Lufta tregtare, bisedimet SHBA-Kinë rinisin në Tetor

schedule23:10 - 5 Shtator, 2019

schedule 23:10 - 5 Shtator, 2019

Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të rinisin më 1 Tetor bisedimet për tejkalimin e luftës tregtare ku janë përfshirë. Bisedimet do të jenë të nivelit të lartë, por sipas agjencisë “Reuters”, palët janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të enjten për të mbajtur bisedime të nivelit të lartë në fillim të tetorit në Uashington, për të zgjidhur kontestin tregtar mes tyre.

Rënia dakord në parim ka gëzuar investitorët, të cilët shpresojnë që lufta tregtare të marrë fund, në një kohë kur Amerika ka vendosur tarifa të reja mbi mallrat kineze të konsumit.

Pëlqimi për bisedimet e reja u dha gjatë një bisede telefonike mes zëvendës kryeministrit kinez Liu He dhe sekretarit amerikan të Thesarit, Stiven Mnushin. Ata do të takohen personalisht në kuadër të bisedimeve të nivelit të lartë, të cilat janë ndërprerë që prej fundit të korrikut, kur dështimi i një takimi detyroi presidentin Trump të vijonte me vendosjen e tarifave të reja.

Por mes palëve nuk ka asnjë garanci se raundi i parë i këtyre tarifave do të shfuqizohet falë bisedimeve, ose do të ndalojë rritjen e tarifave nga 15 deri në 25 për qind për 250 miliardë dollarë mallra kineze. Shtetet e Bashkuara dhe Kina mbeten thellësisht të ndara sa i takon thelbit të një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës tregtare që zgjat prej 14 muajsh.

Në Maj, Uashingtoni akuzoi Pekinin se nuk kishte zbatuar angazhimet e marra përsipër dhe se kishte ndryshuar ligjet dhe praktikat sa i takon mbrojtjes së pronës intelektuale, rritjen e aksesit të produkteve amerikane në tregun kinez dhe hyrjen e teknologjisë amerikane tek kompanitë kineze./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!