LIVE/ Kuvendi i Berishës, nga miratimi i statutit të ri, te Komisioni i Rithemelimit dhe “shkarkimi” i Bashës

schedule18:00 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 18:00 - 11 Dhjetor, 2021

Më shumë se 4 700 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur nga Sali Berisha kanë qenë sot në stadiumin “Air Albania” ku kanë miratuar disa ndryshime në statutin e partisë. Një ndër pikat kryesore është ajo detyron kryetarin që të largohet në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Ky është cilësuar edhe si “neni Basha” pasi synon pikërisht këtë të fundit.

Pas hyrjes në fuqi të statutit të ri deri ne konstatimin e organeve të reja që do të jo më vonë se katër muaj, partia do të drejtohet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit që do të përbëhet nga 15 personalitete.

Më pas parashikohet një zgjedhjeve e strukturave të reja nga baza në qendër dhe kryetarit të ri sipas parimit një anëtar një votë.

Në draft statutin e ri që do të miratohet është shtuar edhe neni 66 që nuk njeh përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi u shpall “non grata” nga SHBA. “Cdo akt i organeve të partisë Demokratike i ndërmarrë para hyrjes së fuqi të këtij statuti që bie ndesh me dispozitat e tij shfuqizohet automatikisht” thuhet në nenin 66.

Hyrja e delegatëve dhe simpatizantëve të PD-së ka nisur në orën 09:30 të mëngjesit në stadium, ndërsa u verifikuan nëpërmjet një sistemi që kontrollon vlefshmërinë e kartës së anatërësisë.  Në fjalën e tij, Berisha tha se “non grata” në fakt nuk është ai, por Lulzim Basha. Kuvendi i mbylli punimet pasi numëroi votat për shkarkimin e Bashës.  Nga momenti i miratimit të shkarkimit të Lulzim Bashës në referendumin e 18 Dhjetorit deri më 22 Mars kur do të zgjidhet kryetari i ri, Partia Demokratike do të drejtohet nga një komision i përbërë nga 29 anëtarë.

Ora 18:07 Kuvendi i Berishës ‘shkarkon’ Lulzim Bashën, ja sa delegatë kanë votuar pro

Ka përfunduar numërimi i votave dhe Kuvendi i mbledhur nga Sali Berisha ka votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës. Nga 4934 delegate , 4491 kanë marrë pjesë në votim  dhe 4446 prej tyre kanë votuar pro shkarkimit të Bashës nga posti i kryetarit të PD.

16:35- Këlliçi thirrje Ramës: Largo policinë nga godina e PD, s’ka nevojë të mbrohet nga askush

Kryetari i Komisionit të përkohshëm të ngritur nga Kuvendit Kombëtar të PD Belind Këlliçi i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të largojë makinat e policisë nga selia e PD.

Ai tha se PD nuk ka nevojë të mbrohet me polici, por mjaftojnë dy rojet në hyrje të godinës. Ai tha se ky është një provokim pasi PD është e demokratëve dhe nuk duhet të mbrohet nga askush.

“Kam një thirrje drejtuar Edi Ramës. Jemi informuar që makina policie ndodhen rreth selisë së PD. PD e mbrojnë vetëm dy rojet Papi dhe Iliri. I bëj me dije kryeministrit që nuk ka nevojë të mbrohet selia e PD. PD është e demokratëve dhe nuk ka nevojë të mbrohet nga askush”, tha ai.

Pavarësisht numrit të madh të forcave të rendit përreth, situata në selinë e PD-së duket mjaft e qetë, siç duket edhe në videon e mëposhtme.

16:11- Mbyllet votimi i fshehtë, nis numërimi i votave për shkarkimin e Lulzim Bashës

Demokratët në Kuvendin e Berishës në stadiumin Air Albania kanë përfunduar procesin e votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Rreth orës 16:00 ka nisur procesi i numërimit të votave.

Ndërkohë Basha ka thirrur në orën 16:00 kryesinë e PD në selinë blu. Nuk dihet ende se çfarë vendimi ka marrë Basha pas zhvillimeve në Kuvend.

16:10- Kjo është vula e re e PD-së sipas vendimeve të marra në Kuvendin e Berishës

Në Kuvendin e mbajtur ditën e sotme në “Air Albania” nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij janë marrë një sërë vendimesh.

