TIRANË- Pas takimeve elektorale maratonë nga veriu në jug, Partia Socialiste zhvilloi këtë të premte mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore në Parkun Olimpik në Tiranë.
Mijëra simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Socialiste të Tiranës u mblodhën për të ulur siparin e fushatës zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.
Partia Socialiste synon të fitojë mandatin e katërt qeverisë më 11 maj, ndërsa kreu i saj ka premtuar se vota e 11 majit është votë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Kryeministri i vendit Edi Rama në këtë takim përmbyllës shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Ora- 19:45 – PS mbyll fushatën/ Manastirliu: Tirana ka folur në këtë fushatë, bashkë me PS për Shqipërinë europiane
Në mitingun përmbyllës të PS, Ogerta Manastirliu, teksa mbajti fjalën e saj, falënderoi të gjithë skuadrën e Tiranës për punën e vazhdueshme dhe për arritjen e rezultateve sipas saj të suksesshme.
“Tirana ka folur në këtë fushatë, ka folur me qytetari, me zgjuarsi dhe me besimin për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane me Edi Ramën dhe PS. Me skuadrën fituese kemi qenë në çdo cep për të thënë se 11 maji është një ditë historike dhe duhet të bëhemi të gjithë bashkë, me çdo njeri që beson tek ky vizion. Sot do të doja të ishim bashkë e gjithë skuadra e Tiranës, secili prej jush ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Ora 19: 54- PS mbyll fushatën/ Taulant Balla thirrje diasporës: Dërgoni dhe ato pak vota që kanë ngelur, të shtojmë fitoren
Partia Socialiste mbyll këtë të premte fushatën në Tiranë, Taulant Balla gjatë fjalës së tij zgjodhi që t’i bënte thirrje diasporës dhe kryesisht shqiptarëve në Greqi që nesër në mëngjes të dërgojnë dhe ato pak vota që kanë ngelur për të shtuar akoma më shumë fitoren për PS.
“Shumë faleminderit për këtë mbështetje për këtë mbështetje spektakolare këtu në Tiranë, por dua një duartrokitje për diasporën. Plot 200 mijë e më shumë motra e vëllezër në diasporë e kanë shtruar tanimë fitoren e PS dhe është një fitore më e fortë se asnjë herë tjetër. Më e fortë se tre mandatet që kemi pasur deri tani. Por, kemi ende edhe pak orë në dispozicion. Nëse në Greqi, në mëngjes nxitoni çoni dhe ju fitoren si asnjë herë tjetër sepse Edi Rama dhe PS ia ngriti dinjitetin Shqipërisë dhe flamurit tonë kombëtar dhe tani kemi mundësinë që flamurin tonë ta ngremë në oborrin e Bashkimit Europian”, tha Taulant Balla.
Ora 20:05 – “Votoni për Shqipërinë në BE”/ Braçe në mitingun përmbyllës: Përpara një ngjarje historike, koha të plotësojmë ëndrrën e çdo shqiptari
Partia Socialiste mbyll sot fushatën elektorale. Erion Braçe, kandidati i PS në Tiranë, në mitingun përmbyllës në Bulevardin e Ri në Tiranë, bëri thirrje që shqiptarët të votojnë masivisht në 11 maj per numrin 5.
“Ismail Haroku ishte një burrë i drejtë i ndershëm, u nda vetëm pak ditë nga jeta. Dha frymën e fundit duke dorëzuar listën e tij të votuesve për PS të Shqipërisë dhe për Edi Ramën. Nuk dua asgjë më shumë sot se sa për Isamil Harokun, për Halil Hallë, Altin Binjakun të ndarë nga jeta vetëm këto ditë. Janë këta burra që bëjnë PS e Shqipërisë. Shpirti i tyre të prehet në paqe dhe të na udhëheqë nga atje lart. Sot Jemi para një ngjarje të madhe dhe historike. 35 vite me radhë, tre breza kanë kërkuar të jemi në Bashkimin Europian. Ja ku jemi dhe tani është koha për ne. Një lutje kam, çdo votë ka vlerë, dhe e merr vlerën në kutinë e votimit. Ndaj me zemër të fortë dhe mendje të kthjellët, ditën e diel në kutinë e votimit, për t’i bërë Shqiptarët pjesë të BE dhe për ta bërë këtë vend gjithnjë e më të mirë”, tha ai.
