Loja e pokerit e Macron kundër Le Pen/ E majta dhe e djathta e Francës kërkojnë aleanca

schedule12:16 - 12 Qershor, 2024

schedule 12:16 - 12 Qershor, 2024

Zgjedhja e Emmanuel Macron për zgjedhje të parakohshme në Francë ra si një rrufe.

Kjo lëvizje, përveçse një rrezik i madh politik për presidentin francez, është pasojë e rezultatit të zgjedhjeve europiane, ku partia e Marine Le Pen doli e para me një diferencë të madhe,

Në fjalimin që iu drejtua qytetarëve francezë, ai e shpjegoi vendimin e tij me ton sfidues.

“Franca ka nevojë për një shumicë të qartë me qetësi dhe harmoni. Të jesh francez, në zemër, do të thotë të zgjedhësh të shkruash historinë dhe të mos udhëhiqesh prej saj,” tha ai.

Duke qenë se zgjedhjet europiane janë ato ku qytetarët i japin mesazhin e tyre qeverisë, duket se presidenti francez dëshiron të shohë nëse duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve kombëtare, qytetarët do të ndryshojnë mendje, por nëse Tubimi Kombëtar humbet, do të të jetë për herë të parë forca drejtuese e Kuvendit Kombëtar dhe ai vetë do të detyrohet të “bashkëjetojë” me të djathtën ekstreme.

Çfarë tregojnë sondazhet?

Sondazhet kanë treguar herë pas herë se francezët e shohin presidentin si autoritar dhe se ai ka mbrojtur elitën në krizat që ka kaluar shoqëria franceze, si kryengritja e jelekëve të verdhë dhe pandemia e koronavirusit.

Ngurrimi i tij për të ndryshuar kursin përballë protestave të shumta për reformën e pensioneve vitin e kaluar ka përforcuar perceptimin e tij se ai është i përmbajtur dhe i shkëputur nga shoqëria, dhe pse toni i tij është shpeshherë arrogant.

Në sondazhet e para që nga shpallja e zgjedhjeve, partia e Macron duket se mund të pësojë një goditje tjetër, pasi ekziston një përspektivë që koalicioni presidencial të jetë forca e tretë në politikën franceze, pas ekstremit të djathtë dhe ndoshta të majtës.

Fronti i përbashkët i të majtës në zgjedhjet parlamentare

Menjëherë pas zgjedhjeve europiane, krerët e partive të majta të Francës u takuan dhe pas disa orësh negociatash ranë dakord për formimin e “një fronti të ri popullor” kundër ekstremit të djathtë.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Partia Socialiste, Partia Komuniste, Ekologët dhe La France u zotuan të mbështesin kandidatët e përbashkët në çdo zonë zgjedhore që nga raundi i parë i zgjedhjeve.

“Bëjmë thirrje për krijimin e një fronti të ri popullor që do të bashkojë në një formë të paprecedentë të gjithë forcat e majta humanitare dhe civile”, thuhet në deklaratë.

Njoftimi i mësipërm u bë publik pas një demonstrate të organizuar nga disa të rinj kundër ngritjes së ekstremit të djathtë.

Jean-Luc Mélenchon shpejtoi për të duartrokitur përpjekjet në X, duke shkruar “një punë të mirë që pengon ndarjen në të cilën Macron dhe Le Pen po mbështeteshin”.

Një hap përpara se Le Pen dhe republikanët të shtrëngojnë duart

Pas aleancës së partive të majta, Tubimi Kombëtar i Le Pen po përgatitet të bashkëpunojë me parti të tjera të ekstremit të djathtë, ndërsa partia e qendrës së djathtë franceze Les Republicains tha të martën se ishte e gatshme të eksploronte një mundësi bashkëpunimi me Le Pen të së djathtës ekstreme për të mposhtur Macron.

Të dy palët kishin nisur tashmë bisedimet të hënën për një aleancë të mundshme në një përballje që do të jetë vendimtare për të ardhmen e Francës dhe Bashkimit Europian.

Sipas Politico, Eric Ciotti, kreu i Les Républicains, tregoi se partia e tij është gati të marrë rolin e saj në një aleancë të tillë.

Megjithatë, në radhët e republikanëve ka edhe mendime të ndryshme.

“Unë kurrë nuk do të pranoj asnjë kompromis me ekstremet, të cilat jam i bindur se do ta çojnë Francën drejt falimentimit dhe kaosit,” tha kandidatja presidenciale e partisë 2022.