Mes tyre, me propozimin e një grupi anëtarësh dhe me mbështetjen e të paktën 15 për qind të delegatëve, Kuvendi vendosi ndër të tjera që vula e PD dhe simboli i saj të kthehet tek forma origjinale që ka pasur kur u themelua partia.

ABC ka siguruar një foto në të cilën duket sesi është vula e re e partisë, sipas vendimeve që u morën në Kuvendin e sotëm.

Kujtojmë se po ashtu në Kuvendin e sotëm u miratua në parim statuti i Partisë Demokratike, u miratua nen për nen statuti i PD, u miratua neni për primarët, referendum, neni për fraksionet në PD, neni Basha-kryetari shkarkohet pas humbjes dhe delegatët votuan 67 nenet e satutit të ri.

Po ashtu  gjatë ditës së sotme, delegatët e Kuvendit të thirrur nga Berisha në “Air Albania” kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisë.

16:07- Kuvendi i Berishës votoi për shkarkimin e tij, Basha s’rri “duarkryq”, bën lëvizjen e radhës

Ndërsa Kuvendi i Sali Berishës ka votuar për shkarkimin ose jo të kreut të PD Lulzim Basha, ky i fundit ka thirrur kryesinë e partisë në orën 18:00.

Kuvendi i mbledhur nga ish-kryeministri që prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm në stadiumin “Air Albania”, vendosi shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë ka përfunduar votimi për shkarkimin e Bashës, ndërsa ka vijuar numërimi i votave për të dhënë në fund rezultatin. Nuk dihet nëse Basha në këtë mbledhje do të vendosë për përjashtimin e delegatëve që ishin në Kuvend dhe votuan ndryshimet statutore dhe shkarkimin e tij.

Pak metra larg Kuvendit të Berishës Basha gjatë një fjalimi në selinë  e PD me rastin e 31 vjetorit të themelimit të saj u shpreh se dera është e hapur për të gjithë. Në këtë ditëlindje Basha tha se PD është ndarë për shkak të interesave personale të një individi, referuar këtu Berishës. Sipas tij mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë historinë por nuk mund ta bëjnë këtë pa mbështetjen e SHBA dhe BE.

15:34- PD e ndarë në ditën e lindjes, Rama mesazh të koduar në rrjetet sociale, kë shigjeton?

Teksa PD festoi ditëlindjen e 31-të e ndarë në dy kampe, kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të koduar në rrjetet sociale. Rama ka shpërndarë një thënie të Emil Cioran ku flitet për një person në majat e dëshpërimit që kapet pas pasionit të absurdit si e vetmja forcë që mund të hedhë dritë mbi terrin e kaosit.

“Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet – morale, estetike, fetare, sociale e me radhë – pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë?

Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s’ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë”, shkruan Rama.

15:00- I shpallën të atin President nderi, Azem Hajdari: Zemra thërret PD

Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha shpalli sot Azem Hajdarin kryetar nderi të Partisë Demokratike. Djali i vogël, që mban emrin e liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit falënderoi Kuvendin për vlerësimin e të atit dhe u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen me PD-në.

Falenderoj PD-në për vendimin që vlerësoi babanë tim si president i përjetshëm i kësaj partie. PD është mbi çdo pjesëtar, është thirrja e zemrës së njeriut. Në ditë si kjo dhe në ditë si ajo që ka luftuar PD, dua të them se njeriun dhe plumbi nuk e lufton dot, por e bën të pavdeskshëm.

Ftoj të gjithë moshatarët e mi dhe të gjithë rininë që të investojnë në tokën, dheun e nënës dhe babait të tyre. Shpresoj që ku kuvend dhe cdo kuvend që PD të mbajë të jetë në përmirësimin e kësaj partie, që ka qenë aty në momentet më kritike të vendit” tha ai.

14:59A do shkojnë në selinë e PD pas Kuvendit, Paloka: Nuk marrim asgjë me dhunë

Edi Paloka është pyetur nga gazetarët nëse do shkojnë në selinë PD pas përfundimit të punimeve të Kuvendit. Paloka deklaroi se nuk do të marrin asgjë me dhunë pasi Kuvendi ka marrë vendimet e tij.