Ora 20: 13 – PS mbyll fushatën/ Ministri i Jashtëm Igli Hasani: Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në takimin përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste kërkoi mbështetjen e zgjedhësve për 11 majin.
Ai theksoi se vota për Partinë Socialiste është votë për rrugëtimin evropian.
“Po shihja në televizor “Giro d’Italia. Nuk mendoja se vendi ynë është aq i bukur, ai është i bukur prej jush dhe përpjekjeve tuaj. Kam një thirrje për motrat dhe vëllezërit e mi në njësinë 8. Ta bëjmë njësinë tetë si gjithë Shqipërinë, që Shqipëria të jetë si Evropa. Ta bëjmë njësinë 8, njësinë e fitores, zemrën e vërtetë të Tiranës, zemrën e vërtetë të PS”, tha ai.
Ora 20:35- “9 maji ogur i mirë…”, Spiropali: Europa, ideali, vizioni dhe ëndrra e të parëve tanë
Kryeparlamentarja dhe njëkohësisht drejtuesja për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali tha në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të PS, se Shqipëria në Bashkimin Europian ka qenë gjithmonë një ëndërr, vizion dhe synim i të parëve tanë.
“Sot është dita e Europës, sot 9 maji është dita ku ëndrra më e bukur politike që edhe sot i thërret popujt, i thërret njerëzit drejt paqes, drejt paqes, drejt demokracisë dhe drejt zhvillimit është ogur i mirë për ne dhe për fitoren tonë të 11 majit. Ishte Europa ideali, ideologjia, vizioni i rilindësve tanë.
Europa ishte ëndrra e atit tonë themeluese dhe etërve të tjerë shqiptarë, kur e shpallën pavarësinë dhe e shpallën Shqipërinë Republikë. Ishte ëndrra e atyre që luftuan për një vend të zhvilluar, për një demokraci. Ishte ëndrra e atyre që luftuan në Luftën e Dytë Botërore kundër fashizmit që tentoi të rrafshonte vlerat europiane,” tha kreyparlamentarja Elisa Spiropali.
Ora 20: 38 – Mbyllet fushata/ Majko: Këtë radhë si asnjëherë më parë vota për PS është votë për Shqipërinë
“Sot është një udhëkryq i madh i historisë me 9 maj, është dita e fitores mbi antifashizmin dhe dita e luftës për Europën. Të parët tanë e fituan, tani na takon ne si pasardhës së tyre të fitojmë. Me votë të trokasim në dyert e Europës për të gjithë për të majtët dhe të djathtët. Këtë radhë si asnjëherë më parë vota për PS është votë për Shqipërisë”, tha Majko.
Ora 20:38 -Mitingu përmbyllës/ Rama: Të firmosim më 11 maj marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë në BE
Pas një muaji intensiv, me takime me qytetarë dhe diskutime, Partia Socialiste mbyll këtë të premte fushatën elektorale, në fushën e blertë pranë Parkut Olimpik. Më pjesëmarrjen e mbështetësve, ku miting është shoqëruar me shumë ngjyra, nuk kanë munguar në nisje të takimit edhe muzika, ku ndryshe nga takimet e kaluara, këtë mbrëmje ka qenë e pranishme këngëtarja Elvana Gjata.
Pas fjalës së kandidatëve socialistë në Tiranë, fjalën e mori kryeministri Edi Rama.
Në takimin përmbyllës kryeministri Edi Rama falënderoi qytetarët për mbështetjen duke falënderuar edhe skuadrën e tij për punën e arritur.
