Lleshaj: Emrat e policisë tek Teatri s’do t’i merrni vesh kurrë, pse ishin pa ID

schedule10:27 - 4 Qershor, 2020

schedule 10:27 - 4 Qershor, 2020

Në interpelancën që po bëhet në Kuvend për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe rolin e policisë, ministri i Brendshëm Lleshaj u shpreh se mes policisë dhe qytetarëve, zgjedh këta të fundit.

Gjithsesi, Lleshaj shtoi se që kjo të ndodhë duhet që policia të dalë kundër qytetarëve, dhe në rastin konkret, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.

Lleshaj u shpreh:

“Kam respekt për të gjithë deputetet. Prandaj kam ardhur këtu. Konstatoj që jo të gjithë ata që e kërkuan interpelancën, ndodhen në këtë sallë. Shumica e tyre nuk janë këtu. Së pari dua të them që unë si ministër i Brendshëm përgjegjësi të parë kam shërbimin ndaj qytetarëve. Në këtë kuptim. mes qytetarëve dhe policisë do të rreshtohesha me qytetarët. Por do duhej që policia të vihej kundër tyre. Për sa kohë kjo nuk ndodh unë jam me të dy përballë atyre që u dalin kundër ligjit.”

“Kam mirëkuptim të plotë për ata që u shqetësuan për 17 majin që dha fund me zhurmë historisë të pafat të Tetarit Kombëtar. Nuk ka ndërmend të harxhoj kohë me çështje të arkitekturës, vlerat historike etj,” shtoi më tej Lleshaj.

Sipas ministrit, policia nuk shkoi si palë, por për të bërë detyrën.

“Policia nuk shkoi vetë me iniciativën e saj në mjediset e Teatrit. U thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor. Nuk shkoi si palë.”

Po ashtu, Lleshaj u shpreh se emrat e efektivëve që ishin pa numër identifikimi në uniformë “nuk do i merrni vesh kurrë.”

“Jam habitur. Çfarë i interesojnë një deputeti të Kuvendit emrat e përveçëm të efektivëve të policisë që kanë marrë pjesë në një operacion. Po ua them publikisht nuk do t’i merrni kurrë sepse nuk keni tagër ligjor për t’i kërkuar. Të vetmit që kanë të drejtë t’i dinë është Prokuroria. Sa i përket uniformës, policia ka qenë në dy operacione. Dihet fort mirë se në operacione për menaxhimin e protestave, policia ka qasje tjetër nga ngjarje normale,” sqaroi Lleshaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!