Lufta për pushtet pas largimit të Putinit

schedule08:29 - 1 Maj, 2022

schedule 08:29 - 1 Maj, 2022

Nga Brian D. Taylor, Foreign Affairs

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Gjatë një fjalimi në mars, presidenti amerikan Joe Biden doli nga skenari dhe tha: “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet!”, duke iu referuar Vladimir Putinit.

Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë u përpoqën që të distancoheshin nga komenti i presidentit, duke theksuar se synimi i SHBA-së në Rusi nuk është ndryshimi i regjimit. Megjithatë, me qëllim apo jo, komenti i Biden përforcoi bindjen e disave zyrtarëve në Uashington se mënyra më e thjeshtë për t’i dhënë fund luftës së Putinit në Ukrainë, është t’i jepet fund qëndrimit të  tij në pushtet.

Siç tha senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham “mënyra e vetme që të përfundojë kjo luftë, është që dikush në Rusi ta heqë qafe Putinin”. Për momentin nuk ka asnjë arsye të mendohet se Putin përballet me një rrezik emergjent të vrasjes.

As ndonjë grusht shteti apo një revolucion popullor nuk duket se do të ndodhë së shpejti. Por Putin mbush në vjeshtë 70-vjeç, dhe ndoshta nuk është shumë mirë fizikisht. Gazetarët investigativë rusë, pretendojnë se ai mund të ketë pasur kancer në tiroide, raporton abcnews.al.

Pavarësisht nëse vdes gjatë kohës që është në pushtet, shkarkohet apo heq dorë me dëshirë nga pushteti, sundimi i Putinit mbi Rusinë do të përfundojë në një mënyrë apo në një tjetër.

Dhe fundi i pashmangshëm i sundimit të tij do të jetë një moment i madh pasigurie dhe i rrezikshëm për Rusinë. Gjatë dy dekadave të fundit, Putin e ka mbajtur pushtetin duke dobësuar rregullat dhe institucionet formale të vendi. Pra duke zhdukur mekanizmat që do të siguronin një transferim të rregullt të pushtetit.

Ndonëse kushtetuta e Rusisë parashikon një proces për zgjedhjen e një lideri të ri, në praktikë presidenti i ardhshëm i këtij vendi ka të ngjarë të përcaktohet nga një luftë e fortë midis elitave.

Duke ndërtuar një autokraci shumë të personalizuar, Putin e ka bërë të pamundur parashikimin e asaj që do të ndodhë kur të ndodhë e pashmangshmja. Nga pikëpamja ligjore, është e qartë se çfarë duhet të ndodhë nëse Putin do të largohej papritur nga posti që mban.

Sipas kushtetutës ruse, nëse presidenti “është i paaftë për të përmbushur detyrat e tij”, kryeministri bëhet president në detyrë për jo më shumë se 3 muaj dhe gjatë kësaj kohe do të zhvillohen zgjedhjet e reja. Megjithëse Rusia nuk është një demokraci, zgjedhjet atje kanë ende një peshë procedurale formale.

Vendi ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 1993. Këto procese janë bërë gjithnjë e më false nën udhëheqjen e Putinit.

Por rregullat elektorale përcaktojnë ende çështje të tilla si koha, procedurat dhe kohëzgjatja e mandatit. Por ato nuk përcaktojnë se kush garon për një post publik, apo kush do të marrë mbështetjen e Kremlinit. Këto gjëra përcaktohen në prapaskenë nga Putin dhe një grup i vogël i elitës. Gjatë 20 viteve të fundit, Putin i ka gjunjëzuar institucionet formale të vendit, dhe e ka vendosur veten në qendër të gjithçkaje.

