Luan në çifteli që 5 vjeç/ Mirgen Zela: Instrumenti pjesë e pandarë e jetës, frymëzohem nga natyra

schedule20:13 - 11 Nëntor, 2023

schedule 20:13 - 11 Nëntor, 2023

Këtyre tingujve nuk i është ndarë që nga vegjëlia.

Për herë të parë luajti në çifteli në moshën 5-vjeçare, e që nga ajo kohë, kjo vegël muzikore e folklorit është bërë pjesë e pandarë e jetës së Mirgen Zelës.

“Çiftelia nuk mungon kudo të jem unë, brenda apo jashtë vendit, e marr gjithmonë me vete. Edhe nëse nuk shkoj për të kënduar me çifteli, çifltelinë e mbaj gjithmonë me vete. Është pjesë e pandashme e imja.”

Fillimet nuk kane qënë të lehta, por ja kam dalë falë përkushtimit dhe mbështetjes së vyer të familjarëve.

“Çiftelia për mua është jeta, jemi rritur me atë traditë në familje, me folklorin. Gjyshi ka kënduar me vëllanë e vet, kanë qenë një dyshe që kanë punuar në dasma në atë kohë. Për mua është një ndjenjë shumë e veçantë kur e prek çiftelinë”.

Është vetëm 25 vjeç dhe numëron koncerte pafund në Shqipëri dhe jashtë saj.

“Për herë të parë para njerëzve, ka qenë në fshatin ku jetoja unë, dasma, gëzime familjare që shkonim nëpër darka. Pastaj kam ardhur në shtëpinë e kulturës, pallatin e kulturës në Kukës dhe në koncerte jashtë Shqipërisë.”

Instrumentisti i ri nga Kukësi thotë se është përpjekur të ecë në gjurmët e rapsodëve të zonës së Lumës.

“E kam ndjekur që në moshë të vogël dhe jam rritur me këngët e tij, është Rexhep Kovaçi, rapsod i Lumës. I kam dëgjuar këngët e tij dhe kam pasur dëshirë të eci në hapat e tij.”

Është rritur në fshat dhe frymëzimin e gjen vetëm tek natyra.

“Unë jam rritur në fshat dhe kur është sezoni i pushimeve, preferoj të dal diku në natyrë, sesa të shkoj në plazh”.

Talentin e shpërfaq sapo vendos gishtat mbi telat e çiftelisë, e megjithatë, nuk e cilëson profesion, as zanat. Tregon se në çifteli nuk luan për fitime, por për pasion.

“E vështirë është për dikë që nuk e ka me merak, për dikë që e ka me merak nuk është e vështirë, gjithçka e mëson me pasion. Normalisht që ia vlen, por duhet punë, mund dhe sakrificë. Kjo është më shumë pasion sesa profesion. Është ndenja shpirtëtore e muzikës.”

Interesi për këngët e traditës është rizgjuar. Migeni thotë se ka shumë të rinj që në eventet festive dëshirojnë të dëgjojnë muzikën e të parëve.

“Ishte një moment kohor që u zbeh folklori, por tani mosha e re ka filluar që ta kërkojë çiftelinë.”

Këngët me çifteli janë më të kërkuara nga emigrantët të cilët kanë kaluar vite larg tokës së tyre, e kanë mall për folklorin.

“Kemi pasur shumë kërkesa jashtë, në çdo vend. Njerëzit janë më të përmalluar, kurbetqarët e ndjejnë më shumë muzikën, shprehin mallin për vendin, familjet e tyre.”

Mirgeni i cili që në moshë të vogël ka përqafuar traditën kërkon nga të rinjtë që të mos harrojnë  bukuritë e folklorit shqiptar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!