A do të marrë fund kriza e grurit? Ukraina dhe Rusia mbyllin bisedimet në Stamboll, në pritje të marrëveshjes

schedule21:28 - 13 Korrik, 2022

schedule 21:28 - 13 Korrik, 2022

Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 140-të duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.

Një ndër çeshtjet që vazhdon të shqetësojë më shumë vendet në botë është bllokimi i grurit ukrainas. Ukraina ka akuzuar prej kohësh Rusinë se ka bllokuar eksportin e grurit duke shkaktuar uri në shumë vende të botës.

Dërgesat e grurit përmes lumit Danub janë shtuar me rihapjen e kanalit Bystre. Numri i anijeve të huaja që arrijnë në portet e Ukrainës për të ndihmuar me eksportet e grurit është dyfishuar në 16 brenda 24 orëve të fundit, sipas zëvendësministrit të infrastrukturës së Ukrainës, Yuriy Vaskov.

Ndërkohë, delegacionet ushtarake nga Ukraina, Rusia dhe Turqia do të takohen me zyrtarë të OKB-së në Stamboll sot për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për të rifilluar eksportet e sigurta të grurit të Ukrainës nga porti kryesor i Detit të Zi, Odesa, teksa kriza globale e ushqimit vijon të përkeqësohet.

-Numri i viktimave nga një sulm me raketa ruse në fundjavë në një bllok apartamentesh banimi në Chasiv Yar, në Ukrainën lindore, u rrit në të paktën 45 persona. Sulmi i së shtunës shkatërroi ndërtesën pesë-katëshe dhe dëmtoi disa të tjera në qytetin e rajonit Donetsk. Nëntë persona fatmirësisht janë nxjerrë të gjallë ndërsa operacioni i shpëtimit vazhdon.

-Rusia thuhet se ka bombarduar qytetin lindor të Bakhmut në rajonin e Donetsk gjatë natës në përgjigje të sulmit të Nova Kakhovka.

-Presidenti rus, Vladimir Putin, do të vizitojë Teheranin javën e ardhshme për të zhvilluar bisedime me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

-Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) tha të martën se më shumë se 5,000 civilë janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, duke shtuar se numri real ndoshta është shumë më i lartë.

-Bashkimi Europian deri më tani ka ngrirë 13.8 miliardë euro (11.7 miliardë £) asete të mbajtura nga oligarkët rusë, individë dhe subjekte të tjera të sanksionuara për luftën e Moskës kundër Ukrainës.

-Brazili po kërkon të blejë sa më shumë naftë që të mundet nga Rusia dhe marrëveshjet u mbyllën dje, sipas ministrit të jashtëm brazilian Carlos Franca, i cili nuk shtoi asnjë detaj më shumë.

Por çfarë ka ndodhur deri më tani?

21:28- Gruri ukrainas shumë shpejt mund të jetë “i lirë”, marrëveshja finalizohet javën e ardhshme

Bisedimet midis Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe zyrtarëve të OKB-së për rifillimin e eksporteve të grurit të Ukrainës në Detin e Zi rezultuan në një marrëveshje për të formuar një qendër koordinimi për të garantuar sigurinë e rrugëve, tha ministri turk i mbrojtjes.

Në një deklaratë, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar tha se një marrëveshje do të nënshkruhet javën e ardhshme kur të gjitha palët të takohen përsëri, duke shtuar se kishin rënë dakord për kontrolle të përbashkëta për drithërat në portet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se është bërë një hap i rëndësishëm dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të rifilluar eksportet e grurit të Ukrainës nga Deti i Zi.

“Javën e ardhshme, shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një marrëveshje përfundimtare. Por, siç thashë, ne kemi ende nevojë për shumë vullnet të mirë dhe angazhime nga të gjitha palët”, u tha ai gazetarëve në Nju Jork.

Ai shtoi se megjithëse Ukraina dhe Rusia ishin angazhuar, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë drejt paqes.

20:24- Merr fund kriza e bukës? Rusia dhe Ukraina përparojnë në bisedimet mbi eksportet e drithërave

Bisedimet në Stamboll mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë për eksportin e grurit ukrainas kanë shënuar përparime.

Burime për Al Jazeera kanë bërë me dije se delegacionet janë shumë afër marrëveshjes, ose tashmë e kanë arritur një marrëveshje.

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina, së bashku me zyrtarë të OKB-së, u takuan në kryeqytetin turk për të gjetur një marrëveshje se si të rikthehet në tregun botëror drithi ukrainas në mes të një krize globale ushqimore.

