Janë dashur 150 agjentë policie, 22 bankierë, 6 makina për numërimin e parave dhe 36 ditë për të llogaritur pasurinë e ish-kryeministrit të Malajzisë, vlera e të cilës arrin në disa qindra milionë dollarë.
Para të thata, bizhuteri, orë të shtrenjta dhe aksesorë të ndryshëm, me vlerë 273 milionë dollarë. Bëhet fjalë për pasurinë e ish-kryeministrit të Malajzisë, për sekuestrimin dhe llogaritjen e të cilës janë dashur 150 agjentë policie, 22 bankierë, 6 makina për numërimin e parave dhe 36 ditë. “Nuk mund të dilnim me shifra të sakta që në fillim, pasi objektet e sekuestruara ishin shumë”, deklaroi Amar Singh, shef i policisë financiare të Malajzisë. Konkretisht, gjatë operacionit u gjetën 29 milionë dollarë para të thata, 1.400 varëse ari, 567 çanta të firmave të njohura, 423 orë dore me vlerë 20 milionë dollarë, 2.200 unaza, 1.600 karfica zbukurimi dhe 14 diadema. Objekti më i shtrenjtë ishte një gjerdan ari me diamantë. Aksioni i policisë ndaj ish-drejtuesit të lartë të shtetit ka ardhur pas akuzave të ngritura nga prokurorët për përvetësim fondesh dhe abuzim me miliarda dollarë për të blerë jahte, piktura dhe prona. Asetet u sekuestruan në muajin maj, në apartamente dhe vila të ndryshme, por vetëm ditët e fundit autoritetet mundën të arrinin në vlerën e saktë të saj. Najib Razak shërbeu si kryeministër i Malajzisë për 9 vjet, derisa humbi zgjedhjet më 9 maj. Ndaj tij ka patur hetime edhe më parë, nën dyshimin për pastrim parash, por ka dalë gjithmonë i larë. Tani hetuesit duhet të zbulojnë prejardhjen e pasurisë kolosale, të cilën Razak thotë se e ka akumuluar në formë dhuratash. /abcnews.al