“Lumi” i votave në njësinë 10, Xhafaj beson se do të thyejë herësin: Pres lajme shumë të mira

schedule19:58 - 28 Prill, 2021

schedule 19:58 - 28 Prill, 2021

I renditur i 23-ti nga partia në listën e Tiranës, Fatmir Xhafaj është kandidat potencial për të thyer herësin për t’u futur mes 18 deputetëve që socialistët do të çojnë në Kuvend nga kryeqyteti në shtator të këtij viti.

Vetëm nga njësia nr. 10 në Tiranë ku u votua dhe numërua në mënyrë elektronike Xhafaj mori 2795 vota, më shumë se kushdo tjetër dhe për këtë ka një falënderim.

Xhafaj beson se do të arrijë të futet në Kuvend, kur shkruan se beteja jonë vijon ende deri në numërimin dhe certifikimin e çdo vote në qarkun e Tiranës, ndaj ngelem në pritje të lajmeve që padyshim do të jenë shumë të mira në vijim.

“Njësia 10 ka merituar dhe meriton notën 10 për të gjithë qytetarinë që dëshmon më së miri si një bashkësi e tërë vlerash njerëzore.

Ndjehem me fat dhe krenar që kandidatura ime në listën e qarkut të Tiranës u përqafua prej tyre duke më nderuar me një votëbesim të lartë që për mua është 10 herë më shumë vlerësim, 10 herë më shumë privilegj dhe 10 herë më shumë përgjegjësi.

Pavarësisht se është një njësi me pak vota, 10-ta është një njësi me shumë zemër që ashtu siç di të vlerësojë, ashtu di edhe të ndëshkojë.

E kjo duket më së miri te pasqyra e votimit ku kundërshtarët politik që kishim përballë, së bashku me aleatët e shtuar në listën e tyre të Tiranës nuk mundën të bëjnë asnjë hap bindës sepse zemra e 10-tës nuk fitohet duke shkuar njëherë në katër vite por duke qenë çdo ditë te ta dhe për ta.

Andaj unë përulem para tyre me mirënjohje dhe respekt duke i siguruar se do të jem krah tyre ashtu siç kam qenë këto katër vitet e fundit ku bashkë kemi festuar, bashkë kemi qarë hallet dhe bashkë kemi bërë e do bëjmë përpara.

Falënderime të përzemërta të gjithë ekipit të palodhur, patronazhistëve të shkëlqyer, komisionerëve korrekt, vëzhguesve preciz, anëtarëve plot energji dhe gjithë qytetarëve të zakonshëm të cilët çuan para sfidën tonë model.

Pavarësisht se sistemi i votimit në njësinë 10 ishte elektronik dhe i paprovuar më parë, falë punës sonë intensive mundëm ta bëjmë këtë pilotim një sukses të prekshëm dhe shembull për zgjedhjet e tjera.

Beteja jonë vijon ende deri në numërimin dhe certifikimin e çdo vote në qarkun e Tiranës, ndaj ngelemi në pritje të lajmeve që padyshim do të jenë shumë të mira në vijim.

Faleminderit dhe mirënjohje” shkruan ai./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!