“Lojtarët motivohen për të luajtur më mirë kur na shohin”, arbitret vajza rrëfejnë se si u bënë pjesë e fushës së blertë

schedule11:02 - 7 Korrik, 2022

schedule 11:02 - 7 Korrik, 2022

Nuk janë të pakta vajzat shqiptare që kanë zgjedhur të bëhen arbitre futbolli, që është konsideruar si një profesion i gjinisë mashkullore. Megjithatë, me kalimin e viteve, shumë prej tyre kanë treguar se është një profesion që dinë ta bëjnë më së miri dhe femrat.

Emanuela Rusta, Mirjeta Salla, Erinda Kume dhe Kejsi Tafili janë disa prej tyre, të cilat ishin të ftuara në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfyen se si e nisën këtë rrugëtim.  Emanuela tregoi se e ushtron prej tetë vitesh këtë profesion.

Ajo theksoi se asokohe merrej me basketboll por një ditë, vendosi që të sfidonte veten dhe të bënte këtë punë. Ndërsa Erinda tha se edhe pse ka studiuar për infermieri vendosi të ndiqte pasionin për futbollin.  “Kam startuar në kolegjiumin e Elbasanit para 12 vitesh.

Kam bërë shkollën për infermieri por isha e apasionuar pas futbollit dhe kur më thanë për t’u bërë arbitre, shkova dhe provova. Më tërhoqi shumë. Më pas, u kthye në pasion. Kalova më pas në Kolegjiumin e Tiranës , mora stemën e FIFA-s dhe shkova në Çeki.“, tregoi Erinda.

Ndërsa Mirjeta, ndonëse është nënë e një vajze të vogël, kjo nuk e pa penguar që të bëjë atë që dëshiron. “Jam marrë me volejboll prej 10 vitesh. Kam ndjekur dhe Universitetin e Sporteve. Na njoftuan se ka arbitre femra, na propozuan të shihnim se si funksiononte.

Shkova te kolegjiumi i Elbasanit, pamë se si funksiononte dhe filloi që të më tërhiqte.”, rrëfeu ajo. Ndërsa Kejsi tregoi se është prej katër vitesh arbitre. “Nuk mendoj që të largohem nga ky profesion sepse është bërë pjesë e rutinës time të përditshme”, tha ajo.

Më tej, ata thanë se lojtarët dhe tifozët shpeshherë habiten kur shohin një arbitre femër në fushë. Por, a ka ndodhur që t’i ngacmojnë lojtarët? Emanuela tha: “Ndodh, mund të të bëjnë një kompliment por pa u bërë diçka bezdisëse”, tha ajo duke u treguar e rezervuar për të ndarë më shumë detaje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!