga 7 fëmijët. Gjatë një bisede telefonike, vëllezërit e tij thonë se ai ishte më i përkëdheluri i shtëpisë. Al-Hasan ishte fëmijë i vogël kur prindërit e tij u larguan nga Homsi i Sirisë për shkak të luftës në Jordani, ku jetuan në një kamp për disa vite.
Pas vdekjes së babait të tyre, familja u zhvendos në Al-Mafraq, një qytet i shkretuar jo shumë larg kufirit sirian. Al-Hasan ëndërronte të bëhej avokat. Krahas shkollimit, ai punonte si pastrues në administratën e qytetit. I riu u diplomua me nota shumë të mira, por familja e tij nuk kishte para që ai të ndiqte universitetin.
Kostoja e universitetit është më e vogël në Turqi, ku jeton vëllai i tij Salman, por Al-Hasan nuk mundi të merrte dot vizën. Al-Hasan ishte një tip që nuk fliste shumë. Familjarët e mësuan rastësisht se ai kishte një të dashur në Damask, të cilën e kishte njohur në rrjetet sociale, dhe donte të martohej me të.
Ai i njoftoi vetëm në momentet e fundit, se donte të shkonte në Evropë përmes Bjellorusisë, bashkë me mikun e tij Ahmad Al-Ensi. Ai i tha të vëllait të mos shqetësohej për të, sepse gjithçka do të ishte shumë e lehtë. Kur u përshëndet i përlotur me familjen e tij, ai e regjistroi atë video në TikTok.
Dy miqtë rezervuan një dhomë në “Hotel Belarus” në Minsk, dhe më pas shëtitën nëpër qytet duke bërë foto. Edhe pse kishin paguar për 7 netë, ata u urdhëruan të nisen për në kufi pas vetëm 2 netësh. Një burrë i quajtur Abu Adam po organizonte arratisjen e tyre përtej kufirit në Poloni. Ai i kërkoi secilit nga 2500 dollarë.
Më pas një irakian i çoi dy të rinjtë në kufi me makinë, së bashku me 6 refugjatë të tjerë. Ata ecën për disa kilometra në errësirë të plotë. Rreth orës 3 të mëngjesit, grupi arriti në lumin Bug në kufi. Katër ushtarë bjellorusë me mitralozë dhe një qen kufiri iu afruan, duke iu thënë të bëheshin gati për ta kaluar lumin me një varkë të vogël.
Lumi është gjysmë metra i thellë në breg, por shumë më i thellë në mes. Al-Ensi kujton paralajmërimin e Al-Hasan:“Nuk mund të kalojmë dot”. Gjithsesi shoku i tij ishte ngjitur tashmë në varkë. Më pas, iu afrua një ushtar. Edhe pse Al-Ensi tha se donte të kthehej pas, ushtari e urdhëroi:“Shkoni në Poloni!”.
Pastaj e shkëputi varkën nga bregu. Dy shokët nisën të vozisin deri në mes të lumit. Por më pas një rrymë e fortë e përmbysi varkën. Al-Hasan dhe Al-Ensi përfunduan në ujë. Al-Ensi goditi kokën me një trung peme, tek i cili u mbajti derisa arriti të kalonte në anën tjetër. Ai mundi të dëgjonte frymëmarrjen e fundit të Al-Hasan. Më pas ky i fundit ndërroi jetë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
*Marrë me shkurtime