Fermerët në Lushnjë po mbjellin vreshtat e rrushit në sera. Ata u janë larguar prodhimit të perimeve me idenë që do kenë më shumë fitime. Por këto eksperimente janë të pastudiuara dhe po e ç’orientojnë bujqësinë.
Nuk bazohen në ndonjë studim, por thjesht po eksperimentojnë. Në sera diellore nuk ka më perime. Ato po zëvendësohen me vreshta. Kështu besojnë se do të kenë sukses.
Sokrat Lici në Krutje të Lushnjës këtë vit shpreson të fitojë me vreshtin, për të likujduar borxhet të cilat i mori për prodhimin e perimeve.
“Deri vjet, parvjet e mbolla patëllxhanë, domate dhe zero fitim vinte deri atje sa unë dhe farën e mbillja me lekë, një vit e lashë pa mbjellë dhe vendosa ta mbjell vresht”.
Bujqësia po zhvillohet pa orientim. Dështimet dhe zhgënjimet e qindra fermerëve , po e çojnë këtë sektor jetik për familjet myzeqare në eksperimentime të ndryshme.
Andrea Muça, ndryshe nga Sokrati, ka vitin e 10 -të të prodhimit të rrushit në sera. Fillimisht i solli të ardhura të mira, sepse dilte i pari në treg. Sot përhapja masive e këtij prodhimi pritet të sjellë destabilizim në çmime.
“Kjo punë është vështirësuar se në shumë sera është mbjellë vresht. Dhe kjo nuk është gjë e mirë se shpesh fermerët e këpusin rrushin papjekur, dalin e treg dhe e shesin me çmime më të ulëta dhe se ai i fushës”.
Në asnjë rast, prodhuesit e vreshtit në sera nuk kanë marrë subvensione. Interesi për këtë mënyrë kultivimi është individual, ndaj nuk është përfshirë në skemat ndihmëse.
“Të gjitha të miat, s’ka vënë dorë shteti këtu, kam marrë borxh te banka dhe e kam bërë”.
Dy eksperienca të ndryshme të prodhimit të rrushit në sera, të sjella nga zona e Krutjes, janë tregues i qartë i ç’orientimit në sektorin bujqësor. Në një treg të pastudiuar dhe të pa bazuar në kërkesat e konsumatorit do të ketë dështime për t’ia lënë radhën eksperimentit të ardhshëm. /ABC news Albania 24/7