TIRANË– Pas katër ditësh, situata e përmbytjeve këtë të premte, duket më e normalizuar nga përmbytjet që u shkaktuan nga moti i keq dhe kryeministri Edi Rama dha një bilanc të asaj çfarë është lënë pas.
“Deri tani janë në rang vendi numëruar 1587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje, po ashtu prania e ujit është konstatuar në 13 mijë e 211 mijë hektarë tokë bujqësore, një pjesë janë përmbytur sikundër dhe disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore”, tha Rama.
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, shefi i qeverisë siguroi të dëmtuarit për dëmshpërblimet, pasi të ndodh vlerësimi në terren.
“Sot dua t’i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj here se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë”, shtoi ai.
Gjatë këtyre ditëve janë dhënë mendime e kritika të ndryshme mbi arsyet pse u rëndua situata e përmbytjeve në zona të ndryshime të vendit. Kryeministri duke u ndalur tek kjo dha një raport mbi intensitetin e lartë të reshjeve të shiut në 3 ditët e fundit.
“Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, deri në 300 milimetra ose thënë ndryshe më shumë sesa sasia mesatare e reshjeve që bie gjatë gjithë muajit. Pra, reshjet 30 ditore mesatare të janarit kanë rënë për një periudhë 3-4 ditore, një fenomen ky që siç e thashë dhe më lartë, si rezultat i ndryshimit të klimës po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën”, pohoi kryeministri
Më pas i dha një përgjigje opozitës, që këto ditë ka folur për hidovoret.
“Aleatët politikë të shiut që shohin tek çdo tërbim të natyrës forcën që do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim duke evaduar sasi të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë herë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve”, tha ndër të tjera Rama.
Në fund, Rama theksoi se qeveria ka një hartë veprimi “në programin e Shqipërisë 2030” për të rritur rezistencën e infrastrukturës në tërësi kundrejt këtyre fenomeneve./abcnews.al