Në një intervistë televizive pas takimit, Le Pen tha se do të takohej me një sërë liderësh politikë për të “formuar një shumicë”.

Le Pen gjithashtu vuri në dukje se Tubimi Kombëtar ishte i gatshëm të mos paraqiste kandidatë kundër deputetëve konservatorë në largim të Les Républicains nëse ata binin dakord me partinë e saj.

Basti politik i Macron

Presidenti francez ka bërë një përpjekje për të punuar me forcat e moderuara majtas dhe djathtas.

Truku i Macron, bazuar në popullaritetin dhe dinamikën e ekstremit të djathtë, mund të rezultojë lehtësisht i kundërt dhe t’i hapë rrugën pasojave të paprecedentë që do të ndikojnë në pozicionin e presidentit francez edhe në Europë.

Tre skenarë të mundshëm për të ardhmen politike të Francës:

Jordan Bardella bëhet kryeministër i Francës

Fenomeni që dikur dukej i paimagjinueshëm po bëhet realitet. Qeveria e Francës po udhëhiqet nga e djathta ekstreme për herë të parë në historinë moderne franceze.

Nëse Tubimi Kombëtar fiton shumicën, Macron do të detyrohet të emërojë një nga udhëheqësit e tij si kryeministër, me shumë mundësi Jordan Bardela.

Macron nuk ka asnjë detyrim kushtetues për ta bërë këtë, por nëse ai refuzon, qeveria e emëruar ka të ngjarë të përballet me një mocion mosbesimi, duke e bërë të pamundur qeverisjen dhe duke e detyruar atë në mënyrë efektive të emërojë një qeveri të bazuar në një shumicë parlamentare.

Tubimi Kombëtar vazhdoi të caktojë Bardelën si “kandidat” për postin e kryeministrit. Aktualisht mban 88 mandate në Asamblenë Kombëtare dhe duhet ta rrisë këtë total në 289 për të pasur një shumicë absolute.

Detyra përpara do të jetë e komplikuar për forcën e ekstremit të djathtë, por jo e pamundur: një sondazh në fillim të këtij viti nga partia konservatore Les Républicains dhe i zbuluar në revistën franceze L’Obs tregoi se Tubimi Kombëtar do të fitonte 243 deri në 305 vende në rast të zgjedhjet e parakohshme.

  1. Bllokim i plotë

Me 250 deputetë nga viti 2022, disa dhjetëra më pak se një shumicë absolute,  qeveria e Macron ka ecur përpara nën kërcënimin e vazhdueshëm të një mocioni mosbesimi për dy vitet e fundit.

Për pjesët kyçe të legjislacionit, duke përfshirë reformën shumë jopopullore të pensioneve, presidenti dhe kryeministri i tij përdorën mjete kushtetuese për të miratuar legjislacionin pa votim në parlament.

Me ngritjen e së djathtës ekstreme dhe mundësinë e një aleance të re të majtë, zgjedhjet e ardhshme mund të çojnë në një Asamble Kombëtare edhe më të ndarë, pa perspektivë për një shumicë të qartë.

Macron kishte treguar vazhdimisht vullnetin e tij për të formuar një koalicion qeverisës me Les Républicains, një aleancë që do të çonte në një shumicë absolute në parlament duke shpresuar se zhvendosja e tij në të djathtë do ta bënte të mundur.

Por partia konservatore i ka rezistuar vazhdimisht ofertës së presidentit dhe, të dielën mbrëma, mbeti e vendosur për të shkuar e vetme në zgjedhjet e ardhshme.

  1. Po sikur Macron të humbasë bastin

Në një sistem politik të përqendruar te presidenti, çështja nëse vetë Macron mban përgjegjësi për krizën aktuale do të lindë në mënyrë të pashmangshme nëse bixhozi i tij elektoral dështon.

Në vitin 1969, pasi humbi një referendum, Presidenti Charles de Gaulle paraqiti dorëheqjen e tij.

Në këtë moment, dorëheqja e Macron nuk pritet dhe një këshilltar i presidentit tha se qëllimi i presidentit kur shpalli zgjedhjet e parakoshme ishte të fitonte plotësisht. “Unë jam i vetmi që nuk rrezikoj asgjë”, citohet të ketë thënë Macron nga gazeta franceze Le Monde.

Pasiguria politike që rrethon situatën aktuale mund të bëjë gjithashtu që Macron të përdorë plotësisht gamën e pushteteve që kushtetuta franceze i ofron ekzekutivit, duke dobësuar më tej rolin e legjislativit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!