Ai e rishkroi dy herë kushtetutën. Herën e parë për të zgjatur kohëzgjatjen e mandateve presidenciale, dhe të dytën për të “anuluar” shërbimin e tij të mëparshëm në mënyrë që të ketë mundësi të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2036. Po ashtu ai ka reduktuar kompetencat e 2 dhomave të parlamentit rus dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka përndjekur, arrestuar, burgosur apo vrarë çdo kandidat të opozitës që mund ta sfidonte atë.

Për këtë arsye, në rast se Putin vdes apo largohet papritur nga posti që mban, aleancat midis elitave do të jenë të paktën po aq të rëndësishme sa edhe rregullat formale për të përcaktuar se kush do ta zëvëndësojë atë.

Skenari më i mundshëm është që kryeministri Mikhail Mishustin të jetë presidenti i ardhshëm. Dhomës së lartë të arlamentit rus do ti duhen 2 javë kohë për të caktuar datën e zgjedhjeve presidenciale. Gjatë asaj kohe, do të zhvillohej një betejë e ashpër në prapaskenë për të përcaktuar një kandidat konsensual midis lojtarëve kryesorë që përbëjnë ekipin e Putin.

Tek e fundit i gjithë qëllimi i autoritarizmit elektoral, është njohja paraprake e fituesit.

Si president – edhe pse në detyrë,  Mishustin do të kishte një avantazh të madh në këtë luftë për pushtet. Ai është një nga të paktët politikanë të nivelit të dytë pas Putinit për sa i përket besimit të publikut.

Ai ka pasur vlerësime të larta në sondazhe. Në një farë mënyre, ai do të synonte të ndiqte të njëjtën rrugë që ndoqi Putin dikur. Natën e Vitit të Ri 1999, Putin mori postin e presidentit në detyrë kur Boris Yeltsin dha papritur dorëheqjen. Tre muaj më vonë, Putin u zgjodh zyrtarisht president, pasi pretendentët e tjerë të spikatur u mënjanuan dhe shumica e elitës u bashkua rreth kandidaturës së tij.

Mishustin është një rishtar në kupolën e politikës ruse. I emëruar kryeministër nga Putin në janarin e vitit 2020, ai ka qenë më herët kreu i Shërbimit Federal të Taksave. Ai u vendos në atë post për të mbikëqyrur çështjet ekonomike dhe për të përmirësuar efikasitetin e qeverisë, por ai ka krijuar lidhje me persona të tjerë të brendshëm, duke e rritur kështu peshën e tij politike.

Mungesa e karizmës politike mund të shihet si një aset nga besnikët e tjerë të Putinit, që shpresojnë ta kontrollojnë atë si president, ashtu siç mungesa e përvojës e bëri fillimisht Putinin të dashur për disa oligarkë dhe zyrtarë, që menduan gabimisht se mund ta kontrollonin atë në prapaskenë.

Por nëse Mishustin e pason Putinin në detyrë, nuk ka asnjë garanci se ai do të jetë në gjendje të mbajë së bashku koalicionin e përçarë të njerëzve brenda Kremlinit. Në dallim nga shumica e miqve më të afërt të Putinit, ai nuk është as veteran i KGB-së dhe as nga Shën Petersburgu.

Anëtarët e të dyja kampeve në elitën ruse, mund të kenë frikë se ai do të synojë të dobësojë fuqinë dhe pasurinë e tyre, ashtu siç bëri Putin me disa bashkëpunëtorë të shquar të Yeltsin pasi mori pushtetin.

Pra Mishustin mund të përpiqet të konsolidojë autoritetin e tij, duke lënë të hapur mundësinë e sfidave elektorale apo edhe jashtëligjore, asnjëra prej të cilave nuk do të ishte shenjë e mirë për stabilitetin e Rusisë.

Ndërkohë pretendentët e tjerë të mundshëm për këtë post përfshijnë Sergei Shoigu (Ministri rus i Mbrojtjes), Dmitry Medvedev (ish-president dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit), Vyacheslav Volodin (kryetar i Dumës, parlamentit rus), dhe Sergei Sobyanin (kryetari i bashkisë së Moskës).