“Vëllezër dhe motra ju këtu shokë dhe shoqe, të ardhurave nga Tiranë që ne PS e nxorëm nga gërmadha në vitet ’90 dhe më pas e rilindëm për Shqipërinë europiane, ju jam mirënjohës për praninë tuaj në këtë fushë. Dhe u rikthyen këtu, e gjithë skuadra e Tiranës, në kulmin e një tjetër rrugëtimi 4 vjeçar ngjitjeje, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së Bashkuar.”, tha kryeministri Rama, duke shtuar: “Kur ju më zgjodhët për të udhëhequr ajo majë ishte e paarritshme për shqiptarët ndërkohë që ne ishim të shembur përtokë, ëndrra jonë nisi nga një mjegull e një disfate të rëndë”.
Ora 20: 51 – “Kurrë nuk do të na mundin dot…”, Rama: Do ngjitemi edhe më lart me 78 mandate
Në mbylljen e fushatës elektorale në Tiranë, kryesocialisti Rama tha se pas dështimit dhe poshtërimit të para dy vjetëve Partia Socialiste u ringrit dhe rimori qendrën e sferës politike, duke synuar fitoren historike të dielën e 11 majit.
“Çfarë nuk ka bënë për të marrë Tiranën, me grabitje pasi u bënë të gjithë bashkë me kuç, me maç e me minj. Ajo e përmbysja jone epike me 10 votat të cilat na dhanë një gëzim aq të jashtë zakonshëm, aq edhe të përkohshëm ishte në fakt testi më i vështirë i karakterit që farkëtuam hap pas hapi. Dhe ai rrëzim poshtërues ishte sprova e fundit, pas ngjitjes së pandalshme lart të Partisë Socialiste. 2 vjet pas atij poshtërimi, familja jonë e madhe e rimori skenën qendrën e politikës shqiptare ku jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë dhe ku do të qëndrojmë më të fortë se më parë, pas fitores historike të dielën më 11 maj, të PS”, tha kryeministri Rama.
“Dy fjalë” pati dhe për kundërshtarët politikë, për të cilët tha nuk kanë për ta mundur kurrë Partinë Socialiste. Rama tha se nuk ka lindur ende ajo forcë politike që të jetë më e mirë se “Rilindja”.
“Asgjë, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për mua dhe për ju. Dhe ajo që kundërshtarët nuk kanë për të kuptuar kurrë, është se kurrë nuk do të na mundin dot nëse nuk do të kuptojnë pse ne i mundim çdo herë edhe më fort. Të marrësh më shumë vota se sa ne duhet të jesh më i mirë se sa ne, dihet ne nuk jem i më të mirët, por më të mirë se ne kështu si po shkojnë këto punë, kam frikë se do presim të dalin nga materniteti sepse në rrugët e Shqipërisë harrojeni. Edhe ata që janë pruret e reja, janë humbëse, janë larg e më larg se ne. Ne do të të ngjitemi edhe më lart të paktën me 78 mandate”, shto kryesocialisti.
Ora 20: 53 – “Memorandumi II i Kuçit është bllof”, Rama i përgjigjet skeptikëve: Askush nuk na mund për sa kohë do kemi me vete ambicien më të madhe për Shqipërinë
Në mbylljen e fushatës në Tiranë, kryesocialisti Rama bëri një analizë të mandateve të memorandimit II të Kucit, ku firmosi se PS lëviz mes 78 dhe 88 mandateve.
“Ky është bllof”, “ky është truk”, “kjo eshte propaganda” – thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit dhe pyetja ime është “po pse nuk qenka e vertete apo të paktën në mos e vërtetë pse nuk qenka e mundshme? Ne kemi sot 74 mandate apo jo. A di kush të ma thotë ku, në cilin qark, pse ne do ta humbim një nga këto 74 mandate? Në Kukës, në mos e marrshim dhe një tjetër. Nuk kanë si na e marrin atë një që kemi apo jo? Se nuk i lejon aritmetika është problemi, aritmetika që unë kam mësuar në liceun Artistik, jo ajo 7×7=6 milionë apo ajo “50 mijë ranë në 60 mijë”.
