LIVE/ Luftë në Europë, ukrainasit mbrojnë Kievin, Perëndimi pajtohet për përjashtimin e Rusisë nga sistemi SWIFT

schedule23:50 - 26 Shkurt, 2022

schedule 23:50 - 26 Shkurt, 2022

Që prej 24 shkurtit Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Një sulm i tillë ka ngjallur reagimet e ndërkombëtarëve të cilët bëjnë thirrje për armëpushim. Nga ana tjetër Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës, ndërsa homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.

Disa shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas Kiev edhe gjatë orëve të mbrëmjes së të premtes. Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka kryer sulme me raketa në qytet. Presidenti ukrainas Zelensky iu drejtua kombit dhe i ka bërë thirrje Rusisë për një armëpushim. Ndërkohë përmes videove të publikuar në rrjetet sociale presidenti ukrainas ka bërë me dije se ai është në ballë të luftës dhe nuk do të dorëzohet.

Zelensky refuzoi edhe një ofertë të Uashingtonit për të ndihmuar në evakuimin e tij nga Ukraina, thonë mediat amerikane. Zelensky tha se “lufta është këtu. Unë kam nevojë për municion, jo një udhëtim”.

Rusët marrin kontrollin e kompleksit të Çernobilit – vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë. Sanksionet e reja ndaj Rusisë, janë vendosur nga SHBA, BE dhe nga Britania e Madhe. Putin mbron pushtimin, duke thënë se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të mbrojtur Rusinë.

Më poshtë gjeni raportimin LIVE të Abcnews.al për luftën në Ukrainë:

23:26 – Goditje e madhe për Rusinë, aleatët perëndimorë do të heqin bankat ruse nga Swift

BE, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara sapo kanë lëshuar një deklaratë të koordinuar që dënon pushtimin rus.

“Ndërsa forcat ruse lëshojnë sulmin e tyre ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona,” thonë ata.

Masat që do të zbatohen në ditët në vijim përfshijnë heqjen e “bankave të zgjedhura ruse nga sistemi i Swift”.

20:27- Pushtimi rus, miliona në Bitcoin derdhen në Ukrainë nga donatorë anonimë

Analistët e kriptomonedhave thonë se të paktën 9 milion dollarë (6.7 milion £) janë dhuruar deri më tani për përpjekjet e luftës në Ukrainë përmes donacioneve anonime të Bitcoin.

18:37 – Lufta në Ukrainë, Putin urdhëron ushtarët: Sulmoni në të gjitha drejtimet

Ushtarët rusë janë urdhëruar që të rifillojnë ofensivën e tyre në të gjitha drejtimet në Ukrainë. Lajmi është bërë me dije nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Ofensiva rifillon pas një pezullimi për negociatat me qeverinë ukrainase

17:11- Gjermania heq bllokimin e madh, gati armët vdekjeprurëse si ndihmë për Ukrainën

Gjermania ka hequr bllokimin për transferimin e armëve vdekjeprurëse të lidhura me të, për të lejuar dërgimin e 400 granatahedhësve me raketa (RPG) nga Holanda në Ukrainë .

13:10 – Franca kap anijen ruse

Marina franceze ka kapur një anije mallrash ruse në kanalin anglez me destinacion Shën Petersburgun raporton BBC.

Zyrtarët francezë i thanë BBC-së se anija u kap në përputhje me sanksionet e reja të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë duke bërë që të mbahet në portion verior  të Boulogne-Sur-Mer.

“Një anije mallrash ruse 127 metra e gjatë e quajtur ‘Balttic Leader’ që transportonte makina është kapur gjatë natës nga marina franceze në Kanal dhe është shoqëruar në Portin e Boulogne-Sur-Mer në Francën Veriore”, tha zyrtari, përcjell abcnews.al.

“Ajo është dërguar në portin francez pas një kërkese të qeverisë franceze, sepse dyshohet se i përket një kompanie të shënjestruar nga sanksionet e BE-së kundër Moskës. Forcat kufitare franceze aktualisht po verifikojnë anijen e mallrave. Ekuipazhi në bordin e anijes ka bashkëpunuar me autoritetet franceze.”

Ambasada ruse në Francë po kërkon shpjegime nga autoritetet franceze lidhur me konfiskimin, tha agjencia ruse e lajmeve RIA.

12:30 – “Gra të Rusisë, merrini burrat tuaj në shtëpi ose do t’jua vrasim!” Ministri ukrainas, thirrje ruseve

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba ka dalë me një thirrje të fortë ndaj grave, nënave dhe vajzave të Rusisë. Përmes postimit të fotos së disa ushtarëve rus të kapur në Ukrainë, Kuleba shprehet se ata nuk do t’i presin rusët me lule, prandaj nënat, gratë dhe vajzat ruse t’u bëjnë thirrje të tërhiqen nga vendi.

