Macron: Një afat anëtarësimi të arsyeshëm, të rikrijojmë marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor

schedule12:45 - 19 Janar, 2022

schedule 12:45 - 19 Janar, 2022

Nga Erisa Zykaj

Të ofrojmë një perspektivë të sinqertë me një afat kohor të arsyeshëm për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian » Ky është mesazhi kryesor që presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron ka përçuar për Ballkanin Perëndimor gjatë fjalimit të mbajtur në seancën plenare të Parlamentit Europian të mbledhur në Strasbourg. Gjatë prezantimit të programit të presidencës franceze gjashtëmujore të Bashkimit Europian, presidenti Macron i është referuar rimendimit dhe rikrijimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit, të cilat sipas tij janë në zemër të kontinentit europian dhe mbajnë shenjat që kujtojnë brishtësinë e paqes dhe forcën e Bashkimit Evropian:

Emmanuel Macron, presidenti i Francës :
« Ne duhet të dimë të rimendojë dhe rikrijojmë marrëdhëniet tona me Ballkanin Perëndimor dhe të japim perspektivave të sinqerta anëtarësimi në mënyrë më të qartë, të lexueshme dhe të vullnetshme. Jo një anëtarësim si kundërvënie, për t’ju përgjigjur përpjekjeve destabilizuese të fuqive të tjera në rajon, por një anëtarësimi pro që shtrihet në një afat kohor të arsyeshëm”.

Presidenti francez ka rikujtuar, se tashmë Bashkimi Europian ka modernizuar procedurat e negociatave të anëtarësimit përmes metodologjisë së re të zgjerimit të BE-së. Por sipas tij, me rregullat e funksionimit aktual të Bashkimi Europian nuk është e mundur të pranohen anëtarë të rinj.

Emmanuel Macron, presidenti i Francës
« Por ne e dijmë, që Europa aktuale reale, me rregullat e saj të funksionimit, nuk mund të bëhet një Europë me 31, 32 apo 33 anëtarë. Kjo nuk është e vërtetë. Do të gënjenim veten. Në kuadrin e konferencës për të ardhmen e Europës dhe rezultatet e saj, duhet të rimendojmë rregullat tona për t’i bërë ato më të qarta, më efikase, më të lexueshme, në mënyrê që të vendosim më shpejt dhe më fort. Por gjithashtu duhet të jemi më të sinqertë në aspektin politik për kuadrin e Europës në të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendin e tyre. Ndaj ne duhet të rimendojmë rregullat tona të funksionimit dhe gjeografinë e Europës tonë. Për këtë arsye, konferenca pêr të ardhmen e Europës do të vijohet nga një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor, ku do të mund të flitet për këtë temë thelbësore”

Boshtet kryesore të fjalimit të presidentit Emmanual Macron kanë qenë veçantia e demokracisë europiane dhe mbrojtja e saj, promovimi i vlerave europiane, një rend i ri sigurie i Evropës përballë Rusisë, një aleance e re me Afrikën, rimendimi i marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor, një Europë fuqi ekuilibruese në nivelin global dhe kampione në revolucionin numerik. /abcnews.al/