Liverpooli është thuajse në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas suksesit 3-0 ndaj Mançester Sitit në derbin e parë të Anglisë. Gjithsesi, trajneri Klop thotë se asgjë nuk ka përfunduar
Këto skena nuk është se e nderojnë Anglinë e vjetër e të shquar të rregullit. Dikur mjaftonte një polic me kalë të bardhë, ndërsa sot asgjë nuk mund t’i ndalë tifozët më të skajshëm të Liverpulit për të treguar urrejtjen ndaj rivalëve të Mançester Sitit në prag të sfidës së Championsit.
Sende të forta dhe flakadanë u hodhën drejt autobusit të blinduar të rivalëve, të cilëve nuk iu bë asnjë dëm fizik, por padyshim iu dha një goditje e rëndë psikologjike.
Në të kundërt, futbollistëve vendas iu dha një mbështetje fantastike, nga ato që të bëjnë me krahë. Nuk u çudit njeri pra, që në “Anfild” u luajt kjo ndeshje dhe që Liverpuli mund të quhet gjysmëfinalist në përfundim të saj.
Formacioni i shkëlqyer, por pa përvojë, i Pep Guardiolës e mori goditjen e fundit nga goli i parë shënuar nga Mohamed Salah, por që u nis nga një pozicion jashtë loje.
Gjithsesi, vendasit fituan për meritë të tyre, duke luajtur pikë për pikë sipas filozofisë së trajnerit të tyre, Jurgen Klop, të mbiquajtur “gjeniu i çmendur”.
Golat e tjerë nga Okslejd-Çembërlen dhe nga Sane, që në pjesën e parë, u duk se i dhanë fund çështjes së kualifikimit, pasi shifrat 0-3 janë shumë të vështirë për t’u përmbysur.
Gjithsesi, “gjeniu i çmendur”, Klop, nuk ishte plotësisht i kënaqur.
Klop: “Rezultati padyshim ishte shumë i mirë, por ne duhet të luanim më shumë futboll në pjesën e dytë. Kjo është e qartë. E vërtetë që Siti nuk krijoi raste dhe ne u mbrojtëm mirë, por duhej të luanim për veten tonë, pasi kështu nuk ka kuptim. Por, në tërësi, ishte mirë. Në pjesën e parë ne ishim thuajse perfektë, futbolli duhet luajtur pikërisht kështu. Jam i lumtur që ia dolëm ndaj skuadrës më të fortë të botës, por ende nuk ka përfunduar. Ne nuk jemi kualifikuar ende dhe në stadiumin “Etihad” na pret një ferr i vërtetë”.
Po Guardiola çfarë pati për të thënë pas këtij kapitullimi?
Siti ende nuk është eleminuar, por do të ishte një mrekulli nëse do t’ia dilte, dhe trajneri katalanas kuptoi sesa larg është nga realizimi i ëndrrës në Champions, kur nuk ka në ekip Lionel Mesin.
Gjithsesi, ai habiti gjithkënd kur foli.
Guardiola: “Ne nuk ishim aspak të trembur kur nisi loja. Skuadra e filloi ndeshjen shumë mirë, dhe luajti shumë mirë gjatë gjithë kohës, me përjashtim të atyre 15 minutave në pjesën e parë që na kushtuan rezultatin. Për fat të keq, në Champions këto momente janë vendimtare, ashtu siç ishte vendimtare kur goli i parë ishte pozicion jashtë loje. Kjo ndikon shumë në një stadium si “Anfildi”. Ne humbëm, dhe unë e di se askush nuk ka besim tek ne, por do ta provojmë që të kualifikohemi”.
Gjithsesi, detyra për Mançester Sitin duket e pakapërcyeshme, pasi Liverpuli kurrë nuk është eleminuar në Europë kur ka fituar 3-0 ndeshjen e parë./abcnews.al