“Covid-19 goditi rëndë artistët”, Maja: Aktivitetet e tjera vijojnë normalisht, përveç muzikës live

schedule11:19 - 20 Korrik, 2020

schedule 11:19 - 20 Korrik, 2020

Këngëtarja e njohur, Maja Alickaj ishte e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku foli për ndjesinë e mëmësisë por edhe projektet e reja muzikore që pritet të sjellë. Maja tha se për shkak të djalit të vogël i është dashur që ta lërë pak mbrapa muzikën, megjithatë shtoi ajo, se fakti i të qenit nënë nuk e sheh si një arsye për të hequr dorë nga pasioni i saj.

“Është ndjenja më e bukur që mund të përjetojë një femër, ndjenja e mëmësisë dhe e nënës. Kjo është pjesa pozitive, por ana tjetër e medaljes është se don shumë preukopim, të mban mbrapa, ti e hedh vallen sipas muzikës së fëmijës. Kështu në anën profesionale të lë pak mbrapa. Jam munduar që pas lindjes së djalit të jem në treg relativisht, jo gjithmonë.”, tha këngëtarja.

Sipas saj, ata që u goditën më së shumti nga pandemia e koronavirusit ishin artistët për shkak të shumë organizimeve të anuluara. Kjo për shkak edhe të shumë kufizimeve të eventeve muzikore, ndërkohë që shumë aktivitete të tjera vijojnë normalisht.

“Shumë evente janë anuluar për arsye të virusit dhe dasmorët e mi zakonisht jetojnë jashtë Shqipërisë. Kisha shumë dasma nga shqiptarë që jetojnë në Amerikë, dhe për shkak të pengesave janë anuluar, dhe disa këtu funksionojnë ende. Ne, pjesa e muzikës jemi më të prekurit nga covid-19, se di përse pasi në çdo vend aktivitetet po vazhdojnë normal. Tek muzika live po shikoj më shumë probleme.”, tha Maja.

Përsa i përket projekteve të reja muzikore, Maja tha se së shpejti do të vijë me dy këngë të reja. “Unë e kam një këngë të te që e kam mbaruar me audio që para karantinës. Të mërkurën do të nis klipin dhe kështu për 10 ditë do të dalë në treg. Kam edhe një këngë tjetër që do të dalë në shtator me videoklip.”, tha Maja ndër të tjera. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!