Lushnja në krizë për ujin e pijshëm

schedule14:03 - 28 Maj, 2018

schedule 14:03 - 28 Maj, 2018

Në qytetin e Lushnjes janë rikthyer autobotët, ku banorët blejnë ujë të pijshëm. Disa lagje të qytetit dhe periferia e tij prej disa ditësh nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

Po u kthehen kohëve të shkuara. Ashtu si shumë vite më parë, banorët në Lushnje marrin ujë nga botët.

Në këto ditë të nxehta, qyteti dhe rrethinat janë në krizë. Banorët po e blejnë ujin e pijshëm me çmim tek autobotët. Kurse për të larë dhe përdorime të tjera mbushin nga puset.

“Kemi ndenjur edhe tre ditë pa ujë”.

“Asnjë pikë nuk kemi patur. As nuk kemi patur këto ditë. Blejmë ujë nga 20 – 50 kile të laj enët të bëj gjellë”.

Një nga shkaqet kryesore që në Lushnje mungon uji i pijshem janë defektet në rrjet. Më me fat duken ata banorë që kanë depozita të mëdha nëpër apartamente, por jo për të pirë.

“Unë jam në një pallat të ri që kemi depozitë poshtë dhe nuk na ka munguar uji”.

Ndërmarrja e ujësjellësit po ndërhyn në rrjetin e brendshëm që është i gjithi i amortizuar. Këtu punonjësit ndodhen në nënstacionin e Konjatit. Riparimi i defektit kërkon kohë.

“Është defekt i madh. Nuk mund të mbyllet dot për një ditë. Po punojmë me orare të zgjatura papushim deri në evitimin e situatës që është krijuar në qytetin për furnizimin me ujë”.

Në nënstacionin e pompimit Konjat nuk është bërë remont që në vitin 2007.  Në këto kushte, 11. 500 abonentë po marrin ujë me orare të reduktuara, kurse në disa lagje nuk ka asnjë orë ujë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!