“Lum kush të rrojë ta shojë zojë”, Rama flet me vargjet e Naim Frashërit: Të bëhemi bashkë, pa ndasi për Shqipërinë 2030!

schedule14:47 - 12 Prill, 2025

schedule 14:47 - 12 Prill, 2025

Në përfundim të fjalës së tij, ndërsa celi zyrtarisht fushatën elektorale, Rama u bëri thirrje të bashkohen pa ndasi, si 5 gishtat e dorës për Shqipërinë 2030 në BE, ndërsa zgjodhi të citojnë vargjet e Naim Frashërit

“Ju bëj një thirrje shqiptarë e shqipëtare, ju bëj një thirrje nga ky shesh, që nuk ka flamuj të tjerë, përveç flamurit më të bukur në botë dhe flamurit të ëndërrës më të bukur në botë, që të bëhemi bashkë, njësoj si të pestë gishtat e kësaj dore, për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit europian të Shqipërisë,  pikërisht në javën e fitores sonë që do të mbyllet, në këtë shesh, nga vetë Europa e cila më 16 maj, për herë të parë në histori, do ta ngrerë tendën nën hijen e profetit, dhe në atë tendë  do të ulen rreth një sofre të madhe të gjithë udhëheqësit e popujve të kontinentit demokratik europian.

Ndaj, le t’i lemë këtë herë, le t’i lemë për herë të tjera, pas kësaj here të paktën, llogoret partiake, le t’i harrojmë këtë herë fanellat e tifozllëkut partiak, le të ngrihemi këtë herë të gjithë së bashku, në lartësinë e takimit me historinë, që na ka ardhur në derë dhe le të mos e lejojmë kurrësesi, në asnjë mënyrë, që porta e hapur e Shtëpisë së Madhe të Europës së Bashkuar të mbyllet për shkak të shpërqëndrimit tonë nga shënjestra e përcaktuar e fatit të Shqipërisë, qysh kur ai burrë atje lart, mbi kalë, la për brezat profecinë e tij.

Vetëm duke e realizuar këtë profeci kombëtare, e cila është përkthyer në dhjetëra, qindra, mijëra tekste të shkruara nga luftëtarët e mendimit shqip, për të cilën koha s’pret dhe dasi nuk pranon, ne do të jemi në lartësinë e duhur për historinë, vetëm duke e çuar në vend atë amanet, ne do të jemi të denjë për etërit që na dhanë emrin, na dhanë alfabetin, na dhanë flamurin e na dhanë Shqipërinë dhe do të meritojmë më të fund, – se nuk e kanë merituar po ta mendosh, shumë nga ata që e kanë marrë peng këtë vend dhe e kanë kthyer nga Azia – dhe do të meritojmë ngazëllimin e tyre, që më bukur se kudo tjetër shprehet me fjalët e Gjergj Fishtës përsëri:

“Si erdh tu’u regjë mendja e shqyptarit,
Prap per t’gzuem lirin jetike.
Trashgim lanë atij prej t’Parit:
E sa u bâ gjaku e medeti,
Sa u tuer rrêna edhè trathtija.
Dér qi duel Shqypnija m’veti,
Si premtue kisht’Perendija. »

Dhe pastaj vjen fjalia rrëqethëse “T’falem Shqypni, ti i shpirtit t’em dishiri”…

Besojini kësaj profecie, motra e vëllezër, besojini kësaj profecije shqiptarë e shqiptare, me bindje e kahje të tjera, besojini këtij momenti ndryshe se është ndryshe, jo për ne dhe as për ju, por është ndryshe për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkohuni me shumicën tonë, besojini Shqipërisë 2030 në BE dhe braktisini profetët e rremë, dhe braktisini qeniet qesharake, ata që predikojnë madhështira qesharake apo ofrojnë barna popullore për hallet e problemet tuaja, të cilat mund t’i zgjidhim vetëm së bashku dhe vetëm të bashkuar për të qenë në lartësinë e historisë së Shqipërisë me Europën dhe të Europës me Shqipërinë.

Sot është koha për këtë besim të lartë. Është një besim shumë i lartë, më shumë se kurrë sot është dita, dita që Naimi e pa dhe u ngazëllye kur këndoi:

“Jak’ e vërtetë! Pse rri e qetë?
Për Shqipërinë Ditët e mira Paskëtaj vinë.
Shkoj errësira, Lum kush të rronjë, T’a shohë zonjë!”

Dhe zonjë, Shqipëria bëhet kur ne, bijtë e bijat e saj, t’ia vendosim mbi kokë kurorën me 12 yjet, që flamuri europian i huazoi kurorës së Zojës lartë në qiell, asaj Zoje, nënë e pelegrinëve që shpresojnë, që si pajtore e Shqipërisë kremtohet pikërisht këtë muaj, njësoj siç populli me traditë kremton, po këtë muaj, lindjen e Shën Gjergjit të shqiptarëve.

Gjergji i Kastriotëve, Ati i shqiptarëve na qoftë mbrojtje dhe udhërrëfyes në pelegrinazhin tonë europian dhe Nana e Shqiptarëve, na sjelltë Këshillën e Mirë dhe bekimin për misionin dhe pelegrinazhin tonë të shenjtë drejt tokës së premtuar, atje në atë shtëpinë ku na pret këndi ynë.

Rroftë Shqipëria si gjithë Europa! Rroftë Europa e gjithë shqiptarëve! ” – përfundoi Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!