Rusët pranë Kievit. Qindra të vrarë dhe të plagosur, fillon përballja rrugëve të qyteteve

schedule22:30 - 25 Shkurt, 2022

schedule 22:30 - 25 Shkurt, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njoftuan autoritetet në Kiev. Nga ana tjetër Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend. Disa shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas Kiev. Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka kryer sulme me raketa në qytet. Të paktën një pallat në kryeqytet është dëmtuar rëndë – raportet thonë se tre persona janë plagosur. Presidenti ukrainas Zelensky iu drejtua kombit dhe i ka bërë thirrje Rusisë për një armëpushim. Zelensky gjithashtu u është lutur aleatëve perëndimorë që të bëjnë më shumë për të ndaluar sulmin e Rusisë. Ai thotë se 137 qytetarë ukrainas – ushtarë dhe civilë – vdiqën të enjten.

Rusët marrin kontrollin e kompleksit të Çernobilit – vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë. Sanksionet e reja ndaj Rusisë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve në banka, janë vendosur nga Brukseli në Kanberra. Presidenti Vladimir Putin mbron pushtimin, duke thënë se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të mbrojtur Rusinë

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Më poshtë gjeni raportimin LIVE të Abcnews.al për luftën në Ukrainë:

22:38-Zelensky: Ukraina gati për të diskutuar me Rusinë për armëpushim

Një zëdhënës i presidentit ukrainas Zelensky sapo ka thënë se vendi është i përgatitur të mbajë armëpushim dhe bisedime paqeje me Rusinë menjëherë, shkruan BBC. Ai tha se zyrtarët rusë dhe ukrainas po diskutojnë aktualisht për kohën dhe vendin për bisedimet që do të zhvillohen.

22:31-Zyrtari britanik tregon planin e Rusisë: Do të marrë kontrollin e popullsisë ukrainase dhe të ndryshojë regjimin

Britania ka treguar objektivin e Federatës Ruse në Ukrainë. Shefi i Inteligjencës së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Sir Jim Hockenhull tha se Rusia synon të “sigurojë kontrollin e popullsisë dhe të ndryshojë regjimin”. “Forcat ruse vazhdojnë të avancojnë në dy akse drejt Kievit. Objektivi i tyre është të rrethojnë kryeqytetin, të sigurojnë kontrollin e popullsisë dhe të ndryshojnë regjimin”. Zyrtari britanik i inteligjencës vuri në dukje gjithashtu se Rusia “vazhdon të kryejë sulme në të gjithë Ukrainën” me një “seri të bashkërenduar sulmesh” të nisura në kryeqytetin e vendit, Kiev, gjatë natës të së enjtes deri të premten.

22:23-Pamje trishtuese, sulme me raketa, tanke, sirena lufte në zemër të Ukrainës

Edhe sonte mbrëmja i gjeti ukrainasit nën sulmin e raketave, armëve dhe sirenave të luftës nga ushtria ruse. Mes frikës dhe panikut shumë qytetarë ukrainas janë dyndur në kufijtë e Ukrainës për të shkuar në vende më të sigurta për familjet e tyre. Ajo që kanë pas është trishtuese. Tanke nëpër rrugët e qytetit, raketa dhe shpërthime kudo. BBC ka sjellë pamje nga lufta në Ukrainë gjatë ditës së sotme.

22:23-Ambasadorja ukrainase në SHBA: 92 punonjës të Çernobilit mbahen peng nga forcat ruse

Ambasadorja e Ukrainës në SHBA Oksana Markarova ka deklaruar këtë të premte se 92 anëtarë të personelit të termocentralit të Çernobilit po mbahen peng nga forca ruse. Ajo u shpreh se për këtë arsye ata nuk janë në gjendje të punojnë me turne dhe të ndjekin rregullat strikte siç kërkon termocentrali. “Ukraina po u drejtohet të gjithë rregullatorëve bërthamorë dhe vendeve të tjera për t’i paralajmëruar ata për situatën në Çernobil, shtoi ajo.

22:50-Lufta në Ukrainë, Bullgaria merr një vendim të rëndësishëm kundër Rusisë

Bullgaria ka marrë vendimin që të ndalojë hapësirën e saj ajrore për fluturimet e aeroplanëve rusë. Ministrja e Transportit e Bullgarisë njoftoi se nga e shtuna, ky vend do të ndalojë fluturimet e operuara nga linjat ajrore ruse. Edhe kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Edhe Republika Çeke po planifikon që të mbyllë hapësirën ajrore për avionët rusë, tha kryeministri Petr Fiala pas një mbledhjeje të Qeverisë që u mbajt të premten.

