Kanë shkruar historinë e futbollit. Padyshim që ndjen drithërima kur kujton emrat e superfuqive, Brazil, Gjermani, Francë dhe Angli. Këto skuadra, që së bashku kanë fituar 12 Kupa të Botës, do të jenë në fushë këtë të shtunë, në orën 21:00, edhe pse jo për ndonjë trofe.
Në “Wembley” të Londrës dhe në stadiumin e Lionit luhen dy miqësore, nga ato që konsiderohen luksi, e pikërisht Angli-Brazil dhe Francë-Gjermani. Shpikësit e futbollit, me shumë probleme dëmtimesh, do të dalin në ish-stadiumin perandorak me synimin për të rregulluar sado pak bilancin negativ me “Seleçao”-n.
Jo vetëm kaq, por edhe për të ndihmuar trajnerin Gareth Southgate, që mbetet nën presion e kritika, në një kohë që po përflitet si tekniku i ardhshëm i Manchester United. Më parë, prej tij kërkohet të fitojë një trofe, pra Kampionatin Evropian, por duhet të bindë që ndaj Brazilit.
“Tre luanët” kanë shumë talent, por mungesat trembin. Kapiteni Harry Kane, Jordan Henderson dhe Bukayo Saka. Pesë herë kampionët e botës janë tepër larg epokave të Pele, Sokrates, Romario, Ronaldo apo Ronaldinho.
Titulli i fundit është fituar në 2002, ndërsa mungesat janë të shumta si Neymar, Militao, Gabriel Magalhaes, Casemiro, Ederson, Alisson, Martinelli e Marquinhos, sa për të përmendur një pjesë. Bilanci është thellësisht në favor të Brazilit, me 11 fitore e vetëm 4 humbje, ndonëse në tre të fundit, Anglia ka fituar një e ka barazuar dy.
Në Lion është miqësorja tjetër e madhe, një klasike e vërtetë europiane. Franca, nënkampione e botës përgatitet për vizitën e Gjermanisë. Kapiteni Kylian Mbappe është i gatshëm, por sulmuesi tjetër, Griezmann, mungon i dëmtuar, duke i dhënë fund serisë prej 84 ndeshjesh radhazi.
Mungesë edhe mbrojtësi i Liverpool, Konate. Gjermanët do të jenë pa kapitenin e portierin Neuer, dhe anësorin, Leroy Sane, që është i pezulluar. Trajneri Nagelsman gjithsesi ka potencial në ekip, si Ter Stegen, Musiala, Kroos apo Havertz. Bilanci, pavarësisht historisë së madhe gjermane, është në favor të Francës me 15 fitore ndaj 11 humbjeve, por përballjen e fundit e kanë fituar “pancerët” 2-1 vitin e kaluar. /i.m /abcnews.al