“Nëse në selinë e PD kanë frikë nga demokratët, ky është fundi pastaj, ne nuk marrim asgjë me dhunë, nuk ka nevojë.

 Kuvendi i mori vendimet e tij, të gjithë kanë detyrimin t’i zbatojnë. Kuvendin do ta njohin patjetër”, tha ai.

14:40- Kadilli mes Kuvendit të Berishës: Sali hap krahun, duhet lider i ri

Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli i bëri thirrje Sali Berishës nga Kuvendi i tij në stadium “Air Albania” që të hapë krahun  dhe të largohet, pasi e djathta ka nevojë për një lider të ri.

Rregulli që kryetari që humbet zgjedhjet duhet të largohet duhet të fillojë të zbatohet me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Vetëm nëse Basha dhe Berisha përjashtohen ne do të kalojmë provën e seriozitetit.

Vetëm atëherë do të fillojë ndryshimi i vërtetë i PD-së. Nëse nuk e bëjmë do të jemi që nesër në një krizë të re. Nëse jemi këtu për të zëvendësuar Bashën me Berishën kemi mashtruar veten. Duhen udhëheqës të rinj. Ne kemi nevojë për një brez të ri politikanësh.

Të ndalojmë cdo kryetar humbës në krye të partisë. Të krijojmë një administratë profesionale me statut dhe mendësi të re. Të sjellim një ekip të ri në krye të partisë. I bëj një thirrje Berishës, ky është momenti për t’i hapur rrugë të resë. Rikthimi juaj në krye të PD mund të duket sikur zgjidh krizën sot, por vdes të ardhmen nesër” deklaroi ai.

14:36- Edith Harxhi zbulon hapin e radhës të Kuvendit të Berishës: Mbledhjet do i zhvillojmë në selinë e PD

Edith Harxhi e cila u zgjodh sot anëtare e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike që do të jetë në funksion deri në datë 22 Mars ka deklaruar se hapi i radhës pas Kuvendit Demokrat do të jetë rikthimi në selinë e PD.

Ajo tha për gazetarin e ABC Juxhin Mustafaraj se mbledhjet e këtij komisioni do të zhvillohen pikërisht në PD . Harxhi u shpreh se më 18 Dhjetor nuk do të ketë Kuvend të dytë të Partisë Demokratike pasi sipas saj vendimet e marra nga partia e drejtuar nga Basha janë shfuqizuar sot me votën e delegatëve.

“Unë ndihem po aq pro amerikane dhe e dashuruar me Amerikën sa kam qenë gjithmonë. Secili prej nesh ka bindjet e veta. Ajo që dua të them është se ka ardhur momenti që nuk duhet të mbinatyralizojmë njerëzit. Shtetet kanë rolin e tyre për të pasur një afërsi. Kjo afërsi nuk do të shuhet kurrë dhe do të qëndrojë në piedestalin e hierarkisë. Pyetjes suaj si do i imponohemi Partisë Demokratike do i përgjigjem që ne jemi Partia Demokratike. Vendimet do të hyjnë në fuqi menjëherë.

 Do ketë një regjistrim të statutit. Ndihem e nderuar që jam anëtare e komisionit të rithemelimit. Kam qenë 18-vjeç kur është themeluar Partia Demokratike. Mendoj që ditët e ardhshme do mblidhemi si komision. Mbledhja do zhvillohet në shtëpinë tonë. Në Partinë Demokratike. Ky kuvend sot ka vendosur të hedhë poshtë vendimet e marra nga kryesia e partisë disa javë më parë edhe për të ashtuquajturin kuvend të datës 28 Dhjetor. Për mua ka rëndësi vazhdimësia e këtij procesi.

E para referendumi  në datën 18. E dyta është më pas përgatitja e kuadrit të brendshëm për zgjedhjet në PD që do vazhdojnë nga baza e deri lart. Ky program politik do jetë krejtësisht konservator. Komisioni ka marrë të gjitha funksionet. Për mua ka rëndësi legjitimetit i shumicës. Kështu që legjitimiteti i shumicës është ajo që fiton në fund. Nuk do ketë kuvend në datë 18. Ranë disa vendimet e kryetarit që ishte në detyrë deri para disa orësh. Ne do të shohim si do të vijojmë me çështjen e listave dhe problematikën”, tha Harxhi. 