21:57- Putin “bombardohet” me sanksione, Shtëpia e Bardhë tregon planin e SHBA

Presidenti rus Vladimir Putin ka marrë sanksione nga të gjitha anët. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar planet e SHBA-së për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe në sanksionimin e Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov. Gjatë një konference, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se SHBA, “në përputhje me vendimin e aleatëve evropianë”, do të sanksionojë Putinin, Lavrovin dhe “anëtarët e tjerë të ekipit rus të sigurisë kombëtare”. Por ndërsa sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së ndaj Putinit dhe Lavrovit do të sjellin një ngrirje të aseteve, jo një ndalim udhëtimi, Psaki tha se masat e SHBA do të përfshijnë edhe ndalimin e udhëtimit.

21:50- Eksperti: Perëndimi ka shansin të ndalojë luftën, roli i SWIFT dhe plani i Putin me qeveri kukull

Eksperti i çështjeve të sigurisë Adrian Shtuni i ftuar në Radarin Informativ në Abc ka deklaruar se Ukraina nuk është e braktisur nga perëndimi por theksoi se nëse do të kishte sanksione edhe më të forta do të mund ta frenonin presidentin Vladimir Putin. SHBA ka paralajmëruar në vazhdim përjashtimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, që mundëson transferimin e fondeve ndërmjet bankave në mbarë globin, apo ndaj sektorit energjetik rus. Shtuni tha se nëse merret një vendim i tillë do e kufizonte Rusinë për të qenë aktive në luftë. Duke i vënë sanksione të forta, ai tha se kostoja i bëhet mjaft e madhe dhe Rusia do e ketë të papërballueshme për të vijuar luftën. Duke analizuar veprimet e Putin deri më tani ai ka bërë dhe një parashikim të situatës në vazhdim. Eksperti thotë se synimi i Putin është që të vendosë një qeveri kukull në Ukrainë dhe më pas të nënshkruajë një “traktat paqeje”.

21:47- SHBA: Oferta e Putin për bisedime nuk është reale, nuk bëhet diplomaci në “tytën” e armës

Departamenti amerikan i Shtetit tha se oferta e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime në Ukrainë, nuk “është diplomaci e vërtetë”. Duke folur me gazetarët në Uashington të premten zëdhënësi i DASH Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet në “tytën e armës”. Që të zhvillohet diplomacia, sulmi ushtarak rus në Ukrainë duhet të ndalet dhe forcat ruse duhet të tërhiqen, tha ai. Deri më tani, shtoi Price, SHBA-të nuk kanë parë asnjë tregues se Putini ishte i gatshëm të lejonte vazhdimin e diplomacisë.

21:40- “Fantazma e Kievit”, avioni misterioz që po frikëson rusët: Shfaqet papritur, godet dhe zhdukët

Ndërsa pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë në Ukrainë është në ditën e dytë, nuk kanë munguar pretendimet dhe kundër-pretendimet për situatën në lidhje me luftën ajrore që po ndodh atje. Deri më tani, provat konkrete aktuale të avionëve të humbur në aksion, qoftë rus apo ukrainas, kanë qenë të kufizuara, për të mos thënë të pakta, raporton abcnews.al. Mes kësaj atmosfere konfuze, historia e “Fantazmës së Kievit” një piloti hero ukrainas po merr krahë duke u shpërndarë herë si legjendë dhe herë si e vërtetë mes banorëve lokalë. Ai drejton një avion MiG-29 Fulcrum, i cili raportohet se ka shënuar një numër të madh suksesesh gjatë këtyre dy ditëve të fundit që mbron qiellin e kryeqytetit duke rrëzuar gjashtë avionë armiq.

21:38- Vladmir Putin, detaje intriguese nga jeta e Presidentit të Rusisë

Putini është një zog nate dhe punon vonë sepse funksionon më mirë në mbrëmje. Vladimir Putin njihet për dashurinë e tij për një mënyrë jetese aktive, por si fillon dita e tij dhe kur është më i fokusuar në marrjen e vendimeve më të rëndësishme të Rusisë? Pas konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, jeta e Vladimir Put intrigon më tej njerëzit në mbarë botën.

20:47-Ukrainë, kryebashkiaku i Kievit: 5 shpërthime në kryeqytet, nata do jetë e vështirë

Kryebashkiaku i Kievit thotë se pesë shpërthime janë dëgjuar në kryeqytet. Vitali Klitschko, tregon disa prej tyre janë dëgjuar pranë një termocentrali në veri të qytetit. “Situata tani, pa ekzagjerim, është kërcënuese për Kievin“, shtoi ai. Nata, tha ai, do të jetë “shumë e vështirë”.

20:22-Presidenti ukrainas diskuton në telefon me Biden për 40 minuta, kërkon ndihmë për mbrojtje

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilluan një telefonatë 40-minutëshe pasditen e sotme, ku diskutuan sanksionet dhe ndihmën e mbrojtjes së SHBA-ve për Ukrainën. Sipas Shtëpisë së Bardhë, të dy liderët folën për 40 minuta.

