Presidenti rus Vladimir Putin i tha kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, se dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar se ai e kupton se India ka shqetësime për luftën.
“Unë e di për pozicionin tuaj për konfliktin në Ukrainë dhe shqetësimet tuaja. Ne duam që e gjithë kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, “i tha presidenti rus Narendra Modi gjatë një takimi në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Uzbekistan.
Vladimir Putin shprehu keqardhje që pala kundërshtare, udhëheqja e Ukrainës, ka refuzuar bisedimet e paqes dhe se Kievi dëshiron të arrijë qëllimet e veta me mjete ushtarake.
Ndërkohë kryeministri indian Narendra Modi i tha Putinit se tani nuk është koha për luftë, pasi siguria e ushqimit dhe karburantit janë ndër shqetësimet më të mëdha në botë për momentin.
“Unë e di se sot nuk është një kohë për luftë dhe kam folur me ju në telefon për këtë,” i tha Modi Putinit në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan, duke shtuar se demokracia, diplomacia dhe dialogu e mbajnë botën të bashkuar.
Putin, i cili u takua dje me presidentin kinez Xi Jinping, pranoi se Pekini kishte shprehur shqetësimet e tij për luftën.
Modi dhe Putin u takuan sot në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).
Anëtarët e përhershëm të SCO-së, përveç Indisë, përfshijnë Kinën, Rusinë, Pakistanin, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin./Abcnews.al/