Ndërkohë, shefi i OKB-së së shpejti pritet të japë detaje mbi një marrëveshje të mundshme mes palëve.

18:32- Rruga e grurit ukrainas kalon nga Stambolli, delegacionet mbyllin bisedimet pa dhënë asnjë detaj

Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë përfunduar takimin me dyer të mbyllura në Stamboll, ku u diskutua për zhbllokimin e eksporteve të grurit në Detin e Zi.

Ministria turke e mbrojtjes bëri me dije mbylljen e bisedimeve, pa dhënë më shumë detaje.

Në deklaratën e publikuar, ministria nuk specifikoi nëse ishte bërë ndonjë përparim në negociatat e para të drejtpërdrejta midis dy palëve që nga marsi.

“Në pavijonin Kalender ka përfunduar takimi katërpalësh ndërmjet delegacioneve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Federatës Ruse dhe Ukrainës dhe delegacionit të Kombeve të Bashkuara lidhur me dërgimin e sigurt të drithërave që presin në portet e Ukrainës nga deti”, thuhej në deklaratë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha sot se Kievi besonte se një marrëveshje ishte ishte shumë afër.

“Shqetësimet e sigurisë, të lidhura me pozicionin e Rusisë, duhet të adresohen. Jemi në fazën finale dhe tani gjithçka varet nga Rusia”, tha Kuleba.

17:27- Bisedimet për eksportin e grurit nga Ukraina, del fotoja nga takimi delegacioneve në Stamboll

Delegacionet nga Ukraina, Rusia dhe Turqia po takohen sot në Stamboll për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për të rifilluar eksportet e sigurta të grurit të Ukrainës nga porti kryesor i Detit të Zi, Odesa.

Pak minuta më parë është publikuar edhe një foto nga takimi, ndërsa nuk janë bërë ende me dije detaje të bisedimeve.

Ministri i Jashtëm ukrinas, Dmytro Kuleba ka thënë më herët gjatë ditës se një marrëveshje për grurin është në fazën përfundimtare, teksa Ukraina shpreson të përshpejtojë eksportet përmes rrugëve të rihapura nga lumi Danub, mes bllokadës ruse ndaj porteve kryesore të Detit të Zi.

16:38- Koreja e Veriut konfirmohet krah Rusisë, njeh pavarësinë e Donetskut

Koreja e Veriut ka njohur pavarësinë e Republikës Popullore separatiste të Donetskut në Ukrainën juglindore, tha udhëheqësi i saj Denis Pushilin për agjencinë e lajmeve RIA Novosti.

Rusia njohu Donetskun dhe Republikën Popullore të Luhanskut në shkurt, disa ditë përpara se të pushtonte Ukrainën.

Vetëm Siria dhe dy republika separatiste në Gjeorgjinë ish-sovjetike, Osetia e Jugut dhe Abkhazia, ndoqën të njëjtën rrugë.

Kuba, Venezuela dhe Nikaragua të cilat thanë se do t’i njihnin të dy rajonet, deri tani nuk e kanë bërë diçka të tillë.

16:30- Një rrugëdalje për grurin, cilat janë portet që Ukraina po përdor për të rifilluar eksportet

Ukraina ka qenë në gjendje të rihapë një linjë furnizimi me drithëra duke përdorur portet në lumin Danub në perëndim të tij të largët.

Ndërsa portet në Detin e Zi janë mbyllur, kuptohet se Ukraina ka mundur të gërmojë një kanal për të çuar anijet në portet e Izmail, Reni dhe Kiliia, raporton Sky News.

Shifrat nga Lloyd’s List Intelligence tregojnë se numri i anijeve që përdorin portet është rritur ndjeshëm në javët e fundit, krahasuar me të njëjtën kohë të një viti më parë.

Lloyd’s, një shtëpi sigurimesh detare britanike, thotë se të tre portet kanë regjistruar një total prej 279 lundrimesh të anijeve tregtare në qershor të këtij viti, nga 23 vitin e kaluar.

Besohet se disa nga anijet janë të afta të transportojnë disa nga 20 milionë tonë grurë që është në ruajtje në Odesa, e cila është një nga portet e Detit të Zi që nuk ka qenë në gjendje të veprojë për shkak të luftës.

Në mars, Ukraina eksportoi 400,000 tonë përmes tre porteve dhe tani po eksporton rreth 1.5 milion ton në muaj.

Kjo vjen pasi zyrtarët ushtarakë rusë dhe ukrainas po takohen për të diskutuar rihapjen e Odesës për transportin detar.

