LIVE/ Mbyllet votimi për kryetarin e ri të PD-së, Berisha në garë me Elezin: Sot shohim dritën e shpresës

schedule11:25 - 22 Maj, 2022

schedule 11:25 - 22 Maj, 2022

Komisioni i Rithemelimit ka zhvilluar zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së. Në garë janë Sali Berisha dhe Ibsen Elezi, dy kandidatët e vetëm për kryetar të Partisë Demokratike.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe u mbyllën në orën 20:00.Zgjedhjet u zhvilluan në 108 qendra qendra votimi, ndërsa i pari në fletën e votimit është vendosur ish-kryeministri Sali Berisha kurse i dyti rivali i tij Ibsen Elezi.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Këto zgjedhje që zhvillohen nga Komisioni i Rithemelimit vijnë në një kohë që çështja e drejtimit të PD është ende në pa një vendim të fundit nga ana e Gjykatës, e cila pak javë më parë ka pranuar ankimin e Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, që regjistroi ndryshimet statutore të PD të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit të zhvilluar nga Komisioni i Rithemelimit.

Pa pritur vendimin e Gjykatës Komisioni i Rithemelimit caktoi datën e zgjedhjeve të reja, ndonëse nga pala tjetër, që është konsideruar si e Alibeajt, këto zgjedhje janë të njëanshme dhe nuk kanë përfshirë të gjithë demokratët.

20:00 – Berisha përballë Elezit, mbyllet procesi i votimit për kreun e ri të Partisë Demokratike

Mbyllet procesi i votimit për kreun e ri të Partisë Demokratike. Procesi i votimit për kreun e ri të PD nisi në orën 08:00, u zhvillua në 108 qendra votimi. Sali Berisha dhe Ibsen Elezi ishin dy kandidatët për kryetar të PD, në zgjedhjet e ‘Rithemelimit.

11:08-Zgjedhjet për kreun PD-së, voton Ibsen Elezi: Mos të bëhen shkelje, do ta njoh rezultatin

Ibsen Elezi i cili garon “kokë më kokë” sot me ish-kryeministrin Sali Berisha për kreun e PD-së, bëri thirrje që mos bëhen shkelje në procesin e votimit.

Ai tha që komisionerët të heqin imazhin e 13 qershorit. Ndërsa theksoi se pas shpalljes se vendimit do ta njohë rezultatin.

“Komisionerët kanë në dorë një proces që ka të bëjë me demokracinë, me votën dhe ajo çfarë unë kam bërë thirrje sot që në mëngjes është të heqin imazhin e 13 qershorit, të numërojnë çdo votë. Ka zëra që qarkullojnë se proceset kanë pasur shkeljet nga më të rëndat në të kaluarën.

Unë bëj thirrje dhe vjen logjikisht, nuk kam informacion dhe asnjë fakt për shkelje deri tani. Ka qenë situatë e tensionuar që vëzhguesit kanë pasur dilemat e veta dhe unë kam qenë tolerues. Drita e së ardhmes nuk është as doktori, as unë, por demokracia në këtë vend. Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.

Ai tha nuk do të tolerojë parregullsi të konstatuara të kryera nga komisionerët.

11:05-Berisha në garë për drejtimin e PD, Basha: Të frenojmë mbetjet e komunizmit

Ndërkohë që vijon votimi për zgjedhjen e kreut të ri të PD, proces ky i organizuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka ardhur reagimi i parë nga Lulzim Basha. Duke mos i përmendur zgjedhjet e sotme, Basha ka zgjedhur ta japë mesazhin e tij përmes 38-vjetorit të revoltës së Qafë Barit. Me një term që i është drejtuar Berishës që kur nisi përplasja mes tyre pasi e përjashtoi nga grupi i PD, për t’i kujtuar shqiptarëve që të mos e marrin lirinë si të mirëqenë, Basha shkruan se nuk duhet t’i lënë “mbeturinat e komunizmit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës”.

“Me 22 maj 1984, 11 vite pas kryengritjes së Spaçit, në një tjetër burg mizor të diktaturës komuniste ringriti krye shpresa për liri dhe kundër padrejtësisë. Sot përulemi me respekt para heroizmit të martirëve të revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dhe qindra bashkëvuajtësve të tyre, të burgosur politikë që sfiduan me kurajo regjimin gjakatar nga brenda kampit të vuajtjes, ku dhuna e egër ishte e vetmja gjuhë me të cilën diktatura u komunikonte mizoritë e saj njerëzve të lirë, që nuk u dorëzuan kurrë përballë regjimit. Revolta e Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, e bashkë me vendet e kujtesës, përbën një pasuri shpirtërore dhe kulturore që duhet mbrojtur e nderuar për të mos lejuar që harresa të fshijë vuajtjet dhe sakrificat që farkëtuan shpirtin e rezistencës ndaj regjimit mizor, për të mos lënë mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë. Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit”, ka zgjedhur të shkruajë Basha.

