Ndoshta nuk ka njeri që nuk e ka menduar dhe imagjuar sesi ndjehet një pacient që ka qenë I infektuar me kovid 19, dhe pas analizave të përsëritura, merr lajmin e madh, se tashmë është negativ, se e ka fituar betejën me virusin famëkeq.
Eltjona nga Gostivari dhe Muhameti nga Gjakova, dy të shëruar nga kovid 19, tregojnë si e kanë përjetuar sëmundjen dhe mbi të gjitha shërimin dhe momentin e lumtur, kur mjekët u kanë thënë se tashmë janë negativë nga kovid 19.
“Kemi pritur gjithë ditën si në ethe. Nuk ecte ora hic. Tërë kohën prisnim kur do vijë ora të na lajmërojnë. Nga ora 8.30, 9, doctor Valboni më ka dhënë lajmin më të gëzueshëm, ka thënë ti dhe Xhevahirja jeni negativë…në jetën time, nuk kam pasur lajm më të gëzueshëm,” thotë Muhameti.
Etjola nuk di si ta shprehë me fjalë mirënjohjen për doctor Enesin që e trajtoi gjatë gjithë kohës dhe i ndenji pranë.
“Doktor Enesi më ndoqi deri në analizën e fundit…kur dola negative herën e parë, ai hoqi edhe maskën. Thashë, ua shyqyr që ta pashë fytyrën doctor Enesi se nuk na linin maskat për të parë njëri-tjetrin. Në atë moment që dola negative, ka ardhur më ka përqafuar. Është dicka që nuk do t’ia harroj asnjëherë,” thotë Etjola.
Mjekët janë bashkë me pacientët në këtë luftë të madhe. Ndjejnë bashkë me ta dhe lumturohen bashkë me ta kur shërohen, ashtu sic kanë ditët më të vështira në jetët e tyre, kur pacientët humbin jetën. Dr. Valbon Krasniqin, në Prishtinë, kolegët e ngarkuan të jepte për mediat lajmin e vdekjes së një gruaje shtatzënë nga kovidi.
“Duke shkuar drejt mediave, mendoja si do të zgjidhja fjalët, me cfarë fjalësh do të kumtoja këtë informatë dhe cfarë fjalësh do të thoja që të qetësoja opinion e gjerë. Në Kosovë kemi rreth 25 mijë lindje brenda vitit dhe në ato momente, më shkoi mendja tek secila grua shtatzënë që në atë moment, mund të dëgjojë dhe të ketë frikë për vete,” thotë doktor Valboni.
Në Gostivar, doctor Enesi është i lumtur që u shërben bashkëqytetarëve të tij dhe që një pjesë e madhe e të infektuarve janë shëruar tashmë.
“Jam mjeku i parë infektolog shqiptar në qytetin e Gostivarit që në vitin 2010. Qyteti ynë i Gostivarit në krahasim me qytetet e tjerë të republikës së Maqedonisë së Veriut ka numër më të vogël të të infektuarve dhe pjesa më e madhe e tyre edhe të shëruar.”
Mjekët e dinë, e ndjejnë dhe e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër çfarë do të thotë të kesh në duart e tua jetët e njerëzve, të luftosh për ato jetë, të lumturohesh kur i fiton dhe të hidhërohesh kur i humbet. Mjeku dhe pacienti janë pjesë e pandashme e të njëjtës luftë, një binom që lufton për jetën!/abcnews.al