Nuk ndryshojnë kryesuesit në Premier Ligën angleze. Liverpuli dhe Çelsi arrijnë fitoret e radhës, edhe pse nuk e patën të lehtë.
Me shumë gjasë hierarkia do të ndryshojë. Liverpuli sërish nuk hodhi hap të gabuar në Premier Ligën angleze, dhe po kështu bëri edhe Çelsi.
Të dyja skuadrat mbajnë kreun e renditjes me nga 4 fitore në 4 ndeshje të luajtura deri tani, dhe besohet se do të jenë rivalë të fortë të kampiones Mançester Siti.
Formacioni i trajnerit Jurgen Klop ia doli në një sfidë aspak të lehtë, në fushën e Leisterit.
Të kuqtë nuk është se shkëlqyen, me përjashtim të fillimit kur kaluan në epërsi me golin e sulmuesit Sadio Mane, por gjithsesi, ishin tepër të sigurt në mbrojtje.
Roberto Firmino realizoi golin e dytë pas pushimit dhe liverpulasit po e mbyllnin ndeshjen me shumë komoditet, por një gabim I portierit Alison e rrezikoi fitoren.
Gjithsesi, Liverpuli u mbajt, në një javë kur edhe Çelsi i Mauricio Sarrit iu përgjigj. Londinezët triumfuan 2-0 në stadiumin e tyre, “Stemford Brixh” ndaj Bornmuthit, veçse rrjetat u shënuan shumë vonë.
Pedro Rodrigez prishi barazpeshën kur duheshin edhe 18 minuta deri në fund, ndërsa suksesi u garantua nga belgu Eden Hazar.
Të dyja skuadrat kanë nga 12 pikë, veçse Çelsi është në vend të dytë me golaverazh më të keq. /abcnews.al