Lufta në Ukrainë, Letonia: Nëse agresioni rus nuk ndalet tani, do të paguajmë një çmim të lartë

schedule08:24 - 3 Shkurt, 2024

schedule 08:24 - 3 Shkurt, 2024

Kryetarja e parlamentit të Letonisë, Daiga Mierina thotë se duhet fitore për Ukrainën nëse dëshirojmë arritjen e paqes. Në një intervistë për Eka Maghaldadzen, e Shërbimit Gjeorgjian të Zërit të Amerikës, zonja Mierina tha se agresioni i Rusisë nuk do të ndalet vetiu dhe paralajmëron se ndërkohë Rusia po shtrin rrjetet e saj të ndikimit në mbarë botën duke përhapur paqëndrueshmëri dhe duke sulmuar demokracinë.

Zëri i Amerikës: Zonja kryetare e parlamentit, faleminderit për kohën tuaj dhe që erdhët në Zërin e Amerikës. Gjendeni këtu në Uashington së bashku me homologët tuaj nga vendet e Balltikut, për takime me kolegët amerikanë. Cilat janë temat më kryesore në axhendën tuaj? Çfarë po diskutojnë udhëheqësit e vendeve balltike me ligjvënësit amerikanë dhe çfarë donit të dëgjonit prej tyre?

Daiga Mierina: Përshëndetje. Në emër të Letonisë, në emër të vendit tonë dhe popullit tonë, do të donim të falenderonim shumë popullin amerikan për përpjekjet tuaja për të ruajtur paqen në botë. Jemi shumë mirënjohës për këtë pasi është shumë e rëndësishme për botën tonë. Dhe kemi ardhur këtu në Uashington D.C. për të diskutuar për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.

Natyrisht, ndihma për Ukrainën është në krye të axhendave në mbarë botën në këto momente. Por, nëse dëshirojmë të arrijmë paqen, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi. Dhe përtej kësaj, duhet të mbështesim Ukrainën dhe në veçanti t’i japim mbështetje ushtarake, pasi duhet të kuptojmë se për çdo ditë që vonojmë marrjen e vendimeve të rëndësishme, njerëz vdesin në fushëbetejë.

Ishte shumë e rëndësishme për ne që të përcillnim eksperiencën tonë personale dhe të ndanim mësimet historike që kemi nxjerrë. Dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që t’ja japim këtë mesazh botës dhe Amerikës, se agresioni rus nuk do të ndalet vetiu, nuk do të marrë fund vetë. Dhe nëse nuk e ndalim tani, atëherë do të duhet të paguajmë një çmim edhe më të lartë.

Dëgjojmë këto ditë se Rusia krahasohet me një kancer, por ne mendojmë se është edhe më keq sepse tentakulat e Rusisë po përhapen në mbarë botën dhe arrijnë në shumë vende në mbarë globin. Shtetasit rusë gjenden kudo dhe po përhapin kaos. Po përhapin paqëndrueshmëri dhe po përpiqen të sulmojnë demokracitë.

Dhe gjatë këtyre ditëve ne sigurisht që diskutojmë për hapa shumë praktikë, veprime që mund të ndërmarrim. I diskutuam këto gjëra me senatorët, me ligjvënësit dhe gjithashtu edhe me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve. Këto hapa përfshijnë sanksione të mundshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe konfiskimin e pasurive të Rusisë, për t’i përdorur ato për rindërtimin e Ukrainës.

Zëri i Amerikës: Ka të dhëna se kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Johnson ju tha se ekziston mundësia që ndihma për Ukrainën dhe çështja e politikës për kufirin do të veçohen, si një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithëse ai thotë se nuk ka ende asgjë të sigurtë. Çfarë mund të na thoni; çfarë ju tha kryetari Johnson për këtë? Çfarë u mësua nga takimi me të?

Daiga Mierina: Vërtet që e diskutuam këtë temë, por është e rëndësishme të kuptojmë se çdo vend ka gjithashtu çështjet e politikave të tij të brendshme që janë sigurisht shumë të rëndësishme dhe shumë lart në axhendën e secilit vend. Po, dëgjuam se ka mundësi për zgjidhje të ndryshme, por nuk diskutuam strategji konkrete se çfarë mund të ishin këto zgjidhje. Dhe për mendimin tim, është detyra e politikanëve tuaj të gjejnë mënyrën më të mirë për të ardhmen e vendit.

Folëm me senatorë, ligjvënës dhe dëgjuam pikëpamje të ndryshme për mundësitë për të vepruar në të ardhmen. Por, dëgjuam se pavarësisht nga këto këndvështrime të ndryshme, pati mirëkuptim të përbashkët unanim se duhet ta ndalim luftën sa më shpejt dhe se duhet ta bëjmë këtë kolektivisht.