Por duke pasur parasysh përplasjes në mesin e elitës ruse dhe nivelet e ulëta të mbështetjes publike që gëzojnë shumica e këtyre figurave, është e vështirë të imagjinohet që ndonjë prej tyre të mënjanojë Mishustin për t’u bërë kandidati më konsensual.

Por një nga skenarët që mund të zvogëlojë pasigurinë, është nëse Putini do të largohej për shembull për arsye shëndetësore dhe do të caktonte një pasardhës.

Kjo do t’i jepte mundësi Putinit të unifikonte grupet rivale elitare, dhe në këtë mënyrë të rriste shanset për një vazhdimësi të rregullt. Por nëse Putin do të zgjidhte këtë rrugë, ka pak gjasa që ai të preferojë Mishustin, i cili kur u emërua kryeministër u cilësua gjerësisht si një teknokrat.

Një burim tjetër i jetëgjatësisë së regjimit është tendenca e besnikëve të regjimit për marrë pushtetin pas vdekjes së një lideri për të ruajtur fuqinë dhe përfitimet e tyre.

Anëtarët e rrethit të brendshëm të Putinit do të bëjnë pikërisht këtë gjë pasi ai të largohet, por pa një pasardhës të dukshëm për t’u bashkuar, ata mund të jenë veçanërisht të prirur t’i nënshtrohen fraksionizmit.

Luftimet e brendshme të këtij lloji kanë dominuar epokat e mëparshme të historisë ruse. Pasi Vladimir Lenini vdiq në vitin 1924, Jozef Stalinit iu deshën vite për të konsoliduar pozitën e tij si lider i padiskutueshëm.

Një luftë e ngjashme për pushtet u zhvillua pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, kur Nikita Hrushovit iu desh të thërriste anëtarët e ushtrisë për të arrestuar rivalin e tij, Lavrenty Beria, i cili kontrollonte policinë sekrete dhe shërbimet e sigurisë së Kremlinit.

Jo të gjitha format e autoritarizmit janë të qëndrueshme.

56 përqind, sipas Kendall-Taylor dhe Frantz, përjetojnë ndryshimin e regjimit brenda pesë viteve nga vdekja e një sundimtari. Edhe nëse regjimi i Putinit përfundimisht mbijeton i paprekur, Rusia mund të përballet me një periudhë kaotike dhe madje të dhunshme tranzicioni.

Historia e kohëve të fundit ruse ofron disa të dhëna se si mund të duket nëse gjërat dalin jashtë funksionit. Në vitin 1993, një luftë për pushtet midis Jelcinit dhe parlamentit të mbetur sovjetik solli dy javë “pushtet të dyfishtë” në Rusi që përfundoi me tanke që qëllonin në drejtim të parlamentit.

Në vitin 1999, kalimi nga Jelcini te Putini përkoi me rifillimin e luftës në rajonin separatist të Çeçenisë dhe një seri bombardimesh misterioze në komplekset e apartamenteve në Moskë që shkaktuan qindra viktima.

Kur Putinit iu desh të largohej përkohësisht nga presidenca në vitin 2008 për shkak të kufizimeve të mandatit, fraksionet rivale orkestruan arrestimin e figurave kyçe. Me pak fjalë, tranzicioni i lidershipit në Rusi ka potencialin të jetë shumë i çrregullt.

Shumica e autokracive janë çuditërisht të qëndrueshme. Edhe pasi udhëheqësit autoritarë vdesin në detyrë, regjimet e tyre mbijetojnë shpesh për vite apo edhe dekada.

Por tranzicioni i lidershipit në Rusi ka potencialin të jetë shumë kaotik. Dhe në rastin e një superfuqie bërthamore që aktualisht po zhvillon një luftë brutale kundër vendit të dytë më të madh në Europë, edhe një mundësi modeste e kolapsit të regjimit është shkak për një shqetësim global.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!