Uebsajtet e gjurmuesve të transportit, si Trafiku Detar, tregojnë një numër në rritje të anijeve që përdorin itinerarin, i përshkruar si Kanali Bystroe.

Administrata e Porteve Detare të Ukrainës tha se rruga ishte bërë e sigurt pasi Ukraina detyroi Rusinë të tërhiqej nga ishulli i gjarpërinjve, pas sulmeve të vazhdueshme ndaj forcave të saj atje.

15:59- Nisin bisedimet mes Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe OKB-së për eksportin e grurit

Bisedimet midis Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë nisur në Stamboll, sipas një deklaratë nga ministria turke e mbrojtjes, sipas CNN.

Ukraina shpreson të përshpejtojë eksportet e grurit përmes rrugëve të rihapura nga lumi Danub, mes bllokadës ruse ndaj porteve kryesore të Detit të Zi.

“Një radhë prej rreth 90 anijesh ndodhet në zonën e lumit Danub prej disa muajsh tashmë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë aty për disa javë të tjera,” tha Vysotsky. “Falë marrjes në kontroll të ishullit të gjarpërinjve, ne kemi arritur të lëvizim 4 deri në 5 anije në ditë.”

“Kjo rrugë nuk është në gjendje të kompensojë vëllimet që ne eksportuam përmes porteve tona të Detit të Zi,” thuhet në deklaratë.

Rreth 80% e grurit të Ukrainës janë eksportuar nga portet e vendit të Detit të Zi përpara pushtimit të Rusisë.

14:34- Negociatat, Ukraina përjashton çdo marrëveshje që mund t’i japë territore Rusisë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka përjashtuar mundësinë e dhënies së territorit Rusisë si pjesë e ndonjë marrëveshjeje armëpushimi. Në një konferencë të mbajtur ditën e sotme, Kuleba u shpreh po ashtu se mes Moskës dhe Kievit nuk po zhvillohen bisedime paqeje.

“Objektivi i Ukrainës në këtë luftë… është të çlirojë territoret tona, të rivendosë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin e plotë në lindje dhe jug të Ukrainës. Kjo është pika përfundimtare e pozicionit tonë negociues,” u shpreh ministri.

Ai shtoi po ashtu se bisedimet për paqen nuk po bëhen aktualisht “për shkak të pozicionit të Rusisë dhe agresionit të saj të vazhdueshëm ndaj vendit.”

Në një intervistë të botuar përpara bisedimeve në Stamboll ku përfshiheshin përfaqësues nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe OKB-ja, Ministri i Jashtëm ukrainas tha po ashtu se mund jenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit të bllokuar nga Rusia.

13:05- Bllokada e mallrave në Kaliningrad, Kremlini: Kishim pritshmëri për një marrëveshje me BE-në

Kremlini tha se kishte pritshmëri në lidhje me një marrëveshje të mundshme të BE-së për të lejuar Rusinë të tranzitonte disa mallra të sanksionuara në Kaliningrad, por se problemi nuk ishte zgjidhur.

Duke folur për gazetarët sot, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: Ende nuk ka një finalizim të kësaj situate. Ne presim një përparim, por nuk mund të themi se problemi është hequr”.

Të hënën, Lituania zgjeroi kufizimet në tregtinë përmes territorit të saj në enklavën e Kaliningradit të Rusisë, me mallra të sanksionuara duke përfshirë beton, dru, alkool dhe kimikate industriale me bazë alkooli.

Guvernatori i Kaliningradit, Anton Alikhanov, ka propozuar një ndalim total të lëvizjes së mallrave midis tre shteteve baltike dhe Rusisë, në përgjigje të asaj që autoritetet në enklavë e kanë quajtur “bllokadë”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka paralajmëruar Lituaninë dhe BE-në se mund të marrin”masa të ashpra kundër tyre nëse tranziti i mallrave nga dhe në Kaliningrad nuk rifillon.

10:58- Bllokada e grurit, delegacioni rus mbërrin në Turqi për negociata mbi zhbllokimin e eksporteve

Delegacioni rus ka mbërritur në Turqi që bisedime rreth eksportit të grurit të Ukrainës. Lajmin e bën të ditur agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.
Agjencia citon burime diplomatike nga delegacioni.

