Liverpuli cilësohet favorit për t’u kualifikuar për në finalen e Championsit. Gjithsesi, trajneri Jurgen Klop, paralajmëron se nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj Romës.
Mori përsipër ta lexonte vetë tekstin.
Jurgen Klop ishte si një djalë liverpulas kur nga audio nxorri fjalët më të bukura të mundshme për prag ndeshjen e madhe.
Ky është “Anfildi”, ky është qyteti ynë, kjo është shtëpia jonë, kjo është rutina jonë e përditshme, dhe këto janë të shtunat tona, u shpreh trajneri gjerman, i identifikuar jo thjesht me skuadrën, por me gjithë Liverpulin.
Këto janë ngjyrat tona, flamujt tanë, pabet tanë dhe portat tona, gratë tona, simboli ynë dhe shkronjat tona, që janë veç nga të tjerat.
Liverpuli do të luajë sonte një nga sfidat e mëdha të historisë, gjysmëfinalen e parë të Championsit ndaj Romës, dhe 50-vjeçari nga Shtutgarti I kujton të gjithëve se ky klub ka parë ditë të mëdha, por edhe të hidhura, pra gjithçka mund të ndodhë.
“Ata kanë stadium, – vazhdon ai, – ne kemi shtëpi, ata kanë këngë, ne kemi një himn. Ata kanë tifozë, ndërsa ne jemi një familje”.
Ky është Liverpuli, kjo është mbi të gjitha.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, Klop nuk ishte aspak kaq dramatik, madje bëri edhe shaka gjatë përkthimit në italisht të fjalëve të tij.
“Vërtet kaq e gjatë ishte përgjigja ime?”, – tha ai, dhe pastaj qeshi me gjithë zemër.
Më pas, gjermani pati një porosi për tifozët.
“Mendoj se kjo është krejtësishte e qartë. Në stadium bëni sërish namin, ndërsa jashtë stadiumit, ju lutem tregoni respekt”, duke e pasur fjalën për sulmin që iu bë autobusit të Sitit raundin e kaluar.
Më pas, një vlerësim po me shaka për kolegun e tij, trajnerin e Romës, Di Françesko.
Klop: “Ne që të dy mbajmë syze. Kemi mjekra ndoshta jo aq shumë të bukura, por kryesorja është që kemi mënyra të ngjashme për të arritur në klubet e mëdhenj. Natyrisht, ai e dashuron futbollin, dhe ka krijuar një skuadër të madhe. Ne jemi paksa të ngjashëm, por kjo nuk do të na e bëjë jetën të lehtë në këtë ndeshje, as mua dhe as atij”.
Klop nuk është se ndihet shumë i stresuar në prag të ndeshjes.
Klop: “Të dyja skuadrat kanë shansin për të shkuar në finale, dhe kjo është e vetmja gjë që dua, të arrij në finale. Nuk është problem presioni, nuk është një shans që vjen vetëm një herë në jetë. Unë kam qenë edhe më parë në finalen e Championsit, dhe tani mund ta bëj përsëri. Është gjë shumë e bukur që është e mundur dhe le të bëjmë ç’mos për t’ia dalë”.
Liverpuli u stërvit për herë të fundit para sfidës, duke pasur ende probleme.
Matip, Xhan e Lalana janë të dëmtuar, por lajmi i mirë është që Dejan Lovren është mirë, dhe mund të luajë në qendër të mbrojtjes, në krah të Van Dajkut.
Po ashtu, Trent-Alekandër dhe Robertson kthehen në formacion, pasi pushuan në fundjavë.
Në mesfushë e sulm, Klopi nuk ka dyshime, sidomos duke pasur në dispozicion treshen e frikshme, Salah-Firmino-Mane.
Liverpuli eleminoi Mançester Sitin në çerekfinale dhe mund të quhet një e papritur në Champions, ndërsa historia e klubit është e madhe, me 5 trofe të fituar në këtë kompeticion, njërin prej të cilëve në finalen ndaj Romës në 1984.
Kjo është arsyeja që anglezët cilësohen favoritë për në finale. /abcnews.al