“Luftë civile, Lul Bashën e bleu Rama”: Mustafa Nano flet për nervozizmin e opozitarëve

schedule21:39 - 5 Qershor, 2020

schedule 21:39 - 5 Qershor, 2020

Në monologun e tij këtë të premte në “Provokacija” Mustafa Nano është ndalur tek opozita. Nano ka komentuar atë që ai e quan “nervoziziëm në kampin opozitar”.

Sipas moderatorit ky nervoizizëm lidhet me disa ngjarje si ajo e Astirit apo e Teatrit Kombëtar. “Ky nervozizëm u merr mendjen ca opozitarëve, dhe i bën të këpusin broçkulla njëra pas tjetrës. Fjala vjen, disa flasin për përplasje, për luftë civile”, shprehet Nano.

Moderatori më tej ndalet edhe në atë që qarkullon vazhdimisht për “blerjen e Lulzim Bashës nga Edi Rama”. Sipas tij për shkak të nervozizmit opozitarët flasin për zgjedhjet e ardhshme që Edi Rama do t’i manipulojë.

Lidhur me këtë Nano nuk heziton të japë një mesazh:  “Hej, të dashur opozitarë, merrini shtruar zgjedhjet e ardhshme”.

Monologu nga Mustafa Nano:

Ka shumë nervozizëm në kampin opozitar. Dhe ky nervozizëm lidhet me ngjarje e lëvizje të gabuara që kanë bërë në të shkuarën, siç janë betejat e humbura me çadrën, me Astirin, me Teatrin Kombëtar, me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Por lidhet mbi të gjitha me mungesën e besimit se mund t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Dhe në këto rrethana janë të destinuar të bëjnë gabime të tjera. Kanë shumë uri për pushtet, dhe kanë kaq pak shanse për ta marrë atë. Kjo është drama e madhe e tyre. Do duhej një mendje e ftohtë t’i ftillonte, t’u thoshte se zgjedhjet edhe mund të fitohen apo se edhe nëse nuk fitohen, nuk është fundi i botës. Por një mendje e ftohtë në opozitë në këtë moment mungon.

Dhe ky nervozizëm u merr mendjen ca opozitarëve, dhe i bën të këpusin broçkulla njëra pas tjetrës. Fjala vjen, disa flasin për përplasje, për luftë civile. Kur e kam dëgjuar për herë të parë të hidhet kjo ide, e kam marrë për një shpërthim emocional të personit që e tha, por më pas teza filloi të gjente mbështetje, dhe u bë si një mantra: “luftë civile, luftë civile, luftë civile”.

Nuk është se e thonë të gjithë opozitarët këtë gjë. Janë vetëm pak ata që e thonë. Dhe vijojnë ta thonë sikur të jetë fjala për ngjarjen më të madhe e më të bukur që mund të presin shqiptarët. Luftë civile nuk ka për të patur kurrë, se shqiptarët nuk hidhen në luftë civile, por unë do doja të kishte në mënyrë që të kisha mundësi t’i takoja në fund të luftës këta teveqelë, e t’u thoja: Po mirë, ja ku jemi, lufta mbaroi. Kush humbi? Edi Rama? Jo, humbët ju, humbëm ne, humbën të gjithë.

Nervozizmi i bën të vënë në diskutim integritetin moral të liderit të tyre. I bën të flasin për blerjen e Lulzim Bashës. Pas çdo beteje që ky i fundit humbet, ata e kanë shpjegimin: Më duket se e bleu prapë Edi Rama.

Edhe pas shembjes së ndërtesës së teatrit, kam dëgjuar të pëshpëritet e njëjta narrativë: “Monika i tha Lulit ik, sepse kështu ishte plani mes Edi Ramës e opozitës, Monika i tha ik, se jam unë këtu, Monika dëboi edhe disa aktorë që ishin garanci për mbrojtjen fizike të teatrit, dhe pas kësaj, menjëherë, u shfaqën forcat e policisë. E gjitha ishte një lojë mes opozitës e Edi Ramës.

Lul Basha e shiti edhe njëherë kauzën e opozitës. Kushedi se çfarë ka përfituar! Kushedi se ç’tender ka marrë! Jo, kjo është paranoja e ca opozitarëve. Unë jam i sigurt se edhe tani që Lulzim Basha nuk po merr çfarë u ka premtuar të vetëve në negociatat për zgjedhjet (qeveri kujdestare, zgjedhje lokale të njëkohshme me ato parlamentaret, etj), edhe tani pra ka opozitarë që mendojnë se Bashën e kanë blerë. Ta heqin petllën!

Nervozizmi i bën të flasin për zgjedhjet e ardhshme që Edi Rama do t’i manipulojë. E kanë të sigurt që tani këtë gjë. Dhe manipulimin e quajnë diçka që nuk mund të parandalohet. Manipulimi do të ndodhë, si të jetë dita e gjykimit të fundit, dita e apokalipsit. Manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme e quajnë ngjarje me propabilitet një. Çfarëdo masash që të merren, mendojnë, Edi Rama do t’i vjedhë se s’bën zgjedhjet. Çfarë paranoje!

Nervozizmi i bën të flasin për ambasadorë të korruptuar. Ambasadorët vijnë e ikin, zëvendësojnë njëri-tjetrin, por ata janë njësoj të korruptuar. I korrupton Edi Rama. Kur i dëgjoj që e thonë këtë gjë pa u lodhur, e dini se çfarë mendoj?

Mendoj që të kisha mundësi t’i mblidhja të gjithë në një sallë dhe t’u bëja një lutje: Ju lutem shumë, thuajini të gjitha marrëzitë e mundshme, por jo këtë, pasi kjo është një marrëzi që nuk përfshihet në manualin e marrëzive. Mos e thoni më, se na fëlliqët si komb e si shoqëri.

Nervozizmi i bën ta paraqesin betejën mes demokratëve e socialistëve si një betejë mes engjëjsh e djajsh. Atyre u duket shumë e çuditshme, dhe e pa besueshme që dikush, midis Bashës e Ramës, të zgjedhë Ramën, dhe nuk u shkon mendja që të votosh për Bashën është po aq e pabesueshme, në mos më e pabesueshme. Nuk janë budallenj ata shqiptarë që zgjedhin Ramën para Bashës, as ata shqiptarë që zgjedhin Bashën para Ramës. Budallenj janë ata që flasin për betejën e madhe me rëndësi biblike midis engjëjve e djajve.

Më vjen, t’u them” “Hej, të dashur opozitarë, merrini shtruar zgjedhjet e ardhshme. Merrini me qetësi. Një palë zgjedhje janë një palë zgjedhje. Nuk janë as fillimi, as fundi i botës.

/abcnews.al