Flamurtari është i fundit në çdo aspekt në Superiore. Ka grumbulluar më pak pikë, shumë lojtarë e kanë braktisur, ndërkohë që futbollistët prej muajsh nuk shohin të xhirojë një qindarkë në llogaritë e tyre. Administratori Sinan Idrizi e shikon shpëtimin te paketa e re ligjore në mbështetje të sportit, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje.
Gjithsesi duhet bërë diçka që gjërat në Vlorë të rrjedhin normalisht, lojtarët të paguhen dhe të mos rrinë me frikën se kur pronarët e shtëpive do t’i nxjerrin jashtë. Në të shkuarën ka ndodhur dhe nuk përjashtohet mundësi që diçka e tillë të përsëritet sërish.
Së fundmi nga kampi vlonjat ka zhvillime të tjera, pasi trajneri Luan Birçe nuk është dukur në stërvitjen e ekipit. Ai nuk ka qenë në dy seancat e fundit dhe ekipi është drejtuar nga Ardi Ciruna. Arsyeja e mungesës së Birçes, sipas “Panorama Sport”, janë pakënaqësitë në ekip në lidhje me zëvendësimet e bëra në ndeshjen kundër Bylisit.
Vlonjati ka qenë i qartë, që për çdo gjë vendos ai dhe nuk mund t’i ndërhyjë askush. I ndodhur në këto kushte, ai ka vendosur të mos dalë në stërvitje dhe nuk dihet nëse do të rikthehet sërish. Flamurtari e nisi sezonin me Dritan Sadenin në krye dhe më pas ai u largua për mungesë rezultatesh. / abcnews.al