Liverpuli mposht 5-2 Romën falë magjikut Salah

schedule10:54 - 25 Prill, 2018

schedule 10:54 - 25 Prill, 2018

Liverpuli arriti një fitore të madhe ndaj Romës, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Anglezët triumfuan 5-2, por italianët shpresojnë të përsërisin mrekullinë si ndaj Barcelonës.

Nuk mungoi mbërritja njëlloj si e gladiatorëve.

Mijëra tifozë, me apo pa biletë, pritën dhe mbështetën fuqimisht Liverpulin, ndërsa skuadra shkonte në “Anfild” për ndeshjen e Championsit ndaj Romës.

Policia britanike kishte marrë masa të forta që të mos përsëritej sulmi ndaj autobusit të Mançester Sitit në çerekfinale, por tifozët këtë herë e patën me të.

Dhjetëra prej tyre u ngjitën mbi ndonjë fugon policie, duke e përdorur si tribunë për të brohoritur.

Prag ndeshja e gjysmëfinaleve, për fat të keq, e pati momentin negativ, veçse diku tjetër dhe të llojit të huliganizmit.

Tifozë të Romës dhe të Liverpulit u përleshën, dhe një anglez mbeti i plagosur.

Në stadium, atmosfera ishte krejt ndryshe, dhe ashtu siç pritej.

Ishin 54 000 njerëz, shumica dërrmuese liverpulas përpara fillimit kënduan himnin “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”.

Ndeshja i përmbushi shpresat e tyre.

Liverpuli arriti një fitore të thellë, 5-2, madje duke kryesuar deri në 5-0.

Edhe pse Roma e trajnerit Di Françesko e kishte përgatitur me kujdes duelin, siç e tregoi në 30 minutat e para, nuk mundi të mbahej deri në fund.

Treshja e mrekullive, me sulmuesit Salah, Mane e Firmino, bëri diferencën, ashtu siç bëri dallimin stili agresiv dhe vertikal i futbollit të praktikuar nga trajneri Jurgen Klop.

Për pjesën më të madhe të ndeshjes, vendasit ushtruan presion duke e hutuar kundërshtarin, që nuk arriti të mblidhet veten, dhe as të mbrohej siç duhet, as të sulmonte siç kishte menduar.

Dy herë shënoi Salah, një herë Mane, dhe dy herë Firmino, me egjiptianin që dha edhe dy asiste, duke qenë njeriu i ndeshjes.

Sidoqoftë, krenaria romane nuk mund të mos e tregonte veten.

Në vetëm 5 minuta, italianët shënuan dy gola pas një reagimi të madh, veçse pa Salahun në fushë.

Xheko, më I miri I të tijve, dhe Peroti me penallti, I dhanë kuptim gjysmëfinales së dytë, pasi diferenca e golave është e njëjtë si ajo pas ndeshjes së parë ndaj Barcelonës.

Trajneri liverpulas, Klop, nuk u duk shumë i tronditur nga fakti që fitorja nuk ishte e pastër.

Klop: “Nuk është mirë që të pësosh dy gola në fund, por kjo gjë nuk mund të ndryshohet dhe ne duhet të pranojmë realitetin siç është. Djemtë luajtën një ndeshje brilante për periudha të gjata kohe. Madje, luajtëm mirë edhe kur pësuam dy gola. Rezultati është shumë më I mirë sesa unë do të kisha shpresuar para ndeshjes. Do të kishte qenë e vështirë edhe sikur të kishim fituar 5-0, pasi Roma nuk do të dorëzohej kurrë, ndaj nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Gjëja kryesore që mësova sonte është që ne mund të fitojmë edhe në Romë”.

Euzebio Di Françesko, trajneri i Romës, bëri analizën e tij të ndeshjes.

Ai tregoi se pse ekipi I tij u ndëshkua, dhe tregoi nëse ka apo jo shpresë në “Olimpiko”.

Di Françesko: “Nëse humbet aq shumë duele në fushë, është normale që të mundesh në këtë mënyrë. Ne nuk luftuam sa duhet gjatë gjithë ndeshjes, ndonëse pati periudha shumë të mira. Po ashtu, nuk shfrytëzuam mundësitë tona, pasi Liverpuli luante vazhdimisht me 3 sulmues përpara, ndaj ne mund të kishim shfrytëzuar më mirë hapësirat që krijoheshin prapa. Për fat, në fund treguam se nuk u dorëzuam, dhe se skuadra jonë ka zemër të madhe. Tani jemi të detyruar të kemi shpresë për përmbysjen, duhet të bëjmë punën tonë. Le të mos flasim për mrekulli, sepse përmbysja vjen nëse luan mirë dhe nëse ke besim, siç e treguam ndaj Barcelonës”.

Ndeshja e kthimit luhet të mërkurën e ardhshme, në 2 maj, në stadiumin “Olimpiko” të Romës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!