19:49-Xhaçka: 60 shqiptarë jetojnë në Ukrainë, 11 janë pjesë e planit të evakuimit

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka bërë të ditur se në Ukrainë ndodhen dhjetëra shqiptarë, por do të evakuohen 11 prej tyre të cilët janë pjesë e misionit të OSBE-së.

“Ka një komunitet të vogël shqiptarësh në Ukrainë që kanë krijuar familje e janë martuar atje. Ka 11 shqiptarë të sekonduar në organizatën e OSBE që janë pjesë e planit të evakuimit. Ata janë gjithë mirë ne jemi në komunikim me ta, do kthehen në Shqipëri. Do të kthehen në Shqipëri. Për pjesën tjetër të shqiptarëve kemi qenë në kontakt me një pjesë të vogël të tyre, 5-6 vetë të cilët kërkuan asistencë për të lëvizur nga Ukraina. Ka qenë e pamundur në rrugë ajrore. I kemi sugjeruar rrugë tokësore, dhe ambasadat tona janë të gatshme për t’i pritur. Janë rreth 60 shqiptarë në Ukrainë”, tha ajo.

19:45-ZYRTARE/ BE godet Putin dhe Lavrov, shpall paketën e sanksioneve për 2 kokat e mëdha të Rusisë

BE-ja po ashpërson qëndrimin e saj kundër Rusisë, duke vendosur zyrtarisht sanksione personale ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin dhe ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov. Sipas medieve të huaja, vendosja e sanksioneve ndaj Putin dhe Lavrov do t’i bllokojë ata në transaksionet bankare që kanë lidhje me BE-në.

19:45- Thanë se braktisi qytetin, Presidenti ukrainas nga rrugët e Kievit: Jemi të gjithë këtu

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar një video nga rrugët e Kievit pas thashethemeve në mediat ruse se ai ishte larguar nga kryeqyteti. “Ne jemi të gjithë këtu,” tha ai, i rrethuar nga këshilltarët kryesorë dhe kryeministri i tij. “Të vetmit liderë mbi të cilët BE ka vendosur sanksione janë Bashar al-Assad i Sirisë dhe Lukashenko i Bjellorusisë. Tani është radha e Putinit“, vuri në dukje Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell. Masa kundër Putinit dhe kryediplomatit të tij Sergei Lavrov erdhi ndërsa të dërguarit e 27 vendeve anëtare të BE-së diskutuan hollësitë e një vale të re sanksionesh, që u mbështetën nga udhëheqësit e BE-së në një samit urgjent të enjten në mbrëmje.

19:31- Mijëra trupa dhe 100 avionë gati përballë Rusisë, NATO i tregon vendin Putinit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se NATO ka përforcuar elementët e saj ushtarakë në ajër, tokë dhe det në Evropën lindore. Ai theksoi se NATO ka vënë në dizpozicion mijëra trupa ushtarakë dhe 100 avionë në Evropën lindore për të mbrojtur territorin

18:53-NATO paralajmëron: Objektivat e Rusisë nuk kufizohen vetëm në Ukrainë. Bota do t’i kërkojë llogari Rusisë dhe Bjellorusisë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar gjatë konferencës së jashtëzakonshme për luftën në Ukrainë se “objektivat e Kremlinit nuk kufizohen vetëm në Ukrainë”. Ai thotë se pushtimi ka shkaktuar vuajtje të mëdha dhe argumenton se udhëheqësit perëndimorë duhet “të qëndrojnë të gatshëm për të bërë më shumë, edhe nëse kjo do të thotë se duhet të paguajmë një çmim, sepse jemi në këtë për një kohë të gjatë”.

18:37- “Dasmë” në luftë, çifti ukrainas e kalon ditën e parë të martesës duke mbledhur armë

Nuk është film, por e vërtetë. Ky çift ukrainas e kaloi ditën e parë të martesës duke mbledhur pushkë për të mbrojtur vendin e tyre ndërkohë që dita e dytë e luftës ka pasur edhe më shumë sulme. Yaryna Arieva dhe Sviatoslav Fursin u martuan vetëm disa orë pasi Rusia filloi pushtimin e saj në vendin e tyre. Ata e kaluan ditën e tyre të parë si çift i martuar duke mbledhur armë dhe duke u përgatitur për të mbrojtur Ukrainën, raporton BBC.

18:28- NATO shton ushtrinë në Evropën Lindore: Putin na gënjeu

Vendet e NATO-s  do të shtojnë prezencën ushtarake në Evropën Lindore, teksa tanket ruse po afrohen gjithnjë e më shumë në Kievit. Në një deklaratë të përbashkët, 30 liderët e NATO-s thanë: “Askush nuk duhet të mashtrohet nga breshëria e gënjeshtrave të qeverisë ruse”. Deklarata vjen pas një samiti virtual të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, ku vendet aleate thanë se Moska ka gënjyer për qëllimet e saj.

