Ljuis Hamilton arriti një fitore të madhe në çmimin e madh të Singaporit në Formula 1. Piloti anglez i Mercedesit hodhi një tjetër hap drejt mbrojtjes së titullit kampion të botës.
Mrekullia kishte nisur të shtunën, dhe mjeshtri e përfundoi të dielën. Pasi fitoi në mënyrë triumfale vendin e parë në prova, Ljuis Hamilton dha një paraqitje dominuese dhe çarmatosëse për rivalët në Çmimin e Madh të Singaporit. Kampioni i botës në Formula 1 hodhi një tjetër hap, edhe më shumë vendimtar, drejt mbrojtjes së kurorës, duke dalë i pari, ndërsa rivali i kryesor, Sebastian Fetel, nuk arriti më shumë se vendi i tretë. Edhe pse pista jepej si më e favorshme për Ferrrarin sesa për Mercedesin, ishte sërish makina gjermane, e pilotuar nga anglezi, që udhëhoqi thuajse që nga fillimi deri në fund.
Edhe pse Fetel kaloi Verstapenin që në xhiron e parë, ai nuk pati një mbrëmje të mirë në Lindjen e Largme. Ferrari sërish duket se gaboi me strategjinë duke e futur shumë shpejt pilotin gjerman në ndalesë për të ndërruar gomat. Jo vetëm që kjo I humbi kohë Fetelit, i bllokuar në trafik, por edhe bëri që gomat t’i konsumoheshin më shpejt sesa konkurrentëve. Në fund, pati fat që mbrojti vendin e tretë, por mbeti 40 pikë prapa Hamiltonit në renditjen e përgjithshme të Botërorit, kur duhen edhe 6 gara deri në fund.
Anglezi arriti fitoren e 69-të në karrierë, dhe duket se po bën duel me veten. Ai është shumë pranë titullit të pestë botëror në karrierë, që do ta ngjiste një më shumë sesa Feteli, do ta bashkonte me legjendën Fangio, e do t’i jepte shpresë të mbërrinte edhe legjendën tjetër, Mikael Shumaherin që kryeson me 7 tituj./abcnews.al