Në Shkodër kemi tre mandate nga 11 që ka Shkodra, më pak nuk ka ku të shkojë. Pse do ta humbim dhe një tjetër apo mos vallë “Kryetari i Bashkisë antikomunisti lëkurë gri, Bardh hardhuca, ai që mundi Benet Becin, dy vjet më parë po e transformon Shkodrën nga një vend plehrash, ferrash dhe plehrash të mbledhura në tre dekada qeverisje të PS për Shkodrën, në një vend të denjë për vizionin europian të demokratëve dhe për statusin e kryeqytetit të veriut”.
Pra, unë them se me çfarë kemi bërë dy vjet për Shkodrën bashke më Benetin është fare normale që të pretendojmë minimumi një mandat plus dhe pse të gjitha sondazhet thonë dy.
Vazhdojmë në Lezhë. Tre mandate nga 7. Që ta humbim dhe një tjetër duhet që Lezha të dielën të gdhihet me bindjen se ndryshimet e mëdha në Lezhë, rilindja e Laçit pas tërmetit janë meritë e vjershëtorit personal të bufit të kënetës, kryebashkiakut faqekuq kameleon Gjekmarkaj. Kjo zor të ndodhë, por më e mundur është të ndodhë që “kameleon vjershëtori” ta humbë një mandat dhe ta marrim ne. Megjithatë nuk e llogaris këtë te minimumi, ta shohim.
Në Durrës kemi 8 mandate dhe mund të humbin një vetëm nëse njerëzit tani në fund do kuptojnë se fuqia e vërtete e ndryshimit të Durrësit, është kryebashkiaku “dyll i verdhë, Oerd gjinkalla”, i cili e ka kthyer Durrësin në kantier nga të katërta anët me mbushjen e veçantë të SHQUP-it dhe nën ku kujdesin e atit të tij shpirtërore bufit të kënetës. Shkurt 8 mandate në Durrës janë një mur që nuk i lëviz dot as topi, ndërkohë që tulla e gjashtë, e kënetës është duke rënë, ta shohim.
Mandati i 9-të i Elbasanit na shpëtoi për një fije para 4 vjetësh. Prandaj nëse zgjedhësit atje nuk do ta marrin vesh deri të dielën, që edhe Formula 1 do ta sjell në Elbasan, pasardhësi i Luciano fake Pavarotti, Ludovik Bej Alizoti, atëherë edhe një plus në Elbasan hynë pa asnjë zor tek minimumi ynë i 11 majit. U bënë dy!
Njëjtë edhe Fierin, nëse fierakët nuk do ia dinë për nder kënetës, që i shpëtoi nga kanceri i Gjanicës, Gazi i botës atje nuk ka asnjë shans ta ndalojë mandatin e 10-të që kthehet në shtëpinë tonë. U bënë tre apo jo?
Në Berat, Korçë, Gjirokastër, nuk i lëviz topi mandatet tona. Në Vlorë, jo e jo, ku mund të ta marrim të 9-in. Po prapë i 9 i Vlorës nuk hyn tek minimumi, se minimumet tona janë llogari 100 % të sigurta, siç ishte 74 në zgjedhjet e kaluara, që rezultoi fiks minimumi i llogaritur.
Prandaj, të katërtin plus që na çon në 78 minimumi, ne do ta marrim në Dibër, ku gra, vajza, burra dhe djem të Dibrës do të bëhen për herë të parë në një palë zgjedhje politike shumicë shumë bindëse për Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Tani disa çyrykë nga ata të berberhaneve mediatike, ku të vërtetat “rruhen dhe qethen” sipas orekseve interesave dhe truri i tyre të dhjamur, siç do ta quante Majakovski, thonë: Rama i bën llogaritë me votat që blen, sepse sipas tyre këtu s’ka zgjedhje për sa kohë fiton PS-ja e Ramës, por ju, unë, të gjithë ne njerëzit e pararojës së kësaj armate të pandalshme elektorale dhe zëdhënësit e kësaj fuqie të pakonkurrueshme qeverisëse e dinë shumë mirë se ne nuk na ka mundur, nuk na mundn dhe nuk do të na mund dot askush për sa kohë do të sigurohemi të kemi me vete vizionin më modern dhe ambicien më të madhe për Shqipërinë, forcën më të madhe udhëheqëse dhe eksperiencën më të madhe qeverisëse, vendosmërinë më të madhe për ndryshim dhe nevojën më të pandashme për vetë ndryshim. Ne jemi bartësit e palëkundur të shpirtit europian të Shqipërisë në jetën politike shqiptare dhe për sa kohë ne do mbetemi të tillë, asgjë dhe askush nuk do ta ndalë dot ngjitjen tonë me Shqipërinë në krahë në Bashkimin Europian.” tha Rama.