18:17- Rusia pretendon se ka marrë më shumë se 200 objektiva ushtarake në Ukrainë

Ministria ruse e mbrojtjes ka pohuar se ka marrë 211 objektiva ushtarake ukrainase, ka raportuar IFAX, shkruan skynews. Trupat ruse kanë bllokuar gjithashtu rajonet Sumy dhe Konotop të Ukrainës në pjesën verilindore të vendit, njoftoi agjencia e lajmeve.

18:08-VIDEO/Kaos dhe panik në stacionin e trenit në Kiev, të shtëna me armë zjarri

Kaosi dhe paniku mbizotëron në rrugët e Ukrainës që prej hyrjes së ushtrisë ruse në vend. Më herët BBC publikoi një video, ku dëgjohen të shtëna me armë zjarri, ndërsa qytetarët bërtasin nga frika dhe paniku. Të shtënat me armë zjarri janë regjistruar në një stacion hekurudhor në Kiev, ndërsa nuk duhet nëse ka të plagosur.

17:27 – Putin kërcënon Finlandën dhe Suedinë: Mos kërkoni të futeni në NATO se do keni pasoja

Nuk ndalet Rusia. Ka kërcënuar me lufte edhe 2 shtete të tjera Evropiane, Finlandën dhe Suedinë, raporton BBC. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse ka paralajmëruar se pranimi i Finlandës ose Suedisë në aleancën e mbrojtjes NATO do të shkaktonte një përgjigje serioze nga Moska.

Gjatë një konference për shtyp në Moskë, Maria Zakharova kërcënoi nëse ndonjë nga 2 vendet do të kërkonte të bashkohej me aleancën e sigurisë, “do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike që do të kërkonin që vendi ynë të ndërmarrë hapa reciprokë“, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

17:20 – “Jo më fjalë, na çoni armë”, kërkesa e Ukrainës për perëndimin

Ministria e Jashtme e Ukrainës i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të “tregojë solidaritet” duke vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe më shumë furnizim me armë.
Një listën e publikuar nga ministria në Twitter përfshihet gjithashtu edhe ndalimi i Rusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare Swift dhe dëbimi i ambasadorëve rusë në mbarë botën.

17:12 – “E humbën…!” Inteligjenca amerikane ka lajme shumë të këqija për ushtrinë ruse në Ukrainë

Inteligjenca amerikane ka lajme të këqija për ushtrinë ruse. Reuters raporton duke iu referuar një zyrtari amerikan të Mbrojtjes se ata kanë të dhëna nga terreni që tregojnë se ushtria ruse e ka humbur “tempon” në sulmin ndaj Ukrainës dhe tani pritet që të pësojnë humbje edhe më të mëdha, raporton abcnews.al.

Zyrtari i lartë amerikan i tha Reuters që Rusia nuk ka marrë ende deri më tani asnjë qendër të madhe administrative në Ukrainë duke ndejtur në periferi të vendit edhe pse sulmet me raketa janë zhvilluar në zona të banuara duke lënë qindra të vdekur.

17:04 – Lufta në Ukrainë, Rusia merr goditjen e radhës, përjashtohet nga Këshilli i Evropës

Rusinë është pezulluar përkohësisht nga Këshilli i Evropës si një masë ndëshkuese për pushtimin e Ukrainës, raporton The Guardian.

Me nisjen e luftës në Ukrainën lindore, Rusia ka treguar se nuk i përmbahet së drejtës ndërkombëtare dhe prandaj nuk ka çfarë të kërkojë në Këshillin e Evropës.

Në fakt, Këshilli i Evropës 8 vjet më parë e privoi Rusinë nga e drejta për të votuar në Asamblenë Parlamentare në Strasburg por ia kurseu përjashtimin. Ky ishte një veprim konsekuent, sepse pranimi i një deklarate lufte ndaj një shteti tjetër anëtar me një të ngritur të supeve do të ishte e pashpjegueshme jo vetëm për Ukrainën e prekur.

Së pari, Rusia mori qëndrim kokëfortë dhe ndaloi kontributet e saj. Rreth 60 milionë euro i humbën Këshillit të Evropës në këtë mënyrë – jo pak, por një shumë e përballueshme.

Në ditën e dytë të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë u dëgjuan shpërthime mbi kryeqytetin ukrainas që në mëngjes herët. Ndërsa sulmet vijojnë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është “dorëzuar” dhe ka kërkuar zyrtarisht bisedime me Ukrainën, pas thirrjeve të Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime.