14:30- Sali Berisha voton shkarkimin e Lulzim Bashës

Ish-kryeministri Sali Berisha me dy gishtat lart hodhi fletën e votimit në kutinë e vendosur në stadiumin “Air Albania” ku po mbahet Kuvendi. Me dy gishtat lart lideri historik i PD-së përshëndeti demokratët. Sali Berisha thirri Kuvendin për të larguar Lulzim Bashën pasi e përjashtoi nga grupi i PD-së.

14:14- Glauk Olldashi dhe Azem Hajdari në krah të Berishës në Kuvendin Kombëtar të PD

Djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi i është bashkuar Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha në stadiumin “Air Albania”. Në nisje të Kuvendit, Olldashi është parë duke dalë nga ambientet e stadiumit.

I kontaktuar nga gazetarja e Abcnews.al Mimoza Vraja ai ka treguar se largimi ka qenë i momentit për të parkuar automjetin dhe më pas është kthyer sërish për t’iu bashkuar demokratëve.

Mes të rinjve që i janë bashkuar sot Kuvendit, është edhe djali i vogël i Azem Hajdarit që mban emrin e të atit. Ai është parë në krah të Berishës.

13:56- Berisha i drejtohet SHBA-ve: Më hiqni “Non grata-n” ose vazhdoj luftën për t’u rikthyer në pushtet

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur sot në stadiumin Air Albania i bëri thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të rishqyrtojnë vendimin për shpalljen e tij non grata. Berisha theksoi se do të vazhdojë misionin e tij për përmbysur regjimin dhe për sjellë Partinë Demokratike në pushtet.  Ai u bëri thirrje zyrtarëve amerikanë të dërgojnë në Gjykatën e Parisit çdo provë dhe fakt për shpalljen e tij non grata.

“Ndaj dhe unë nisa betejën time po aq i vendosur, si 32 vjet më parë të bëj gjithçka për dinjitetin tim, në sallën e gjyqit dhe kam muaj dhe muaj që pres. Asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë. Për faktin e vetëm që nuk ekziston. U bëj thirrje zyrtarëve të DASH të çojnë në Paris çdo dokument që kanë. Unë marr çdo vendim ndaj vetes sime.

Jam mirënjohës ndaj miqve në Europë dhe SHBA për qëndrimet ndaj këtij vendimi.  Do vazhdoj pathyeshëm misionin tim si besimtar i Zotit dhe dinjitetit të njeriut. Beteja ime nuk do ndalet kurrë. Ftoj zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimin e tyre sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Unë u garantoj ju që do vazhdoj misionin tim bashkë me ju për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri”, tha Berisha.

Ai deklaroi se ambasadorja e SHBA në Shqipëri mbështet qeverinë duke mbyllur sytë para paligjshmërisë dhe sulmon opozitën.

“Burokratët dhe njerëzit ndonjëherë e harrojnë këtë. Presidenti i SHBA me dekretin e tij dekreton në këtë vend një ambasadore përfaqësues te vlerave te interesave, demokracisë dhe sigurisë së këtij kombi. E paimagjinueshme. Në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e policisë, përfaqësuesi i vendit të madh të lirisë përgëzon policinë për luftën kundër drogës.

Në kulmin e korrupsionit dhe shtrimit të Shqipërisë në protektoratet e krimit të organizuar, përfaqësuesi i këtij vendi bën ligjërata në mbështetje të qeverisë dhe nga mëngjesi deri në darkë sulmon opozitën. Në një kohë kur propozohen dhe ndëshkohen trafikantë të markave të ndryshme, një trafikant tjetër dërgohet në Shtëpinë e Bardhë, Kur kthehet për t’u vënë para drejtësisë procesi shpall proces politik i diktaturës komuniste. A vijnë këto nga shteti ligjor i SHBA? Këto vijnë fund e krye nga mafia e George Soros. Edhe më keq akoma një ditë, në maj të këtij viti DASH shpall non grata Sali Berishën. 8 vite pasi kishte dhënë dorëheqjen nga çdo rol.