Ora 20: 55 – “Nuk e harrova Tiranën e lënduar”, Rama jep projeksionin elektoral: Tirona ha buk veç, marrim 20 mandate
Partia Socialiste në qarkun e Tiranës do të marrë 20 mandate deputeti. Ky ishte projeksioni i kryesocialistit Edi Rama, i cili tha se Tirana është krenaria kombëtare e Shqipërisë, pasi Tirana është e të gjithëve, ndërsa e quajti Tiranën të lënduar, pas arrestimit të Veliaj.
“Po Tiranën! Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit, e harrova vallë që nuk e rendita në listën e qarqeve me mandatet e tyre, nuk e harrova, natyrisht. Po, pse atëherë e lashë jashtë listës së mësipërme? Ndërkohë që brenda nesh debati lidhur me sondazhet, lidhur me të dhënat nga terreni, është se në Tiranë ne do të marrim një apo dy plus, duke shkuar nga 18 në 20. Nuk e harrova, por e lashë veç, sepse “Tirana ha bukë veç”. Është jo vetëm kryeqyteti dhe qarku më i madh i Shqipërisë, me shumë diferencë nga i dyti, por Tirana është dhe krenaria jonë më e madhe, jo thjesht si qytetar të saj, po si shpëtimtarët dhe transformuesit e saj që i kemi dhënë këtij qyteti dikur të mbytur në llumin e kënetës, sharmin e pamohueshëm të Europës.
A ju kujtohet ça ishte këtu ku jemi mbledhur sot, edhe rrimë për qejf mbi gjelbërim? Kënetë! A ju kujtohet ça ishte nga do hidhje sytë nëpër Tiranë? Kënetë! I kam parë zogjtë dhe minjtë e kënetës të shfaqen gjatë këtyre javëve nëpër ca rrugica të pashtruara pranë ca kazanëve të mbingarkuar për të lajmëruar ditën e qametit për mua dhe për ju, dhe ardhjen e sherbetit për ta dhe për bufin e tyre. Mjerë, mjerë, mjerë ky vend për ta.
Po unë këtu s’e kam me ta, po e kam me të gjithë ata tironsa dhe tiranas me rrënjë të vjetra dhe me degë të reja, në këtë Amerikën tonë të vogël, ku ka 1001 gjëra për të rregulluar, po ama ka një gjë të madhe për të mos e harruar, këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që e kthyen në jetë dhe që i dhanë identitet, i dhanë famë, i dhanë dinjitet domethënë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër!
Këtë qytet do ta bëjmë më të kamur, më të bukur, më solidar me më të dobëtit, më të sigurtë për më të vegjëlit dhe më krenarë për të gjithë. Vetëm ata që ia pastruan baltën nga fytyra, që ia larguan çibanët nga trupi, që e veshën e zbukuruan, ia shumëfishuan vlerën pa pushim pronës së qytetarëve të tij dhe shumëfishuan pa ndalim fuqinë e organizmit të tij. Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që jo vetëm e duan por edhe e dinë ç’është e bukura dhe ç’është fuqia e të bukurës, vetëm ata që jo thjesht ndërtojnë kopshte, shkolla, palestra, çerdhe , kënde lodrash, parqe, lulishte, infrastrukturë, më shumë se të tërë tjerët bashkë në dekada të tëra, por që në çdo gjë që ndërtojnë, sjellin më shumë Europë në Tiranë dhe në Shqipëri.” tha Rama.
