Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një paketë të re tarifash ndaj produkteve kineze. Në kuadër të planit të hartuar nga presidenti Donald Trump, këtë herë do të preken veshjet dhe ushqimet kineze.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja mbi mallra kineze me vlerë 112 miliardë dollarë, duke prekur këtë herë këpucë, pelena për fëmijë dhe ushqime. Tarifat e reja përbëjnë një përshkallëzim të theksuar të luftës tregtare dhe mund të kushtojnë konsumatorëve 800 dollarë në vit.
Lëvizja është gjithashtu faza e parë e planit më të fundit të presidentit Donald Trump për të vendosur 15 për qind tarifa mbi 300 miliardë dollarë mallra kineze brenda këtij viti.
Si kundërpërgjigje, Pekini vendosi tarifa mbi naftën amerikane, duke bërë që për herë të parë të taksohen karburantet. Nëse implementohet tërësisht, programi i zotit Trump do të thotë se thuajse të gjitha importet kineze, me vlerë 550 miliardë dollarë, do të jenë subjekt i tarifave ndëshkuese.
Ajo që fillimisht ishte një përplasje për praktikat e padrejta tregtare të Kinës është kthyer tashmë në një luftë gjeopolitike për pushtet.
Deri më sot, Uashingtoni ka vendosur tarifa për mallra kineze me vlerë 250 miliardë për t’i bërë presion Pekinit që të ndryshojë politikat e tij mbi pronën intelektuale, subvencionet industriale dhe aksesin në treg.
Nga ana e tij, Pekini ka mohuar vazhdimisht praktikat tregtare të padrejta dhe është hakmarrë duke vendosur tarifa për produktet amerikane me vlerë 110 miliardë dollarë./ABC News Albania 24/7