Njeriu që ishte lavdëruar më shumë nga SHBA për luftën kundër korrupsionit. Shpall non grata njeriun që gjatë jetës së tij nuk kishte pasur akuzë për korrupsion. Një njeri që kishte bërë gjithçka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. Një njeri që 31 vite më parë në drejtim të kësaj partie kishte përmbysur në Shqipëri diktaturën, kishte hedhur bazat e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor. Në qeverisjen e tij kishte shënuar projekte të mëdha të shekullit në fushën e energjisë, anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe kishte mbështetur pa kushte qëndrimet e SHBA në fushën e sigurisë dhe paqes.

Së fundmi njeriun që për të gjitha këto ishte votuar nga shqiptarët, në përqindje aq shumë sa zyrtarët dhe burokratët në fjalë as në ëndërr nuk e kanë parë. Çfarë do bëja unë në këtë rast në vitin 2013. Shumë nga ju kërkuan që të mos jepja dorëheqjen. Por unë thashë që dinjiteti im e kërkon që unë të jap dorëheqjen. Dhe unë ju kam thënë të vërtetën. Po të shkojmë më tutje 32 vjet të shkuara në një natë të zezë dimri. Unë kisha marrë një vendim që të dilja dhe përballesha me diktaturën. Ai është vendimi më i rëndësishëm i jetës sime”, deklaroi Berisha.

13:44- Berisha sulm Yuri Kim: Po sillet si ambasadori i Bashkimit Sovjetik

Lideri historik i PD-së Sali Berisha sulmoi hapur dhe ashpër ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim duke deklaruar se po sillet në Shqipëri si guvernatore, “njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik“. Ish-kryeministri e cilësoi mjerane dhe brutale ndërhyrjen e Yuri Kim në Shqipëri.

Kundër nesh peng-kryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA-ja.

Me këtë rast unë dua të theksoj dhe t’u them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër, në historinë tonë pakkush më shumë se ne ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri sot. Bashkimi Sovjetik ashtu sikur e cilësoi Presidenti amerikan Regan, ishte perandoria e së keqes, e degradimit të njeriut, e mjerimit, e dhunës, terrorit.

E kundërta e tij janë SHBA-të. Perandoria e lirisë, e vlerave. Vendi i madhi lirisë ka bërë për lirinë e shqiptarëve më shumë se cdo vend tjetër në botë. Por vendi i madh ka bërë për lirinë e botës gjithashtu më shumë se kushdo. Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA-së të sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit e harrojnë këtë” tha ai.

Më tej Sali Berisha nga stadiumi “Air Albania” u foli demokratëve për një rithemelim të PD-së, pasi sipas tij, Lulzim Basha në tetë vitet e fundit e çoi majtas duke e larguar nga vlerat konservatore.

Lulzim Basha u kujdes para së gjithash për karrigen e tij, për marrëveshjen me kreun e Meduzës, vendosi të sistemonte PD-në, ta shndërronte atë në një fasadë opozitë në një stojcë të narkoshtetit shqiptar.

Ai përjashtoi drejtues të PD-së nga funksionet drejtuese pa asnjë konsultë, pa asnjë analizë. Sulmoi në mënyrë të verbër partnerët tanë të denjë, FRPD-në dhe Lidhjen Demokratike të Gruas. Në 8 vite, Lulzim Basha partinë e vlera konservatore e spostoi majtas.

Me qëndrimet e tij dëshmoi se jo vota, jo vlerat e demokracisë, por parimet e partive të majta, ishin pasioni dhe vullneti i tij.  Në këto kushte të shumtë ishin ata që besonin se PD duhet të shkrihej dhe se mbaroi misionin e saj dhe se ajo është një forcë që nuk fiton dot.

Për të gjitha këto arsye themelore, demokrate dhe demokratë në mbarë vendin u bashkuan me nismën  e “Foltores” dhe ata vendosën që të rithemelojnë PD-në, që ne sot e bëjmë realitet. ‘Foltorja’ ishte uragani që kaloi nga qyteti në qytet. Ju kërkuat që PD të rithemelohet” tha ai.

Në fund kishte një thirrje për të gjithë demokratët. “Të mos shkojmë pas atij që e konsideron partinë si pronë personale, pas njeriut që nuk ka asnjë normë përveç pabesisë, është drejtuesi që kalon nga disfata në disfatë. Demokratët meritojnë fitoren, të ardhmen dhe vizioni i tyre për Shqipërinë është më i shkëlqyeri. Rroftë PD-ja e rithemeluar. Rroftë Shqipëria” deklaroi ai.

