Mediat franceze mes të cilave dhe prestigjozja “Le Figaro” raportojnë se mafia shqiptare po shpreson për një anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian për të përforcuar pushtetin dhe aktivitetin e saj në Francë.
Mafia shqiptare ka rritur praninë e saj në Francë duke u kthyer në rrezik real për sigurinë në këtë vend. Konstatimi vjen në një dokument zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë së Francës, i publikuar nga e përditshmja franceze “Le Figaro”. Sipas dokumentit, mafia shqiptare shpreson që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejtë në BE, me qëllim që të rrisë aktivitetin e saj në Francë.
“Le Figaro”, që ka siguruar këtë dokument zyrtar, raporton se grupet kriminale shqiptare janë tepër aktive në trafikun e drogës, vjedhjeve dhe trafikut të emigrantëve. Ministria franceze e Drejtësisë, i referohet bandave shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, aktiviteti i të cilave në Europën perëndimore është theksuar prej vitit 2010, dhe që atëherë po konsolidojnë pozitat e tyre në aktivitetin ilegal.
Për herë të parë janë instaluar në Ile-de-France dhe përgjatë kufijve lindorë të vendit, për të patur lidhje me shtetet fqinjë si Gjermania, Italia apo Zvicra. Në Francë, grupet shqiptare e kanë përqëndruar aktivitetin e tyre në tre sektorë kryesorë: grabitjet, trafikun e drogës dhe atë të emigrantëve. Droga mbetet një pikë e fortë thuhet në dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë, që iI referohet rastit të një kërkuesi azili, që ishte dënuar në Lion pasi e kishte kthyer banesën sociale që i ishte dhënë në laborator heroine.
Ndërsa për trafikun e emigrantëve, Ministria franceze e Drejtësisë thotë se ekzistojnë rrjete të mirëorganizuara që nisin emigrantë ilegalë nga Shqipëria e Kosova me dokumente fallso, greke apo italiane, të siguruara nga grupet mafioze për të kaluar tranzit apo për t’u vendosur në vendet e BE, kundrejt një tarife nga 1500 deri në 5 mijë euro. /abcnews.al