10:46Sot zgjedhjet për kreun e PD-së, a i druhet Berisha vendimit të Apelit? Nuk ka vendim që mund të ndalë këtë mision historik

Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi e konsideroi një proces mafioz dhe anti kushtetutës atë të zgjedhjes së presidentit të vendit. Berisha deklaroi se ai bazohet mbi grabitjen e votës së lirë të shqiptarëve. Pyetur nga gazetarët nëse i druhet vendimit të gjykatës në rast se zgjidhet në krye të PD, Berisha u shpreh se asnjë vendim nuk mund ta ndalë misionin historik të demokratëve.

10:40-Në garë për drejtimin e PD, Berisha voton në selinë blu, shoqërohet nga bashkëshortja

Ashtu si të gjithë anëtarët e PD, ish kryeministri Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij Liri Berisha kanë votuar në selinë e PD për zgjedhjen e drejtuesit të ri të partisë. Vetë Berisha është në garë vetëm me Ibsen Elezin dhe me shumë gjasa do arrijë të marrë fitoren.

“Së pari përshëndes demokratët dhe demokratet, komisionerët e 108 qendrave të votimit në mbarë Shqipërinë dhe i uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD por edhe për Shqipërinë dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë.

Të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duhet. Theksova që ky është proces historik jo vetëm për PD por për mbarë Shqipërinë sepse finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre”, tha Berisha.

10:30Berisha dhe Elezi “kokë më kokë” për PD-në, Baçi: Procesi i rregullt dhe transparent

Sot (22 maj) në orën 8 të mëngjesit ka nisur votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ndërsa në garë për marrjen e drejtimit të partisë janë kandidatët Sali Berisha dhe Ibsen Elezi. Në lidhje me procesin e votimit ka folur për mediet deputeti Luan Baçi . Ai tha se dot demokratët do të votojnë qetësisht me një proces të rregullt e transparent.

09:12- Zgjedhjet për kreun e PD, ‘Rithemelimi’: Qendrat e votimit hapur derisa të votojë anëtari i fundit

Vijon i qetë votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ndërsa në garë për marrjen e drejtimit të partisë janë kandidatët Sali Berisha dhe Ibsen Elezi. Përmes një njoftimi Komisioni i Rithemelimit njofton se janë hapur të 108 qendrat e votimit në të gjitha degët e PD.

“Procesi ka filluar e vijon normalisht. Komisioni do të qëndrojë i mbledhur deri në fund të procesit të votimit, derisa të votojë edhe anëtari i fundit i PD për të monitoruar si dhe për të marrë cdo masë në kohë reale për cdo problematikë apo nevojë që mund të kenë degët. Komisioni fton të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të bëhen pjesë e procesit më të rëndësishëm të zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Demokratike me parimin “një anëtar një votë”, thuhet në njoftim.

08:28Zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së, votimi zhvillohet i qetë në disa qarqe

Ka nisur votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri  të PD në disa zona. Në Berat votohet në selinë e PD dhe janë 2300 anëtarë që do të bëjnë zgjedhjen e tyre mes Sali Berishës dhe Ibsen Elezit, dy kandidatëve që janë në garë.

08:40– Votohet për kreun e PD edhe në Vlorë, sa është numri i anëtarëve që pritet të votojnë

Nis zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike edhe në Vlorë. Në tre bashkitë e rrethit të Vlorës kanë të drejtë vote më konkretisht në bashkinë Vlorë rreth 1365 anëtarë, ku procesi i votimit po zhvillohet në pallatin e kulturës “Labëria”. Në bashkinë Selenicë me të drejtë vote janë 906 anëtarë me listat e vjetra ndërsa aktivë rreth 600 të cilët kanë të drejtën e votës në procesin e votimit sot. Procesi i votimit po zhvillohet në fshatin Peshkëpi të Bashkisë Selenicë. Në bashkinë Himarë me të drejtë vote janë 413 anëtarë dhe procesi i votimit po zhvillohet në selinë qendrore të PD në këtë degë. Procesi i votimit ka nisur i qetë dhe pa probleme teksa në momentet e para të tij shihet një interesim i konsiderueshëm i qytetarëve për të votuar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!