13:30Berisha: Basha nuk lëvizi një gjethe për t’i vënë kufirin Ramës, nuk sosi asnjë protestë me sukses

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar në Air Albania, ish-kreu i PD Sali Berisha sulmoi pasardhësin e tij në detyrë Lulzim Basha. Ai tha se Basha u përkul para regjimit të Ramës. Ai tha se Basha nuk lëvizi asnjë gjethe për t’i vënë kufirin kryesocialistit dhe sipas tij çdo nismë që nisi e ndërpreu me urdhër të personave të tretë.

“Të dashur delegatë dhe delegate. Ne mblidhemi sot për të rithemeluar Partinë Demokratike në një kohë kur me gjithë trashëgiminë tonë të shkëlqyer pa mohuar gabimet, ne erdhëm në vitit 21 të këtij shekulli para një alternative shumë të rëndë. Partia që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe dha kontribute historike në pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e shqiptarëve. Partia që hodhi bazat e ekonomisë së tregut dhe projekteve të mëdha energjetike dhe në të gjitha fushat. Partia qeveria e të cilës ngriti shqiptarët në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.

Qeveria e kësaj partie futi Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të shpejtë. Ajo ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera më SHBA, vendet e BE, Italinë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe etj. Kjo parti arriti në vitin 2021 si një forcë politike e cila krijonte përshtypjen se ndodhej para altnerantivës “To be or not to be”. Si ndodhi kjo/ Miqtë e mi në vitin 2013, PD pas 8 vitesh në qeveri humbi zgjedhjet. Realizoi rotacionin e pushtetit. Kryetari i saj dha dorëheqjen ashtu si i takon çdo kryetari ku humb zgjedhjet.

Në krye të PD erdhi përfaqësuesi i një gjenerate që në vend që të fuqizonte PD, bëri të kundërtën e saj. Lulzim Basha në 8 vite de facto u faktua vetë si një kauk opozitar. Ai nisi drejtimin e partisë duke u përkulur në kundërshtim me ligjet, kushtetutën, fuqinë e pakufijshme të forcës që drejtonte, duke u përkulur para regjimit Ramës. Dy vite pas dorëzuam pushtetin Edi Rama i bllokoi bulevardin, sistemin e lumit, vendosjen e tramvajit. Të gjitha këto projekte të mbështetura nga qeveria e PD.

Duke pasur një armatë të tërë demokratësh dhe duke disponuar bashkinë më të madhe të vendit. Kryetari i Vendit nuk lëvizi një gjethe që t’i vinte Edi Ramës kufirin për vete, për ju, për qytetarët e Tiranës. Zinxhiri i gabimeve të tij erdhi duke u trashur çdo nismë që nisi, e ndërpreu me urdhër të cilit, të kujt, askush se di. Çdo protestë që nisi nuk e sosi kurrë me sukses. Bëri prita politike kundër bashkëpunëtorëve të tij, personaliteteve që kishin kontribute politike në këtë parti”, tha Berisha.

13:15 –  Berisha sulmon Xhorxh Sorosin: Triumfojmë ndaj mafias ndërkombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha ka filluar fjalën e tij mes brohoritjeve etë delagëteve dhe mbështetësve të PD-së në stadiumin “Air Albania”. Ndërkohë që Berisha fliste, mbështetësit i kanë ndërprerë fjalën nëpërmjet thirrjeve. Berisha e cilësoi Kuvendin si monument të lirisë dhe të rithemelimit të Partisë Demokratike.

Ish-lideri i PD-së bëri një përshkrim të rrugëtimit të PD-së duke filluar nga fillimi i viteve ’90, gjatë ngjarjeve të 1997, për të ardhur edhe në vitin 2005 kur demokratët u rikthyen në pushtet me atë kryemistër.

Është Kuvendi që mbloidhet si monument i lirisë. Është monument irithemelimit të PD-së. Ky është Kuvendi i parë në histori që në thelb është kulti i anëtarit të PD-së. Më lejoni sot në emrin tuaj të përulem me mirënjiohje të palkufishme ndaj studentëve dhe studenteve liberatorë të dhjetorit 1990 që u ngrihën si luanë të vërtetë me në krye prijesin e tyre legjendar Azem Hajdarin dhe zhvilluan në rrugët e Tiranës një betejë që ngjasonte me atë të Davidit kundër Goliathit.

