“Makthi” i bizneseve sjell vërdallë tre Drejtori Policie?! Efektivët në kërkim të “Benz-it”

schedule12:36 - 29 Korrik, 2020

schedule 12:36 - 29 Korrik, 2020

Autorët e grabitjes së 10 milion lekëve në fabrikën e peshkut në Fushë Labinot janë pjesë e një grupi të strukturuar.

Dyshohet se ata kanë kryer disa grabitje biznesesh në Fier e Tiranë.

Në të gjithë këto grabitje autorët kanë përdorur një automjet “Benz ML”, ngjyrë e bardhë.

Ata kanë vepruar natën dhe ka qenë e pamundur identifikimi i targës së kësaj makine.

Në Fier, ngjarja ndodhi në datën 24 korrik.

Në orën 01:00 pas mesnate është tentuar të grabitet kasaforta e një biznesi ndërsa në zonë nuk ka patur energji elektrike.

Pasi kanë kontrolluar gjithë biznesin, ata nuk kanë gjetur para në zyrën e financës, por nuk ka dal nga aty duar bosh.

Kanë marrë nga kompania një makinë, e cila ndodhej e parkuar në oborr.

Kamerat sigurisë kanë fiksuar një makinë tip Benz ML ngjyrë e bardhë, por për shkak të shpejtësisë dhe errësirës, është e pamundur të identifikohen autorët apo dhe targa e makinës.

Policia dyshon se ky grup ka kryer një tjetër grabitje.

Para 3 javësh një dyqan në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë ra pre e grabitjes.

Autorët kanë arritur të marrin nga biznesi, kasafortën në të cilën dyshohet se ishin një shumë e konsiderueshme parash.

Ata janë treguar të kujdesshëm pasi kanë marrë serverin e kamerave të sigurisë.

Në oborr kanë grabitur dhe fugonin e biznesit. Ky mjet u gjet disa orë më pas i braktisur në rrugën Rinas-Kashar.

Duke vlerësuar të gjitha këto fakte, policia dyshon se kemi të bëjmë me të njëjtin grup hajdutësh, që përbëhet nga tre persona.

Për grabitjet në Fier e Tiranë policia nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar.

Ndërsa për grabitjen e fabrikës së peshkut në Fushë-Labinot të Elbasanit, e bëri publike një ditë më pas.

Në këtë të fundit kasaforta me 10 milionë lekë u rrëmbye nga autorët që u larguan sërish me “Benzin ML” të bardhë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!