Portugali-Gjermani është ndeshja më e bukur e ditës së nesërme në Euro 2020. Dy ekipet e grupit F, përplasen mes tyre në “Allianz Arena” të Mynihut, duke nisur prej orës 18:00.
Një duel tepër i rëndësishëm për objektivat, sidomos për “Pancerat” që dolën pa pikë nga përballja e parë më Francën. Trajneri Joachim Low analizoi sfidën ndaj kampionëve në fuqi në konferencën për shtypin.
“Duhet të jemi më të cinikë dhe të mprehtë në sulm nëse duam të mposhtim një skuadër si Portugalia dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Euro 2020. Kemi ambicie dhe vendosmëri shembullore.
E kemi të qartë se, pavarësisht humbjes me Francën, mund të përmbysim gjithçka dhe të ndryshojmë situatën. Duhet të jemi shumë konkretë kur sulmojmë, kjo është mënyra e vetme për të triumfuar nesër.
CR7? Ronaldo bën gjithmonë diferencën, por edhe Bruno Fernandes është një lojtar që po paraqitet shumë mirë. Gjithsesi, ne jemi një kolektiv i thurur mirë, grupi është më i rëndësishëm se individi te Gjermania. Jemi gati“, deklaroi Low. /abcnews.al