Ora 21:02 – “Tirana e çdo fëmijë që fjalën e parë e thotë “o nënë”/ Rama: “O tirons demokrat”, më 11 maj mendo për Shqipërinë europiane
Në këtë miting përmbyllës të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një mesazh qytetarëve të Tiranës, por edhe demokratëve.
Rama ka nënvizuar rëndësinë e këtyre zgjedhje, dhe iu ka bërë thirrje tiranasve që në këto zgjedhje të votojnë përtej ngjyrave politike, por për pasaportën europiane.
“Tirana është krenaria jonë më e madhe. I kemi dhënë sharmin sharmin e pamohueshëm këtij qyteti. Ngado hidhje sytë në Tiranë, ishte kënetë. I kam parë zogjtë dhe minjtë e kënetës të shfaqen në disa rrugica për të lajmëruar ditën e kijametit për mua dhe ju. Por mjerë ku vend për ta. Unë këtu e kam me të gjithë ata tironca dhe tiranas, në këtë Amerikën tonë të vogël, ku ka një gjë për të mos e harruar. Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që i dhanë dinjitet, pra ne PS e Shqipërisë dhe askush tjetër. Këtë qytetar mund ta bëjnë më të kamur, më solidar , më të sigurt dhe më krenar për të gjithë vetëm ata që ia pastruan baltën nga fytyra dhe ia larguan çibanët nga trupi dhe që e veshën e zbukuruan dhe shumëfishuan vlerën papushim pronës së qytetarëve të tij. Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetën ata që jo thjesht ndërtojnë shkolla kopshte apo çerdhe më shumë se të gjithë bashkë, por që në çdo gjë që ndërtojnë sjellim më shumë Europë në Tiranë dhe Shqipëri.
Tironca dhe tiranas kam një mesazh, Tironën ndajeni veç, se Tirana han buk veç. Mos e ngatërroni me ngjyrat e partisë sepse është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, dhe e fëmijëve të Kosovë, e fëmijëve të shqiptarëve të RMV dhe çdo fëmijë që fjalën e parë e thotë “O nënë”. O tirons demokrat, të dielën duhet të mendosh më shumë për Shqipërinë në BE, se tiranasit të lëkundur i them se ke mllef, por duhet të mendosh për pasaportë europiane të familjes tënde. Duhet të mendojë të dielën për blunë e Europës dhe kuqezinë e Shqipërisë dhe jo për flamurin e partisë së njërës dhe partisë së tjetrin”, tha Rama.
Ora 21:04- FOTOLAJM/ Beteja e audiencës, Berisha humb Tiranën përballë Ramës
Edi Rama dhe Sali Berisha mbyllën thuajse në të njëjtën orë fushatën elektorale në Tiranë, por gara zhvillohet edhe në rrjetet sociale.
Në fjalimet Live në Facebook, kreu i PD Berisha lë shumë për të dëshiruara në krahasim me kryesocialistin Rama.
Duket qartë se Rama, për nga shikueshmëria, e ka lënë shumë pas Berishën
Ora 21:06- “Latifi do iki andej nga erdhi, më i pasur se sa erdhi”, Rama: Bufi do ta thërrasë revolucion pa kthim mëngjesin e të martës
Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama, në takimin përmbyllës elektoral në Tiranë u shpreh se Partia Socialiste do të fitojë minimumi 78 mandate më 11 maj.
Ai bëri epilogun e fushatës në këto 30 ditë teksa e cilësoi të qetë në radhët e PS.
Ai komentoi dhe përplasjet dhe grushtimin në disa episode nga radhët e Partisë Demokratike. Kryesocialisti u shpreh se Sali Berisha, të cilin e etiketoi si “buf kënete”, pas 11 majit do këndojë sërish refrenin e njohur prej vitesh: “Na i vodhën zgjedhjet”. Më tej, Rama tha se i vetmi ndryshimi është se LaCivita do largohet më i pasur, seç erdhi.
