Lufta kundër Shtetit Islamik, përveç militantëve të grupit terrorist ka marrë jetën edhe të 1.300 civilëve në Siri dhe Irak. Ka qenë vetë koalicioni ndërkombëtar anti-ISIS që ka publikuar numrin e viktimave, ndërkohë që sipas grupeve të të drejtave të njeriut, bilanci është shumë më i lartë.
Koalicioni anti-ISIS i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka vrarë mbi 1 mijë e 300 civilë në Irak dhe Siri që prej vitit 2014. Lajmin e ka bërë të ditur vetë misioni ushtarak, që ka nënvizuar se civilët janë vrarë pa dashje në bombardimet kundër objektivave të Shtetit Islamik, të nisura 5 vjet më parë.
Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hyri në veprim pasi militantët e ISIS morën nën kontroll pjesë dërrmuese territori si në Siri dhe në Irak. Organizata terroriste vendosi ligjin e saj brutal mbi miliona njerëz që ranë nën kontrollin e saj dhe organizoi sulme të shumta vdekjeprurëse në mbarë botën.
Shifra e fundit e publikuar nga koalicioni është pak më e lartë se ajo e publikuar 8 muaj më parë, kur kuota e civilëve të vdekur ishte 1 mijë e 100. Në deklaratën për shtyp thuhet se po verifikohet ndërkohë vdekja e 111 personave të tjerë.
Sidoqoftë, të dhënat bien ndesh me ato të grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat pretendojnë se numri i viktimave është shumë më i lartë. Një grup monitorimi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar se bilanci real është 13 mijë civilë të vrarë.
Edhe organizata Amnesti International ka akuzuar koalicionin e udhëhequr nga SHBA se mohon vazhdimisht shkallën reale të dëmeve në njerëz./ABC News Albania 24/7