Makina përfundon në kopshtin e çerdhes, 1 fëmijë i vdekur dhe 5 të plagosur

schedule16:21 - 18 Maj, 2022

schedule 16:21 - 18 Maj, 2022

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Itali. Një grup fëmijësh që po luanin në kopshtin e një çerdheje u përplasën nga një makinë e cila depërtoi gardhin e jashtëm dhe goditi të vegjlit.

Një 4-vjeçar ka humbur jetën, një tjetër në të njëjtën moshë është në gjendje të rëndë dhe katër të tjerë janë plagosur.

Aksidenti ndodhi në një çerdhe në L’Aquila.

Fëmijët janë nga tre deri në pesë vjeç.

Fëmija i plagosur rëndë u transportua me helikopter shpëtimi në një spital në Romë dhe tani është në një prognozë konfidenciale.

Makina ka qenë e parkuar në një rrugë tatëpjetë.

Sipas mediave italiane, makina i përkiste një nëne e cila kishte shkuar të merrte djalin e saj nga kopshti duke e lënë automjetin të parkuar.

Sipas dëshmive të para të mbledhura në vendin e ngjarjes, gruaja kishte lënë djalin e madh, rreth moshës 8 vjeç brenda në makinë.

Fëmija kishte arritur që të hiqte frenin duke bërë që makina të përfundonte në kopshtin e çerdhes.

“Jam thellësisht i pikëlluar, as nuk mund ta imagjinoj dhimbjen që po ndjejnë prindërit e fëmijëve të lënduar. Si baba dhe si përfaqësues i institucioneve jam i tmerruar. Është një lajm i tmerrshëm: shpresojmë dhe lutemi që numri i viktimave të mos përkeqësohet”. Këto janë fjalët e kryebashkiakut të L’Aquila, Pierluigi Biondi , menjëherë pas vizitës në vendin e aksidentit.

Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e zjarrfikëses, policia dhe karabinierët të cilët po hetojnë shkaqet e aksidentit./abcnews.al/