TIRANË- Media prestigjioze “Financial Times”, në një shkrim të saj të publikuar pak ditë më parë, ka theksuar se Ukraina dhe aleatët e saj po vlerësojnë një kompromis të mundshëm, i cili përfshin hyrjen e Kievit në NATO në këmbim të disa territoreve të pushtuara nga Rusia.
Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, tha se Ukriana aktualisht po vijon betejën e saj për të rikthyer integritetin territorial të cenuar nga Rusia.
Diplomati gjatë intervistës, i tha gazetares Linda Karadaku se Ukraina nuk flet aktualisht për idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Siç e dini aktualisht, Ukraina po vazhdojë çlirimin e territoreve ukrainase dhe përpiqet të rikthejë kufijtë e saj në ato kufijtë botërisht të njohura. Ajo që mund të them, është Ukraina nuk flet për mundësinë e shkëmbimit të territorit. Forcat ushtarake të Ukrainës në krahasim me ato ruse, kanë një disbalancë. Përpjekjet tona për integritetin territorial duhet të rivendosen dhe për momentin Ukraina veprime të tilla nuk mund të marrë”, shtoi ambasadori.
Ai theksoi se Ukraina në inkursionet dhe ofensivat ushtarake në territorin rus synon të godasë ato vende, nga të cilat mendohet se organizohet sulmi për të goditur Ukrainën.
Diplomati ukrainas shtoi se lufta duhet të ndalet pasi ajo po merr jetë njerëzish dhe po shkatërron infrastrukturën civile.
“Ukraina niset nga fakti se është duke mbrojtur territoret e veta, objektet që mund të ketë si synim në territoret ruse, janë ato vende nga të cilat sulmohet Ukraina. Ukraina ka patur një potencial të fortë në industrinë ushtarake dhe industrinë shkencore. Lufta po përpiqet të shkatërrojë uzinat, por ana tjetër po hapen uzina të tjera. Ukraina shpreson, por edhe ka mundësitë që të jetë në të njëjtën linjë siç janë dhe shtete e tjera. Po shkatërrohet infrastruktura civile dhe ka të plagosur dhe viktima. Lufta në Ukrainë duhet të ndalet”, tha ai./ abcnews.al