16:14 – 2 800 ushtarë të vrarë dhe 516 mjete të shkatërruara, Ukraina: I kemi “dërrmuar” rusët

Forcat ruse kanë humbur rreth 2,800 ushtarakë dhe 80 tanke gjatë sulmit të tyre në Ukrainë, tha të premten zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Malyar sipas Reuters.

Ajo shtoi në faqen e saj në Facebook se trupat ruse humbën gjithashtu rreth 516 automjete të blinduara luftarake, 10 avionë dhe shtatë helikopterë që nga ora 15:00 me orën lokale.

Shumë gjëra kanë ndodhur sëfundmi në Ukrainë. Më poshtë gjeni zhvillimet më të fundit:

  • Presidenti rus Vladimir Putin i bën thirrje ushtrisë ukrainase që të marrë pushtetin nga qeveria e tyre duke kryer një grusht shteti.
  • Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se forcat e saj kanë marrë kontrollin e aeroportit kyç Hostomel pranë Kievit. Ajo pretendon se 200 trupa nga njësitë speciale të Ukrainës u vranë dhe nuk pati viktima ruse. Nuk ka një verifikim të pavarur të pretendimeve nga të dyja palët.
  • Automjetet ushtarake ukrainase kanë hyrë në Kiev për të mbrojtur qytetin nga afrimi i trupave ruse.
  • Dhe ministria e brendshme thotë se 18,000 armë u janë dhënë vullnetarëve, së bashku me udhëzimet për të bërë kokteile Molotov.
  • Rreth 450 ushtarë rusë dhe 194 ukrainas, përfshirë 57 civilë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit, u tha deputetëve ministri i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
  • Ukraina thotë se më shumë se 1000 rusë kanë vdekur që nga fillimi i pushtimit.
  • Kremlini thotë se Rusia është gati për bisedime me Ukrainën në Minsk.
  • Fokusi i bisedimeve do të jetë që të Ukraina të marrë “status neutral”, i cili do të përfshijë “demilitarizimin”, por nuk ka asnjë provë që Ukraina do të pranonte bisedimet mbi këtë pikë.
  • Polonia po përgatitet të mbyllë hapësirën e saj ajrore për linjat ajrore ruse, tha kryeministri i saj
  • Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se rreth 100,000 njerëz janë tashmë të zhvendosur, por beson se deri në pesë milionë mund të përpiqen të ikin jashtë vendit ndërsa konflikti përshkallëzohet.

15:16 – Automjetet ushtarake të Ukrainës hyjnë në Kiev për të mbrojtur qytetin

Automjetet ushtarake ukrainase po hyjnë në Kiev për ta mbrojtur qytetin nga forcat ruse, sipas një deklarate të ministrisë së brendshme të Ukrianës, shkruan BBC

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se qyteti kishte “hyrë në një fazë mbrojtëse”. Qeveria po i bën thirrje popullit të Kievit që të bëjë gjithçka që mundet për t’i rezistuar trupave ruse, duke përfshirë prodhimin e koktejve molotov dhe mbajtjen e armëve.

Rrugët e qytetit të Kievit janë të mbushur me civilë që mbajnë armë, të gatshëm për të mbrojtur vendin e tyre. Disa snajperë ukrainas kanë marrë tashmë pozicionin në frontet e tyre.  Ekziston një frikë e madhe se mund të jetë vetëm çështje orësh përpara se rusët të  luftojnë ballë për ballë me ukrainasit.

15:09-Ukraina i jep goditje të rëndë Rusisë: Nuk kanë pësuar kurrë më parë kaq shumë viktima në dy ditë luftë

Forcat e Armatosura të Ukrainës, pretendojnë se kanë eliminuar të paktën 1 mijë ushtarë të Rusisë gjatë luftimeve ditën e sotme.

Sipas ushtrisë Ukrainase, Rusia nuk ka pësuar një numër kaq të madh viktimash gjatë kësaj periudhe luftarake në të gjithë periudhën e ekzistencës së saj në asnjë nga konfliktet e armatosura që ka nisur.

“Sot numri i humbjeve nga forcat pushtuese të Federatës Ruse është më shumë se 1 mijë. Rusia nuk ka pësuar një numër kaq të madh viktimash gjatë kësaj periudhe luftarake në të gjithë periudhën e ekzistencës së saj në asnjë nga konfliktet e armatosura që ka nisur. Besoni në Forcat e Armatosura”- thuhet në deklaratë.

14:58 –SHBA thirrje qytetarëve që të largohen menjëherë nga Ukraina

Ambasada e SHBA-së në Kiev u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të largohen menjëherë, duke paralajmëruar personat që mund të qëndrojnë në vend të tregohen të kujdesshëm për shkak të rrezikut të luftës, shkruan CNN

“Qytetarët amerikanë që do të mbeten në Ukrainë duhet të ndjekin me kujdes njoftimet e qeverisë dhe mediave lokale dhe ndërkombëtare për informacione në lidhje me ndryshimin e kushteve të sigurisë në vend”, theksoi ambasada.