Nga njëra anë ishin studentët me vullnetin e hekurt dhe nga ana tjetër diktatura me tanke, blinda dhe mitroloza. Studentët themeluan PD të atyre bvlerave që ne sot rivendosim në themelet e saj“, tha ai.

Berisha tha se ishin mbledhur sot për të rithemeluar Partinë Demokratike, ndërkohë që sulmoi nominalisht Xhorxh Sorosin duke e cilësuar si kreun e mafias ndërkombëtare dhe që është kundër interesave të shqiptarëve.

Ky Kuvend  është shpëtimtari  vlerave të mëdha që ndajmë me ta. Ky Kuvend është i vendosur që të rrëzoijë narkoshtetin në Shqipëri, si edhe të ngrëjë PD-në si parti konservatore në piedestalin që e meriton duke u përballur me mafien ndërkombëtare, kreun e saj dhe armikun më të madh të interesave të shqiptarëve, multimiliarderin Xhorxh Soros”, tha Berisha pasi kishte përshëndetur më parë konservatorët në të gjithë botën.

13:09 – Kuvendi i Berishës: Kjo është lista me 29 figurat që do të drejtojnë PD-në

Komisioni i Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha ka miratuar 29 emrat e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së që do të drejtojë partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Në listë është vetë Berisha dhe më besnikët që kanë mbështetur lëvizjen e tij kundër Lulzim Bashës. Ky komision do ta drejtojë PD-në deri në 22 Mars të vitit të ardhshëm ku do të ketë një Kuvend Kombëtar të ri ku parashikohet zgjedhje e strukturave të reja nga baza në qendër dhe kryetarit të ri sipas parimit një anëtar një votë.

29 Emrat e këshillit

Agron Shehaj

Albana Vokshi

Aldo Bumçi

Arben Ristani

Belind Kelliçi

Blendi Himci

Bujar Nishani

Çlirim Gjata

Edit Harxhi

Edi Paloka

Edmond Spaho

Eno Bozdo

Ervin Minarolli

Evi Kokalari

Flamur Noka

Gent Deromemaj

Genc Pollo

Genti Strazimiri

Rigels Mucollari

Ivi Kaso

Keltis Kruja

Klevis Balliu

Ledina Mandia

Luan Baci

Lorenc Luka

Mimoza Hajdarmataj

Oerd Bylykbashi

Sali Berisha

12:31 – Basha hap festën në PD: Instalacion për firmëtarët e demokracisë, pa SHBA s’mund ta shkruajmë historinë

Teksa pak metra më larg delegatët e Berishës janë mbledhur në një Kuvend në stadiumin Air Albania, nga shkallët e selisë blu, kryedemokrati Lulzim Basha hapi festën e njoftuar për 31-vjetorin e Partisë Demokratike. Ai zbuloi instilacionin e vendosur para PD për të nderuar firmëtarët e krijimit të kësaj partie.

Basha deklaroi se rruga e demokratëve nisi plot me sprova në Dhjetor të vitit 1990. Ai u shpreh se askush dhe asgjë nuk ia heq krenarinë demokratëve. Ai tha se mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë historinë por nuk mund ta bëjnë këtë pa mbështetjen e SHBA dhe BE.

“Zonja dhe zotërinj, demokratët dhe demokrate. Të dashur miq dhe të ftuar. Mblidhemi në një ditë kuptimplotë për shqiptarët që kanë në zemër vlerat e lirisë dhe demokracisë që kanë nisur 31 vjet më parë në një rrugëtim plot me sprova dhe nga ëndrrat më të bukura nga studentët e dhjetorit. Nga aspirata e tyre për liri politike.

Që lindi pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike. Së pari dhe ndryshe nga herët e tjera PD e kujton këtë ditë duke përjetësuar në ambientet e saj dokumentin themeltar të firmëtarëve të Partisë Demokratike. të atyre që janë jashtë Atdheut dhe atyre që kanë ardhur për të festuar me ne nga SHBA Kanada dhe kudo tjetër. Sot këtë instalacion do ta zbulojnë dy vajza të forumit rinor të Partisë Demokratike si simboli i vazhdimit të misionit tonë për rininë dhe të ardhmen. Vëllezër dhe motra sprovat tona kanë qenë të panumërta.