Kujtojmë se të paktën 44 milionë njerëz që mbështeteshin tek Ukraina për t’u ushqyer po përballen tashmë me zinë e bukës dhe situata mund të ndryshojë vetëm nëse lufta merr fund. Bllokadat e porteve kryesore të Ukrainës në Detin e Zi kanë bërë që të ndalë furnizimi me drithë që më parë ushqente milionë persona. Nga uria rrezikohen tashmë vende nga Libia në Liberi dhe nga Siria në Sudanin e Jugut.

Në këtë front, të paktën, Putini duket se po fiton. Një numër në rritje liderësh, të cilëve u bashkua javët e fundit nga kreu i Bashkimit Afrikan Macky Sall, po i bëjnë presion Perëndimit për të hapur rrugën për një marrëveshje paqeje që shumica e analistëve thonë se do të favorizonte Rusinë, por që do të bënte që do të lejonte rikthimin e furnizimeve.

10:33- Kuleba: Marrëveshja për eksportin e grurit me Rusinë është në fazën përfundimtare

Rusia dhe Ukraina janë afër arritjes së një marrëveshjeje për eksportin e grurit nga territori i Ukrainës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, shkruan la repubblica.

Gjithashtu sot në Stamboll pritet të mbahet një takim mes delegacioneve ushtarake të Turqisë, Rusisë, Ukrainës dhe delegacionit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar çështjen e eksportit të grurit.

10:19- Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut hap ambasadën në Moskë

Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut (DPR) ka hapur të martën ambasadën e saj në Rusi. Ambasadorja Olga Makeyeva dhe ministrja e Jashtme Natalia Nikonorova u thanë gazetarëve se diplomatët që përfaqësojnë DPR-në e mbështetur nga Rusia kanë marrë tashmë “një numër të madh” peticionesh nga qytetarët, me synimin për të adresuar problemet e tyre, sipas një raporti në të përditshmen ruse Kommersant, shkruan CNN.

Donetsk shtrihet në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, në të cilin janë zhvilluar bombardime të rënda gjatë muajve të fundit. Rusia njohu pavarësinë e DPR-së dhe Republikës Popullore të Luhanskut (LNR) – një ent tjetër separatist në Donbas më 21 shkurt, tre ditë përpara se Rusia të niste pushtimin e saj.

Hapja e ambasadës në Moskë të martën u zhvillua pa asnjë zyrtar të lartë të qeverisë ruse.“Ne nuk mund të festojmë këtu kur bashkatdhetarët tanë po vdesin,” tha Makeyeva.

Diplomatët gjithashtu planifikojnë të “sigurojnë informacion të vërtetë rreth ngjarjeve në DPR” dhe të rrisin numrin e vendeve që njohin pavarësinë e saj, raportoi Kommersant. Siria është i vetmi vend përveç Rusisë që ka njohur zyrtarisht DPR-në. Sipas Nikonorova, bisedimet për njohjen janë duke u zhvilluar gjithashtu edhe me Korenë e Veriut.

10:-08- Një i vrarë dhe 5 të plagosur nga bombardimet ruse në Kharkiv

Një person është vrarë dhe të paktën pesë janë plagosur nga bombardimet ruse në rajonin e Kharkiv, sipas një deklaratë të guvernatorit rajonal Oleh Synyehubov, sipas The Guardian.

“Terrori i popullatës civile të rajonit të Kharkiv nga pushtuesit rusë vazhdon ende”, tha ai në mesazh në Telegram.

Synyehubov thekson se të plagosurit ndodhen në spital dhe po marrin të gjithë ndihmën e nevojshme, gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe nuk ka rrezik për jetën. Ai pretendon se forcat ukrainase penguan një sulm me raketa në rajon.

Ai tha gjithashtu se “armiqësitë aktive vazhdojnë në territorin e rajonit”, dhe se një 55-vjeçar është vrarë.

Pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

08:55- Sfidë e re për Berlinin, nga 1 gushti Gjermania ndalon blerjen e qymyrit rus, naftën në dhjetor

Gjermania do të ndalojë blerjen e qymyrit nga Rusia më 1 gusht dhe të naftës më 31 dhjetor, tha zëvendësministri i financave i vendit Gerg Kukis gjatë një konference për shtyp në Sidnei.

Por sfida e madhe përpara Berlinit do të jetë plotësimi i boshllëkut të madh që do të krijohet kur Bashkimi Evropian të ndalojë blerjen e gazit natyror nga Moska, sasia e të cilit arrin në 158 miliardë metra kub në vit, theksoi z. Kukis.