Ai e quajti situatën e sigurisë në Ukrainë “shumë të paqëndrueshme”, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet.

14:57 – Deputeti ukrainas merr armën dhe zbret në “fushëbetejë”: S’jam ushtarak, po mbroj vendin tim

Mbrëmë, së bashku me shumë të tjerë, Oleksiy Goncharenko shkoi në selinë e policisë së Kievit për të marrë armën. Goncharenko nuk është dhe nuk ka qenë kurrë ushtarak në jetën e tij. Ai është anëtar i Verkhovna Rada, parlamenti ukrainas dhe një nga shumë civilë që iu përgjigjën thirrjes së autoriteteve për t’u përgatitur për të mbrojtur vendin nga pushtimi rus.

“Unë nuk jam aspak ushtar profesionist, por mund të përpiqem dhe mund të bëj më të mirën dhe do ta bëj nëse forcat ruse hyjnë në Kiev,” tha ai për CNN.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov tha se 18,000 armë me municion u janë shpërndarë rezervistëve vetëm në rajonin e Kievit që nga fillimi i pushtimit rus të enjten.

14:55 – Hero! Ushtari ukrainas vetëflijohet për të mos lejuar avancimin e rusëve

Ukrainasit janë duke u vetëflijuar me qëllimin e vetëm që të mos lejojnë rusët që ta marrin lehtë vendin e tyre Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka publikuar foton e një inxhinieri ushtarak, i cili sipas tyre qendroi për të hedhur në erë një urë duke vrarë edhe vetën për të mos lejuar kalimin e forcave ruse nga Krimea në pjesën veriore të vendit.

14:19- Kremlini: Rusia e gatshme për bisedime me Ukrainën për “neutralitetin”

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov thotë se Rusia është gati për bisedime me Ukrainën në Minsk, kryeqyteti i Bjellorusisë, raporton agjencia zyrtare ruse e lajmeve RIA Novosti.

Por ai tha se kjo do të sillte shpalljen e një “statusi neutral” të Ukrainës – i cili do të përfshinte çmilitarizimin. Rusia gjatë gjithë kohës ka dashur që Ukraina të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Presidenti i Ukrainës ka bërë thirrje për bisedime me Vladimir Putin, por nuk ka asnjë tregues se ai do të pranojë bisedimet mbi këtë bazë. Minsku është i rëndësishëm sepse aty u nënshkruan marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës që shpërtheu në vitin 2014.

Duke pushtuar Ukrainën, lideri rus shihet se i ka prishur ato marrëveshje. Më herët ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nuk mund të mbahen bisedime derisa ushtria ukrainase të lëshojë armët

14:13-Qeveria britanike: 194 ukrainas të vrarë nga sulmet ajrore ruse, mes tyre 57 civilë

Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, tha se 450 ushtarë rusë dhe 194 ukrainas, përfshirë 57 civilë, janë vrarë që nga fillimi i sulmeve ruse, shkruan BBC

Këto janë shifra më të larta se ato të raportuara nga OKB në një njoftim sot. Sipas OKB, 25 civilë janë vrarë nga sulmet ruse.

Heappey tha gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë trupa  shtresë në Estoni, aleatin e NATO-s, dhe 1,000 do të jenë në gatishmëri në vendet fqinje të Ukrainës për të ndihmuar refugjatët që largohen nga lufta.

14:12- Papa del jashtë protokollit, u shkon rusëve në ambasadë për luftën në Ukrainë

Papa Françesku shkoi të premten në ambasadën ruse në Selinë e Shenjtë për t’ia përcjellë ambasadorit të Moskës shqetësimin e tij për pushtimin rus të Ukrainës, në një largim të paprecedentë nga protokolli diplomatik.

Zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni tha se Papa kaloi rreth 30 minuta në ambasadë, e cila është afër Vatikanit.

“Ai shkoi për të shprehur shqetësimin e tij për luftën”, tha Bruni për Reuters. Bruni nuk komentonti mbi një raport që Papa, 85 vjeç, kishte ofruar ndërmjetësimin e Vatikanit.

Besohet se është hera e parë që një papë shkon në një ambasadë për të biseduar me një ambasador në një kohë konflikti. Të dërguarit e huaj zakonisht thirren nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit ose takohen me Papën në Pallatin Apostolik.

14:10 –Ukrainasit armatosin popullsinë, ish-presidenti del me kallash në duar

Pas vendimit të Parlamentit për të armatosur civilët në Ukrainë, disa kamionë me armë kanë qarkulluar rrugëve të kryeqytetit duke shpërndarë armë. Mes atyre që po shpërndajnë armë është edhe ish-Presidenti Petro Poroshkenko, i cili në një lidhje Live me CNN tregon edhe “arsenalin” që kanë momentalisht aty.

