Llixhat në Tregan të Elbasanit, destinacion i turizmit kurativ

schedule19:16 - 13 Mars, 2018

schedule 19:16 - 13 Mars, 2018

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar dhe deputetë të zonës,kanë prezantuar në Elbasan projektin e “100 fshatrave” dhe platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët.

Shkrirja e drejtorive bujqësore është një ndër vendimet që ka marrë qeveria në Elbasan. E shumëpritur nga kryeministri Edi Rama.

Edi Rama: “Më në fund janë shkrirë drejtoritë e bujqësisë. E them tamam me shpirtin që më del, më në fund, pas shumë e shumë vitesh stres me këto struktura të degraduara, inerci e së shkuarës, institucione komuniste pa komunizëm”.

13 drejtoritë do të zëvendësohen me 4 agjenci rajonale të sesionit bujqësor dhe 4 të veterinarisë dhe bimëve. Ky reformim bëhet për të realizuar ashtu siç duhet zhvillimin e agroturizmit. Tashmë janë individët dhe bizneset që duhet të bëhen bashkë për të qenë të suksesshëm në projektin “100 fshatrat”.

Edi Rama: “Mbrapa ka ngelur vetëm përpëlitja e mbijetesës për vitin tjetër. Ne nuk duam të stimulojmë përpëlitjen e mbijetesës, me “shtyje këtë vit, shihemi vitin tjetër”. Ne duam të vendosim bazat e një fshati që është sipërmarrës”.

Elbasani është qarku që ka më shumë fshatra të përfshirë në projektin për zhvillimin e agroturizmit. Një prej tyre është fshati Tregan që vizitohet çdo vit nga 35 mijë shqiptarë e të huaj pasi kjo zonë është e njohur për llixhat me ujra kurativë.

Pjesë e axhendës së kabinetit qeveritar është edhe prezantimi i platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët. Shembujt e zgjidhjes së problemeve që u sollën në individë të ndryshëm janë tregues se kjo është rruga për t’i adresuar ankesat qeverisë.

Edi Rama: “Këtu, edhe kryetari i opozitës nuk thotë s’jam në rregull, kur duket që s’është në rregull, – çështja është që, nëse mendon që je në rregull, duhet menjëherë të ankohesh”.

Një qyetari të Elbasanit iu dha certifikata e pronësisë nga vetë kryeministri pasi ai e kishte ndjekur këshillat e këtij të fundit.

Edi Rama: “Në fakt, drejtori ma dha certifikatën mua, para se të hyja këtu dhe mund ta marrësh certifikatën. Drejtori e kuptoi që ose ti merr certifikatën, ose ai merrte lirimin nga puna sot, kështu që erdhi me vrap për certifikatën tënde”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!