“Luftë krimit të organizuar”, Balla: Shqipëria dhe Britania e Madhe forcojnë bashkëpunimin

schedule15:26 - 29 Nëntor, 2023

schedule 15:26 - 29 Nëntor, 2023

Shqipëria dhe Britania e Madhe do të forcojnë bashkëpunimin mes tyre për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Në mbyllje të takimeve zyrtare në Britaninë e Madhe, Ministri i Brendshëm Taulant Balla u takua me homologun britanik James Cleverly, ku edhe nënshkruan në Londër dy dokumente për thellimin e këtij bashkëpunimi. Ministri Balla tha se Shqipëria është vlerësuar për kontributin e saj në luftën kundër krimit.

“Do ta ngremë në një nivel tjetër bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme me Britaninë e Madhe, të luftës kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj tjetër kriminaliteti, ky është qëlimi që do të vijojmë të ndajmë mes dy policive tona, informacione për luftën kundër krimit. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të konsiderohet si një vend i rëndësishëm partner.”

 Balla deklaroi për mediat pas takimit se komuniteti shqiptar që jeton në Ishull, është dhe do të mbetet një urë e fortë ndërlidhëse mes dy popujve.

“Ne jemi shumë të qartë dhe nuk tolerojmë asnjë deklaratë denigruese ndaj komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, ndërkohë që do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në aktivitete kriminale”

Dy ministrat Balla dhe Cleverly  theksuan se do të bashkëpunojnë në çështjet e Brendshme si dhe mbi asistencën e Britanisë së Madhe në fushën e shkencës ligjore, apo edhe lehtësimit të procedurave për pajisje me viza në rastet e bashkimit familjar, turizmit dhe punësimit sezonal./abcnews.al