Kemi kallashnikovë, pistoleta, dhe armë të tjera të lehta”, shprehet ai duke marrë në dorë një automatik.

Autoritetet ukrainase raportuan se forcat speciale të Rusisë janë në periferi të qytetit të Kievit tashmë duke synuar marrjen e qendrës dhe godinave qeveritare që do t’i jepte fund luftës dhe do të mundësonte ndryshimin e qeverisë, që gjë ata duan sipas ekspertëve të sigurise amerikane.

Lufta vijon intensive në jug të vendit ku forcat ruse kanë hyrë nga Krimea, në veri-lindje pranë Kharkivit dhe përreth Kievit krahas lindjes.

Situata duket shumë serioze në jug ku rusët kanë infiltruar nga Krimea dhe tani synojnë të marrin qytetet më në veri, por ukrainasit janë duke vepruar në atë mënyrë që t’u shkaktojnë shumë dëme.

12:42 – LIVE/ Ushtria ruse gjen belanë në Ukrainë, taktika partizane që po u shkakton shumë humbje

Forcat speciale të Rusisë janë në periferi të qytetit të Kievit tashmë duke synuar marrjen e qendrës dhe godinave qeveritare që do t’i jepte fund luftës dhe do të mundësonte ndryshimin e qeverisë, që gjë ata duan sipas ekspertëve të sigurise amerikane.

Lufta vijon intensive në jug të vendit ku forcat ruse kanë hyrë nga Krimea, në veri-lindje pranë Kharkivit dhe përreth Kievit krahas lindjes.

Situata duket shumë serioze në jug ku rusët kanë infiltruar nga Krimea dhe tani synojnë të marrin qytetet më në veri, por ukrainasit janë duke vepruar në atë mënyrë që t’u shkaktojnë shumë dëme.

Lexo edhe: LIVE/ Dramë në Kiev, rusët po futen në qytet, ukrainasit fillojnë luftën në rrugë. Plani i Rusisë

Sëfundmi, ushtria ukrainase ka shkatërruar tërësisht një autokolonë të forcave ruse që po futej nga Krimea për në brendësi të vendit.

Ndiqeni LIVE të gjitha zhvillimet e sotme mbi luftën në Ukrainë

Ekspertët e sigurisë e cilësojnë këtë një “taktikë partizane”, sipas të cilët lihet të kalojnë forcat e para dhe shkatërrohen furnizimet dhe mbështetja nga pas duke ia bërë të pamundur mbijetesën të parëve.

12:20Pse Rusia dhe Ukraina po luftojnë për vendin e katastrofës së Çernobilit

Forcat ruse dhe ukrainase luftuan të enjten për kontrollin e Çernobilit, vendi ende radioaktiv i aksidentit më të madh bërthamor në botë dhe një faktor në rënien e Bashkimit Sovjetik.

“Mbrojtësit tanë po japin jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Twitter përpara se termocentrali i zhdukur bërthamor, skena e një zjarri dhe shpërthimi vdekjeprurës në 1986, të kapej nga forcat ruse.

Por pse dikush do të donte një termocentral jofunksional të rrethuar nga milje tokë radioaktive?

Përgjigja është gjeografia: Çernobili ndodhet në rrugën më të shkurtër nga Bjellorusia në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, dhe kështu shkon përgjatë një linje logjike sulmi për forcat ruse që pushtojnë Ukrainën.

12:12 Ukraina i kërkoi ndihmë, Turqia: Nuk mund të ndalojmë hyrjen e anijeve luftarake ruse në Detin e Zi

Turqia nuk mund të ndalojë anijet luftarake ruse të hyjnë në Detin e Zi përmes ngushticave të saj, siç ka kërkuar Ukraina , për shkak të një klauzole në një pakt ndërkombëtar që lejon anijet të kthehen në bazën e tyre vendase, tha ministri i Jashtëm turk.

Ukraina i ka bërë thirrje Turqisë që të bllokojë anijet luftarake ruse që të kalojnë nëpër ngushticat e Dardaneleve dhe Bosforit që të çojnë në Detin e Zi, pasi Moska të enjten nisi një sulm të plotë ndaj Ukrainës nga toka, ajri dhe deti.

Forcat ruse zbarkuan në portet e Detit të Zi dhe Azov të Ukrainës si pjesë e pushtimit.

Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, Turqia ka kontroll mbi ngushticat dhe mund të kufizojë kalimin e anijeve luftarake gjatë kohës së luftës ose nëse kërcënohet, por kërkesa e ka vënë anëtarin e NATO-s në një pozitë të vështirë ndërsa përpiqet të menaxhojë angazhimet e saj perëndimore dhe lidhjet e ngushta me Rusinë .