Kryetari Johnson nënvizoi se e vlerëson shumë që vendet balltike kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen. Kryetari Johnson tha se jemi vërtet një shembull i shkëlqyer për të gjitha vendet e tjera evropiane dhe se ndoshta po japim shembullin duke udhëhequr në këtë drejtim. Të shpresojmë se edhe vende të tjera do ta ndjekin shembullin tonë. Ai falenderoi shumë për këtë.

Do të doja të përmendja se vendet balltike synojnë ta vazhdojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të arritur në 3% të prodhimit të brendshëm bruto. Për shembull, në Letoni synojmë të arrijmë në 3% të PBB-së deri në vitin 2027.

Gjithashtu, mbështetja jonë për Ukrainën ka qenë shumë më e madhe, në disa vende balltike më shumë, në disa më pak. Por, mbështetja për Ukrainën është në përgjithësi mbi 1% e PBB-së sonë.

Zëri i Amerikës: Vendet balltike kanë paralajmëruar prej dekadash për mundësinë e agresionit rus. Dhe ju përmendët se u thatë ligjvënësve amerikanë se agresioni i Rusisë nuk do të ndalet vetë. Ndërsa shumë flasin për dhënien fund të luftës, udhëheqësit balltikë nuk ndruhen të flasin për dhënien fund të luftës me një fitore të Ukrainës. Jeni shprehur edhe gjatë debatit vjetor për politikat se “fitorja e Ukrainës është një ndër përparësitë e politikës së jashtme të Letonisë”. Përse është kjo e vërtetë për vendin tuaj? Çfarë do të thotë fitorja e Ukrainës, apo mundja e saj në këtë luftë, për vendin tuaj dhe për vendet balltike?

Daiga Mierina: Po, vërtet. Për shumë vite kemi paralajmëruar tashmë vendet evropiane dhe vende të tjera të botës se Rusia përfaqëson një rrezik agresioni. Dhe në histori kemi parë tashmë shenja të qarta të kësaj mundësie. Le t’i hedhim një vështrim pas historisë. Putini gjithnjë ka përdorur forcën për të arritur objektivat e tij. Pamë luftën e tij në Çeçeni. Pamë më vonë sulmin e tij ndaj Gjeorgjisë, në Krime dhe pas secilit sulm popullariteti i tij u rrit. Dhe Putini ndjeu se mund të arrijë çfarë dëshiron nëpërmjet forcës. Kjo krijoi një lloj ndjesie pandëshkueshmërie për Putinin dhe për Rusinë në tërësi. Rusia pati ndjesinë se mund të diktonte vërtet rendin botëror, por neve na duhet llogaridhënie për veprat e Rusisë.

Të treja vendet balltike kanë përjetuar sulmin, gjenocidin, deportimet, rusifikimin. I mbajmë mend të gjitha këto shumë mirë dhe vazhdojmë t’ia kujtojmë botës veprat dhe rrezikshmërinë e Rusisë. Nëse nuk e ndalim Rusinë, ajo do të vazhdojë të përsërisë të njëjtat gjëra dhe jo vetëm në Balltik, por edhe në vende të tjera.

Prandaj do të doja të deklaroj se lufta në Ukrainë është lufta për paqen në botë.

Zëri i Amerikës: Jeni tashmë një vend i NATO-s prej 20 vitesh. Me praninë e forcave të NATO-s në Balltik, a jeni të shqetësuar se mund të bëheni objektivi i radhës? Gjatë 6 muajve të ardhshëm, NATO do të bëjë stërvitjen më të madhe që nga Lufta e Ftohtë. Vendet balltike janë ndër vendet kryesore ku do të mbahen manovrat. Çfarë i nevojitet vendit tuaj pikërisht tani për sa i përket sigurisë? Si mund të forcohet?

Daiga Mierina: Po, vërtet vendi ynë ka qenë në NATO për 20 vjet dhe kjo ka rritur padyshim ndjesinë tonë të sigurisë. Ka krijuar një mjedis më të sigurtë në vendet tona. Kemi mbrojtjen kolektive dhe kemi vërtet një ndjesi më të madhe sigurie në vendin tonë.

Është e rëndësishme për tre vendet balltike që të mos ndihemi të vetëm. Nëse pësojmë një sulm, nëse do të na duhet të përballemi me agresionin, mund të mbështetemi tek aleatët për të na ndihmuar. Por në të njëjtën kohë, nuk duhet të rrimë kot, duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Kemi krijuar strategji të reja mbrojtjeje dhe kemi bërë shumë për të forcuar sigurinë tonë. Shpresojmë vërtet që edhe Suedia do t’i bashkohet NATO-s dhe se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s në të ardhmen