Lukova si shkretëtire, prenotimet janë anuluar, banorët: S’është koronë, por zi e bukës!

schedule11:47 - 24 Maj, 2020

schedule 11:47 - 24 Maj, 2020

“Kjo s’është koronë është zi e bukës”. Kështu shprehet një banor i një prej zonave turistike në vend, Lukova. Ai është i dëshpëruar nga mungesa e pushuesve prej të cilëve mblidhte të ardhura për të jetuar.

Në kushte normale ky plazh duhet të ishte duke gumëzhuar nga turistët.

Pandemia ka izoluar prej më shumë se dy muaj qytetarët dhe ka dëmtuar turizmin. Lukova është një nga vendet më të bukur bregdetare që sot ngjason me një shkretëtirë. Është për të ardhur keq që nuk është vënë fare dorë, as rëra nuk është pastruar.

Asnjë subjekt anës detit nuk ka filluar nga përgatitjet për fillimin e sezonit. Rezervimet janë anuluar  të gjitha dhe shpresat për një mbarëvajtje të sezonit të sivjetshëm janë të pakta.

Banorët e pakët me të cilët biseduam janë rënduar shumë nga ana ekonomike.

‘Dobët jemi dobët. S’kemi rezervime”, shprehet një prej tyre.

“Ne në aspektin ekonomik jemi nën 0. Këtu s’ka sëmundje. Këtu ka vetëm klimë dhe punë”, thotë një tjetër.

Ky zotëri ironizon ndihmën ekonomike që merr nga shteti.

“Jam një familje me 6 vetë. Marr një ndihmë shumë të madhe nga shteti 19 mijë të vjetra. Sikur ere tju marrësh nuk del, jo të paguash fatura”, shprehet ai.

Punon përgjatë dimrit në bujqësi dhe pret verën që të fitojë të ardhura. Gjithësesi ka shpresë që pushuesit vendas do të vijnë në Lukovë.

Ngjitemi malit punojmë. Kemi përgatitur në dimër ullirin, kemi bërë vajin. Kemi mbjellë domate, speca, patëllxhan, I kemi gati për treg.  Do kemi turistë shqiptarë që janë ngujuar brenda. Do duan të hanë një kokër fik, ulli origjinal”. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!