“Ne do të ndalojmë blerjen e qymyrit rus brenda disa javësh ,” i tha zyrtari gjerman gjatë Forumit të Energjisë në Sydney, të bashkëorganizuar nga qeveria australiane dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Gjermania po ndërton terminale për të importuar gaz natyror të lëngshëm (LNG) për të filluar plotësimin e boshllëkut të madh të furnizimit me gaz, por Gerg Kukis vuri në dukje se SHBA dhe Katari mund të shesin vetëm 30 miliardë metra kub në Evropë, një sasi e cila nuk është e mjaftueshme.

“Për këdo që e njeh historinë e gazsjellësit të Druzhbës, i cili tashmë ishte një mjet i perandorisë sovjetike për dominimin në Evropën Lindore”, e kupton se “të heqësh qafe këtë varësi nuk është një gjë e parëndësishme, por është diçka që ne do ta arrijmë në disa muaj”, shtoi zëvendësministri i Jashtëm gjerman.

Zëvendësministri i financave shpjegoi se Berlini po promovon kalimin e tij në zero emetimet e gazit serrë dhe legjislacionin për të përshpejtuar projektet për të prodhuar më shumë energji nga burimet e rinovueshme, por gazi është ende absolutisht i nevojshëm në Gjermani.

08:22- Inteligjenca britanike: Rusia ka të ngjarë të marrë në kontroll disa zona në Donbas brenda një jave

Forcat ruse ka të ngjarë të përqendrohen në marrjen e disa qyteteve të vogla të Donbasit gjatë javës së ardhshme, duke përfshirë Siversk dhe Dolyna pranë Slovyansk dhe Kramatorsk, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.

Zonat urbane të Slovyansk dhe Kramatorsk ka të ngjarë të mbeten objektivat kryesore për këtë fazë të operacionit, thuhet në raportin e inteligjencës britanike.

Rusia gjithashtu vazhdon të kërkojë të minojë legjitimitetin e shtetit ukrainas dhe të konsolidojë qeverisjen dhe kontrollin e saj administrativ mbi pjesët e okupuara të Ukrainës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Së fundmi kjo ka përfshirë një iniciativë për binjakëzimin e qyteteve dhe rajoneve ruse dhe ukrainase për të zhvilluar administrata pas konfliktit dhe një dekret për ta bërë më të lehtë për ukrainasit marrjen e nënshtetësisë ruse.

07:34- Lufta në Ukrainë sjell vërshim të armëve ilegale në Europë

Ministrat e Brendshëm të BE janë të shqetësuar, se kontrabanda e armëve në Europë do të mbetet një problem për shumë vite, sepse lufta në Ukrainë ka sjellë një fluks të madh armësh ilegale në treg.

Ishte takimi i parë i ministrave të Brendshëm të BE nën presidencën çeke (11.07) ku në qendër ishte lufta në Ukrainë. Këtë herë nuk u fol vetëm për refugjatët, por edhe për kriminalitetin ndërkufitar, siç bëri të ditur C. “Temë kryesore ishte se si të mbrohemi kundër rreziqeve që shfaqen si pasojë e luftës në Ukrainë.”

Tregtia me armë “një rrezik shumë real”

Në krye të listës së rreziqeve potenciale qëndron kontrabanda me njerëz. Por jo më pak e rrezikshme është tregtia me armë, thotë drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, Aija Kalnaja. “Mendoj se ky është një rrezik shumë real. Prandaj jemi prezent në kufirin mes Moldavisë dhe Ukrainës. Ne besojmë se aty mbërrijnë armët e kontrabanduara. Jemi të përgatitur për ta ndalur këtë.”

Kalnaja ishte e ftuar në takimin e ministrave të Brendshëm të BE si eksperte. Frontex ka ndërmarrë madje edhe aksionet e para kundër tregtisë me armë, konfirmon zëvendësdrejtori, Lars Gerdes. Ka informacione prej kohësh, se rrjete të mëparshme kontrabandistësh tani janë përqëndruar tek armët, ku përmes luftës në Ukrainë është krijuar një qasje gati pa asnjë kufizim. “Këto armë me shumë gjasë bien në duar kriminale. Këtë e kemi parë në konfliktet në Ballkan. Ende sot aty gjenden armë, që e kanë origjinën në konfliktet e Ballkanit.”

Por në Ukrainë kemi të bëjmë me shumë më tepër armë dhe më moderne. Tregtia ilegale me to do të mbesë si problem edhe për dekadat e ardhshme, thotë Gerdes. “Këto armë të kontrabanduara do të përdoren me gjasë për kriminalitetin e organizuar apo në rastin më të keq për të furnizuar terroistët.”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!