Nëna, gra dhe vajza të ushtarëve rusë! Merrni burrat tuaj në shtëpi. Ata erdhën në një tokë të huaj për të vrarë njerëz të pafajshëm, për të shkatërruar shtëpitë tona. Qeveria juaj po gënjen. Populli i Ukrainës i pret me armë, jo me lule. Kërkoni nga autoritetet të ndalojnë luftën pushtuese, shpëtoni të dashurit tuaj!”, shkruan Kuleba në Twitter.

Ukraina ka raportuar për më shumë se 3 000 ushtarë rusë të vrarë gjatë luftimeve të ditëve të fundit duke shënuar një rekord humbjesh për Rusinë gjatë dekadave të fundit. /abcnews.al

11:20 – 3 500 ushtarë të vrarë dhe 102 tanke të shkatërruara, Putini nuk ia del. Rusia nis “shkatërruesit e qyteteve” drejt Ukrainës

Rusia ka humbur 14 avionë, 8 helikopterë, 102 tanke, 536 mjete të blinduara dhe një sistem anti-ajror BUK që nga 24 shkurti, sipas ushtrisë së Ukrainës, raporton KyivIndependent.

Kremlini humbi gjithashtu mbi 3500 ushtarë, thanë Forcat e Armatosura të Ukrainës më 26 shkurt, ndërkohë që rreth 200 ushtarë janë kapur të gjallë dhe janë tashmë rob lufte.

Sipas mediave ukrainse, Rusia ka filluar rishpërndarjen e njësive rezerviste në zonat në kufi me Ukrainën dhe vazhdon të kryejë sulme ajrore në objektiva ushtarake dhe civilë.

Sulmet ajrore synojnë qytete si Sumy, Poltava, Mariupol dhe Kiev, të cilat u përballen me luftime të ashpra gjatë natës.

Sipas mediave ndërkombëtare, në drejtim të Ukrainës tashmë janë nisur njësitë e mortajave të rënda “2S4 Tyulpan 240mm”, të cilat njihen edhe si “shkatërruesit e qyteteve” për shkak të fuqisë së madhe të shpërthimit të predhave që hedhin.

10:40 – Hajdeni merrni trupat e mijëra rusëve të vrarë: Ukraina, thirrje Kryqit të Kuq

Diplomati i njohur ukrainas Olexander Scherba ka postuar në llogarinë e tij në Tëitter një thirrje të ministrit të Jashtëm të Ukrainës ndaj Kryqit të Kuq që të vijnë të marrin në dorëzim trupat e ushtarëve rus të vrarë gjatë dy ditëve të para të pushtimit.

Scherba thotë se janë mijëra rusë të vrarë gjatë dy ditëve të para dhe se Kryqi i Kuq duhet të marrë masat.

Një ditë më parë, ushtria ukrainase tha se kishte vrarë të paktën 2 800 ushtarë rusë deri dje pasdite, ndërsa raportuan për 80 tanke të shkatërruar dhe qindra automjete të blinduara.

09:40 – Biseda epike. Ushtari rus: Kemi mbetur pa naftë, shoferi: Hajdeni t’ju shoqëroj deri në Rusi

Ushtria ukrainase raportoi dje se autokolona të rusëve kanë mbetur rrugëve të Ukrainës ka furnizime dhe karburant duke bërë që të kërkojnë ushqime përreth. Një lajm i tillë u shpërnda edhe në mediat ndërkombëtare, ndërkohë që sëfundmi po qarkullon edhe një video ku një ukrainas gjen të mbetur në rrugë një autoblind rus, i cili ka mbetur pa karburant.

Mes tyre zhvillohet kjo bisedë:

Shoferi: Si jeni? Keni mbetur në rrugë?

Ushtarët: Po, na ka mbaruar karburanti..

Shoferi: Atëherë mund t’ju tërheqj unë deri në kufirin me Rusinë

(qeshin bashkë)

Ushtarët: Çfarë thonë lajmet,.,si po shkon lufta?

Shoferi: Thuhet se djemtë tanë po luftojnë mirë, kurse ju po dorëzoheni po ashtu mirë

(Qeshin).

Pavarësisht retorikës agresive të Putinit ndaj Ukrainës, mes sondazhet tregojnë se rusët përgjithësisht nuk kanë mendim negativ për ukrainasit, po ashtu edhe ukrainasit ndaj rusëve, gjë që konfirmon edhe kontekstin e kësaj bisede miqësore mes tyre.

09:08- Sulmi rus në Kiev, 35 civilë të plagosur, mes tyre dy fëmijë

35 persona, përfshirë dy fëmijë kanë mbetur të plagosur gjatë sulmeve të ashpra në Kiev, sipas kryebashkiakut të qytetit, shkruan The Guardian

Ai nuk dha detaje të mëtejshme por sipas një raporti nga Reuters, duke cituar një këshilltar të ministrisë së brendshme, nuk raportohet për viktima në bllokun e apartamenteve që u godit mëngjesin e sotëm nga një raketë ruse.

