SHKODËR – Ende asnjë të dyshuar nuk ka policia e Shkodrës, lidhur me krimin e rëndë të ndodhur një natë më parë në fshatin Stom Golem të Shkodrës, ku mbeti i vrarë 74-vjeçari, Lulash Qepuri.
Gazetari i ABC, Simon Shkreli raporton se në vendin e ngjarjes janë gjetur tre lloje gëzhojash, pistolete, shot gun-i dhe një arme automatike “Scorpions”. Autori mësohet se ka ardhur në këmbë dhe fillimisht ka qëlluar me pistoletë ndaj Lulash Qepurit, ndërsa pasi pistoleta u bllokuar, autori ka nxjerrë armën automatike duke qëlluar me breshëri ndaj shenjestrës.
Djali i viktimës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe ka reaguar menjëherë duke marrë një armë shot gun dhe ka qëlluar ndaj autorit. Megjithatë autori që i vrau të atin, mundi të largohej.
Sa i takon të kaluarës së Lulash Qepurit, gazetarja thotë se në vitin 2011 ai ka qenë i arrestuar nga policia e Shkodrës për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake. Ndërkohë që në vitin 2018 po në të njëjtin lokal, klientët u kapën teksa konsumonin lëndë narkotike. Megjithatë momentalisht, mbetet e paqartë nëse vrasja lidhet me të shkuarën e viktimës apo bëhet fjalë për një konflikt banal.
I biri i viktimës, i cili ndodhet i shoqëruar në polici, në dëshminë e tij mësohet të jetë shprehur se autori ka hapur zjarr në momentin që ka zbritur nga makina. Ai nuk ka mundur ta dallojë për shkak se ka qenë i maskuar, ndërsa ka mohuar që familja e tij të ketë konflikte me njeri.
“Ndodheshim në lokalin tonë në Stom Golem bashkë me babain. Një person i maskuar në fytyrë u afrua dhe qëlloi me pistoletë në drejtim të babait duke e lënë të plagosur rëndë. Në atë moment u mundova që me shumë shpejtësi të futem brenda për të marrë armën e gjuetisë që e kemi me leje për t’u vetëmbrojtur, por kur dola unë autori ishte larguar. Ka ardhur nga ura e Bardhajve në drejtimin tonë, i vetëm në këmbë dhe po ashtu është larguar në atë drejtim duke vrapuar. Qëllova me shotgan por kishte ikur me shpejtësi. Në atë moment telefonave ambulancën për ndihmën e shpejtë dhe policinë duke i thënë se më kanë vrarë babën. Nuk e di se kush mund të jetë autori”, mësohet të ketë deklaruar djali i 74-vjeçarit.
/abcnews.al/