Lëvizja Socialiste për Integrim është duke prezantuar programin e saj politik për zgjedhjet e 25 prillit.
Fjalën hapëse në prezantimin e programit politik, e ka mbajtur ish-deputeti, Edmond Haxhinasto. Ai u shpreh ky program synon qëndrueshmëri dhe jo një zgjidhje momentale.
Po ashtu, Haxhinasto u ndal edhe në disa prej pikave kryesore të programit.
“Në planin tonë nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje momentale, populiste apo klienteliste si mazhoranca, por zgjidhje që synojnë qëndrueshmëri, kështu janë dhe propozimet tona për tërheqjen e investimeve. Shumë nga propozimet tona janë vizionare, i shërbejnë ndreqjes së gabimeve, por krijojnë edhe perspektivë. Programi ynë synon të eliminojë qeverisjen e trukuar e buxheteve fasadë dhe të bëjë matësin e vetëm koston e jetesës. Rritja e borxhit publik, s’do të jetë pjesë e këtij programi. Programi ynë parashikon uljen e kostos së qytetarëve, duke shtuar më tej zhvillimin e industrisë ushqimore, rritjen e prodhimit vendas. Synim është kthimi i besimit te mirëqeverisja. Kanë efekte të menjëhershme, jo premtime për kohën e ardhshme.”
Pesë prioritetet e LSI, të shpalosura në planin e kësaj partie, janë taksa e sheshtë 9 për qind, për të cilën ata thonë se kanë arritur dakordësi me partnerët opozitarë.
Realizimi i reformës në arsim, taksë 1 për qind për arsimin dhe kompanitë e mëdha. Po ashtu, synim është masivizimi i programit Mëso dhe Fito si dhe bërja e investimeve në kërkim shkencor.
Sa i përket bujqësisë, LSI thotë se synon që të mbështesë fermerët për njësitë e prodhimit si dhe të vendosë zero taksë dhe TVSH për të gjithë zinxhirin e prodhimit.
Këto prioritete, LSI angazhohet t’i realizojë në 5 mujorin e parë të qeverisjes.
Fjala e Kryemadhit
“Do të realizojmë një reformë tërësore në arsim. Do të mbështesim këtë sektor me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Shpesh e kemi parë formalizimin e ekonomisë si një betejë titanësh për një kupon tatimor ku zbarkon repart policor për të kapur kuponin e një buke 500 lekëshe. Ne formalizimin nuk e shikojmë thjesht si një betejë, si një luftë, ne e shikojmë si një bashkëpunim midis shtetit, biznesit dhe konsumatorit prandaj ne propozojmë që brenda 5 muajsh të miratojmë rimbursimin e 5% të çdo blerjeje me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike.
Do të krijojmë mundësinë për të formalizuar konsumin dhe familjet të krijojmë një pagë shtesë në fund të çdo viti. Ky formalizim do të rrisë jo vetëm të ardhurat e familjeve shqiptare por edhe të ardhurat me buxhetin e shtetit që do të futen në qarkullimin ekonomik dhe mundësi për te nxitur punësimin e te rinjve.
Kjo nisëm kërkon vetëm vullnet politik sepse infrastruktura dhe dëshira e qytetarëve dhe bizneseve ekziston, sepse sot më shumë se kurrë konsumatori dhe qytetari e kërkon shtetin partner në ekonomi, në jetën e tij shoqërore dhe sociale dhe nuk kërkon një xhelat mbi kokë.
Taksat e ulëta dhe formalizimi do të sjellin më shumë investime të huaja dhe vendase dhe me shumë punësim për familjet shqiptare.
Me programin Garancia Rinore do të mbështesim sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në Fushën e teknologjisë dhe inovacionit, prandaj dua të ndalem tek të rinjtë tanë, të cilët përballen me sfida të mëdha si papunësia, kosto e jetesës shpopullimi dhe integrimi në BE.
Një sistem arsimor cilësor që prodhon profesionist dhe jo kartonë diplomash, është zgjidhja për të garantuar për punën e mirëpaguar, për të krijuar besimin se ardhmja për rinjtë është këtu, që të qëndrojnë këtu, ta konsiderojnë Shqipërinë shtëpinë e tyre dhe për të përgatitur qytetarë për të ardhmen si qytetarë evropianë.
Prandaj, ne do të realizojmë një reformë tërësore në arsim, duke paguar në mënyrë dinjitoze mësuesit tanë që janë ata që edukojnë brezin e ri dhe duke e lidhur shkollën, me biznesin, dhe me tregun e punës.
Ne do të mbështesim realisht arsimin me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.”