11:55- Ironia, po futen në Kiev, Lavrov: Gati të negociojmë me Ukrainën

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ka reaguar sëfundmi në lidhje me luftën duke thënë se janë gati të negociojnë me qeverinë ukrainase, por së pari sipas tij ata duhet të dorëzohen sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Më herët Lavrov tha se Moska nuk dëshiron të pushtojë Ukrainën – por më tepër ta “çmilitarizojë” atë.

Moska dha një mesazh të ngjashëm ndaj Ukrainës duke thënë se janë gati të negociojnë me kushtin që Kievi të marrë statusin neutral dhe të çmilitarizohet.

Sekretari i shtypit i Kremlinit, Dmitry Peskov tha dje sipas medias pro qeveritare Russia Today se presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në diskutime me homologun e tij ukrainas, me fokus në marrjen e një garancie sipas të cilës Ukraina do të jetë shtet neutral dhe nuk do të lejojë vendosjen e raketave të NATO-s aty, raporton abcnews.al.

Këto janë terma që, sipas Peskov, do të mundësonin arritjen e çmilitarizimit të Ukrainës dhe do të eliminonin atë që Rusia aktualisht e sheh si një kërcënim për sigurinë e shtetit dhe popullit të saj.

“Presidenti formuloi vizionin e tij për atë që ne do të prisnim nga Ukraina në mënyrë që të zgjidheshin të ashtuquajturat probleme të ‘vijës së kuqe’. Ky është status neutral dhe ky është një refuzim për të vendosur armë”, sqaroi Peskov.

Sekretari i shtypit shtoi se Putini do të përcaktonte kohën e negociatave, por dha garanci se Rusia do të angazhohej vetëm “nëse udhëheqja e Ukrainës është e gatshme të flasë për këtë”.

Madje, zyrtari rus tha se nëse Ukraina pranon kushtet ata do të ndalnin ofensivën e tanishme.

11:53– OKB: Të paktën 25 civilë të vrarë në sulmet ajrore në Ukrainë

Sipas raporteve të zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, të paktën 127 civilë janë lënduar gjatë sulmeve në Ukrainë, me 25 të vrarë dhe 102 të plagosur, për shkak të “granatimeve dhe sulmeve ajrore”, shkruan BBC

Por sipas OKB-së, numri i viktimave pritet të jetë më i lartë se sa është raportuar.

11:30 –Dramë në Kiev, rusët po futen në qytet, ukrainasit fillojnë luftën në rrugë. Plani i Rusisë

Forcat speciale të ushtrisë ruse gjenden aktualisht në rrethinat e Kievit sipas autoriteteve ukrainase, raporton BBC.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se “armiku” ishte në rrethin e Obolon, rreth 9 km (5.5 milje) në veri të parlamentit të Kievit në qendër të qytetit.

Në rrjetet sociale janë duke qarkulluar video të tankeve ruse që lëvizin në këtë zonë. Pamjet janë regjistruar nga banorët prej shtëpive të tyre.

Autoritetet kanë inkurajuar vendasit të bëjnë kokteile molotov për të luftuar ndaj tankeve ruse, ndërsa më herët shpërndanë armë dhe i kërkuan të gjithë meshkujve që të regjistroheshin në ushtri.

Ndiqeni LIVE të gjitha zhvillimet e sotme mbi luftën në Ukrainë

Korrespondentët e BBC në Kiev raportuan më herët se kishin dëgjuar të shtëna armësh të lehta në qytet, megjithatë nuk dihet ende nëse rusët kanë ardhur aq pranë. Aktualisht në Kiev janë duke u dëgjuar shpërthime më të forta.

Plani i rusëve për të kapur Kievin

Dhe një burim në kundërzbulimin ukrainas ka thënë në uebsajtin “Ukrainska Pravda” detaje të planit të Rusisë për të marrë kontrollin e Kievit dhe vendit. Gjithçka është e pakonfirmuar, por sipas asaj që ukrainasit raportojnë, Rusia kërkoj të:

-Kapë një aeroport të madh të Kievit dhe të marrë kontrollin e trafikut ajror për të lejuar 10,000 trupa të zbarkojnë, duke shpërqendruar ushtrinë me sulmet në kufi;

-Të sabotojë energjinë elektrike dhe komunikimet e Kievit për të shkaktuar panik;

-Provokoni një eksod të refugjatëve për të parandaluar lëvizjen e forcave të armatosura ukrainase;

-Të marrë ndërtesat qeveritare duke përfshirë kabinetin dhe parlamentin dhe kapë udhëheqjen shtetërore, duke i detyruar ata të nënshkruajnë një marrëveshje me kushtet e Rusisë;

-Të sjellin një udhëheqës pro ruse në krye dhe ta ndajnë Ukrainën në dy pjesë, në modelin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!