Zyrtarët e administratës amerikan nuk përjashtojnë mundësinë e zhvillimit të një takimi me përfaqësues të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore. Sipas analistëve, kjo mund të jetë një mënyrë për të bindur Penianin të heqë dorë nga armët bërthamore.
“Armëpushimi olimpik” ka hapur spirale të reja që pak kohë më parë ishin të paimagjinueshme. Zëvendëspresidenti amerikan, Majk Pence, apo funksionarë të tjerë mund të takohen me zyrtarë të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore në Pejongçang. Kjo është konfirmuar nga vetë numri dy i Shtëpisë së Bardhë dhe sekretari amerikan i shtetit, Reks Tillerson.
Uashingtoni vazhdimisht ka pohuar se nuk dëshiron të hapë kontakte me delegacionin e regjimit komunist në Korenë e Jugut. Por ky qëndrim i ri mund të bindë Penianin që të braktisë programin bërthamor. Duke iu përgjigjur një pyetje gjatë një vizite në Peru, Tillerson, i cili bën thirrje për një zgjidhje diplomatike për krizën, nuk ka përjashtuar mundësinë që Pence mund të pranojë një ftesë për t’u takuar me delegacionin.
Ndërkohë, për herë të parë pas 8 vitesh një anije me flamur të Koresë së Veriut është ankoruar në Korenë e Jugut. Trageti me peshë prej më shumë se 9 tonësh ka transportuar 140 persona. Në bord gjendeshin artistë të ndryshëm dhe orchestra simfonike “Samijon”, e cila me rastin e Lojërave Olimpike Dimorëre do të mbajë koncerte në Seul dhe Gangenjun.
Prej 2010, mjetet lundruese të Koresë së Veriut nuk lejohen të hyjnë në Korenë e Jugut pas sanksioneve të vendosura nga Seuli kundër Penianit pas fundosjes së një anije lufte. Kjo masë u vendos, pavarësisht faktit që regjimi komunist ka mohuar përfshirjen./abcnews.al