8:44- Franca dërgon armë dhe municione në Ukrainë

Franca ka dërguar armë dhe municione në Ukrainë, ndërsa Perëndimi vazhdon ti dërgojë armë Ukrainës në betejën e tyre me trupat ruse, shkruan BBC

Presidenti Zelensky zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Francës Macron të shtunën në mëngjes.

“Koalicioni kundër luftës po funksionon!” shkroi Zelensky në Twitter.

Të shtunën, Macron postoi një video duke deklaruar: “Lufta do të zgjasë,  ne duhet të përgatitemi për të!”

Macron tha se Franca do t’i sigurojë Ukrainës një “ndihmë shtesë buxhetore prej 300 milionë euro”.

08:37- Dita e tretë e pushtimit rus, Kiev goditet nga dy raketa 

Kievi është goditur mëngjesin e sotëm nga dy raketa. Por është e paqartë se cilat kanë qenë objektivat. shkruan BBC

Sipas qeverisë së qytetit të Kievit, një nga raketat goditi një ndërtesë banimi. Shërbimet e urgjencës ndodhen në vendngjarje, por ende nuk dihet numri i viktimave, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko.

Gjithashtu, një nga raketat ka goditur një zonë afër aeroportit Zhuliany të kryeqytetit.

08:30 – Rusia merr në kontroll një qytet në Ukrainë

Rusia ka marrë në kontroll qytetin Melitopol, qendra më e rëndësishme që është marrë në kontroll që nga fillimi i sulmit rus, BBC.

Melitopol është një qytet që ndodhet pranë portit kryesor ukrainas të Mariupolit, në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhya.

Rreth 150,000 ukrainas jetojnë në Melitopol.

08:01 – Presidenti ukrainas poston video, mohon se ka bërë thirrje për dorëzim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka postuar një video të vetë-xhiruar në Twitter duke ecur nëpër rrugët e Kievit në një përpjekje të dukshme për të luftuar thashethemet se ai i ka bërë thirrje ushtrisë që t’i dorëzohet trupave ruse raporton “BBC”. “Ka shumë informacione të rreme në internet që i bëj thirrje ushtrisë sonë të lërë armët dhe se ka evakuim,” tha ai në një sfond të Shtëpisë Gorodetsky të Kievit.

“Unë jam këtu. Ne nuk do të dorëzojmë armët. Ne do të mbrojmë shtetin tone”.

06:12 – Shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri raportohen në qendër të Kievit

Me afrimin e mëngjesit, ka raportime për luftime intensive në Kiev. Sipas një postimi në faqen e Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook, “betejat e rënda po vazhdojnë” në zonën e Vasylkiv të qytetit. Dhe se “lufta aktive” po zhvillohet tashmë në rrugët e kryeqytetit raporton “BBC”. Qeveria e Kievit gjithashtu konfirmoi luftimet në një deklaratë më herët dhe paralajmëroi banorët të qëndrojnë në strehimore dhe të mos i’u afrohen dritareve apo ballkoneve.

Raportet e gazetarëve me bazë në Kiev në mediat sociale sugjerojnë gjithashtu se luftimet kanë shpërthyer me të vërtetë në rrugë. Shumë po përshkruajnë shpërthime të forta dhe të shtëna me armë zjarri shumë më afër qendrës së qytetit.

04:44 –Shefi i OKB-së u kërkon trupave ruse të kthehen në kazerma

Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka thënë se paqes duhet t’i jepet një shans tjetër, menjëherë pas një takimi të Këshillit të Sigurimit ku Rusia vuri veton ndaj një projekt-rezolute që do të dënonte pushtimin e saj në Ukrainë. Rezoluta ishte e dënuar të dështonte për shkak të të drejtës së vetos së Rusisë si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“OKB ka lindur nga lufta për t’i dhënë fund luftës. Sot ky objektiv nuk u arrit. Por ne kurrë nuk duhet të dorëzohemi. Ne duhet t’i japim paqes një tjetër shans, shkroi ai në Twitter.

Menjëherë pas kësaj, ai u kërkoi trupave ruse të përfshira në pushtimin e Ukrainës të ktheheshin në kazermat e tyre raporton “BBC”. Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia falënderoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit që nuk e mbështetën draftin, të cilin ai e përshkroi si “anti-rus”.

01:11 – Ukraina shtang Rusinë: Rrëzuam avionin gjigant, qindra të vdekur në pak sekonda

Ushtria ukrainase ka deklaruar se gjatë luftimeve në jug të Kievit kanë rrëzuar një avion IL 76 rus, i cili përdoret për transport ushtarësh ose logjistike.

Deri më tani nuk ka reagim nga rusët për diçka të tillë, por ukrainasit thonë se avioni ishte i mbushur me trupa të Kremlinit që po tentonin të merrnin kontrollin në zonë.

IL 76 është një avion gjigant dhe besohet se brenda tij kanë qenë gati 200 trupa ruse që do të zbrisnin në një aeroport aty pranë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!