“Ky rrugëtim nëpër shqiptar ka qene i bukur, i qetë, pozitiv, nuk ka pasur ndotja të mëdha akustike apo pamore, përves atyre grumbujve të leshterikëve të kënetës apo grushtet e shkelmave të kënetës mes vetes. Fushata mbaroi dhe në fushë do të hyjë sovrani, populli, me votën tij.
Vazhdimin e dimë, bufi do ta falënderojë popullin për fitore mbrëmjen e të dielës, do të alarmojë për vjedhjen e votave drekën e të hënës dhe do ta thërrasë në revolucion pa kthim mëngjesin e të martës.
Latifi do iki andej nga erdhi, do iki më i pasur se sa erdhi. Do të harrohet Latifi njësoj si kapelja trampiste që ia rrasi bufi në kokë. Do marrin mandatin e katërt, me të paktën 78 mandate”, tha ai.
Ora 21:16 – Rama mbyll fushatën me thirrje për Tiranën: Mos u mendo më, po bëhu lokomotiva e trenit të këtij misioni
Kryeministri Edi Ram mbylli fushatën elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit në kryeqytet. Ai u ndaj tek ajo që ka qenë kryefjala e fushatës së tij, mbyllja europiane, integrimi i Shqipërisë në BE dhe pajisja e pasaportës europiane.
Tirana është qyteti që prodhon më shumë mandate, prandaj dhe mbyllje të fushatës, Rama u kërkoi të gjithë qytetarëve të Tiranës që të dielën të votojnë për Shqipërinë në BE.
“Tirana e madhe dhe e bukur, mos u mendo më, por bëju të dielën lokomotiva e fuqishme e këtij misioni”, tha kryeministri Edi Rama duke kërkuara që nga kryeqyteti të korrë një fitore prej 28 mandatesh.
“Për Shqipërinë më moderne, me arsimin më të zhvillimin digjital, për Shqipërinë me një industri të lindur ushtarake dhe një industri të zhvilluar agroushqimore. Për një Shqipëri me një nivel më të lartë sigurie dhe rrugë kombëtare, qytetet të mëdha e shkolla të siguruara me sistem kamerash inteligjente. Për Shqipërinë me një qendër rajonale ekselencë, në kompleksin e QSUT-së dhe me një spital inteligjent në qytetin e Durrësit. Për Shqipërinë edhe më moderne online, me parke të zhvilluara dixhitale.
Për Shqipërinë me Korridorin Blu dhe me Korridorin e VIII, në operim, me portin e madh të Durrësit në operim, me aeroporte në operim… Do të ndalem pathënë të gjithë listën e pafundme të të gjitha punëve që nuk janë program elektoral, por janë plane të qeverisjes të çdo sektori.
Dua ta mbyll këtë pjesë me punën e të gjitha punëve. Për mbylljen e negociatave të Shqipërisë deri në vitin 2027. Të gjitha ato që thashë janë detyra, kurse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është misioni ynë kombëtar. Është fati europian që ka ardhur në dorën tonë dhe dora jonë është në fletën e votimit, për ta mbajtur fati në dorë dhe për të vendosur për fatin me duart tona më në fund. Dora me pesë gishtat na ka dhënë mundësin e një vote krenare për një Shqipëri krenare në familjen Europiane, për një Shqipëri të re, për një histori të re që ngrihet në lartësi, për një Shqipëri drejt finishit, të një rrugëtimi të gjatë, sa vetë ekzistenca e shqiptarëve në mes të Europës.
Për një Shqipëri ku barazia e ligjit kthehet në një bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe kur përkatësia europiane nuk është vetëm në zakon, por dhe në ligj, kur nuk është vetëm në fletë, por dhe në pasaportën europiane të çdo fëmije të Shqipërisë. Tirana e madhe dhe e bukur, mos u mendo më, por bëju të dielën lokomotiva e fuqishme e këtij misioni. Për ty, për ne dhe për gjithë Shqipërinë, nxirr nga dora jote 20 mandate”, u shpreh kryeministri.
/abcnews.al/