Disa prej tyre i kemi mbajtur brenda vetes kundër një regjimi barbar dhe diktatorial. Që ktheu vëllain kundër vëllait. Që shkatërroi objektet e kultit, shkatërroi pronën e lirë dhe lirinë e pronës dhe izoloi Shqipërinë dhe varfëroi ndërgjegjen e kombit duke ndaluar artin dhe letërsinë. T’i mbijetosh kësaj çmendurie nuk është fat por tregues i guximit dhe instiktit të mbijetesës. T’i prish daljes nga kjo greminë ishte dhe mbetet misioni i shenjtë i Partisë Demokratike. Me barrën e rëndë të së kaluarës në supe. Me mina të plasura dhe të paplasura kemi ecur përpara. Kemi njohur momente dështimi.

Me peshën e gabimeve që rëndojnë mbi supet e shqiptarëve. Jam në krahun e demokratëve si kryetar i një familje politike që di edhe kur gabon ta pranojë gabimin dhe të ecë përpara drejt të ardhmes. Askush edhe asgjë nuk ia heq krenarinë demokratëve për gjërat e mëdha që kemi bërë për këtë vend që nga rrëzimi i diktaturës te futja në NATO. Të kujtojmë sot që këto arritje mbajnë vulën e demokratëve. Kujtojmë po kështu të ndershëm dhe të sinqertë në një ditë si kjo. Mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë sërish historinë. Pa mbështetjen e perëndimit dhe SHBA dhe BE”, tha Basha.

12:20 –  Bylykbashi shpalos statutin e ri në Kuvendin e Berishës: Po humbe zgjedhjet ikën në shtëpi

Deputeti Oerd Bylykbashi shpalosi në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha të gjitha ndryshimet që do të bëhen në statutin e ri të Partisë Demokratike.

Futja e referendumit, primaret, por edhe forcimi i organeve kolegjiale janë disa nga pikat e statutit të ri të PD-së. Një tjetër pikë lidhet me sanksionimin në statut të faktit që nëse humbet zgjedhjet pavarësisht arsyes, largohesh.

Sot japim provën se demokracia brenda partisë nuk është burokraci, por ideale dhe kontribut. Organet u kthyen në shtabe ushtarake. Sot propozojmë ndryshime në statut. Sot synojmë të projektojmë një PD. Ndryshimet konfirmojnë vlerat mbi të cilat është krijuar partia jonë, që mbron vlerat konservatore”, tha ai. 

12:12 –  Këlliçi: 4934 delegatë në Kuvend, plotësohet kuorumi për vendimmarrje

ryetari i Komisionit për punimet e Kuvendit të Berishës Belind Këlliçi deklaroi se janë 7646 delegatë që kanë firmosur për thirrjen e tij. Këlliçi deklaroi se sot të pranishëm në Kuvend janë 4934 delegatë. Ai u shpreh se numri është më i madhe se kuorumi i kërkuar.

“Në lidhje me numrin e thirrjeve që kanë kërkuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar nevojitet ¼ për të thirrur Kuvendin. Numri total është 7646. ¼ është 1913 firma delegatësh. Sekretariati teknik më njofton se 4200 formularët e dorëzuar me firma janë të pranishëm në kuvend.

Numri i delegatëve që kanë thirrur Kuvendin, në zbatim të statutit deklaroj se ky kuvend është i thirrur ligjërisht sipas statutit të Kuvendit të Partisë Demokratike. Numri i delegatëve që janë paraqitur sot 4934 delegatë. Duke qenë se numri është më i madh, deklaroj se Kuvendi ka kuorumin e ligjshëm sipas statutit të PD dhe ka aftësi të plotë vendimmarrje nga ky çast. Pranë sekretariatit teknik janë paraqitur dy kërkesa që kërkojnë vendimmarrje nga kuvendi”, tha ai.

11:33 –  EMRAT/ Ky është komisioni, si do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve të Berishës

Hapjen e Kuvendit të Sali Berishës e bëri kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka. Më pas u zgjodh komisioni që do të drejtojë punimet dhe që kryesohet nga Belind Këlliçi.

Emrat e Komisionit që do të drejtojë punimet e kuvendit
Belind Këlliçi-drejtues
Albana Vokshi
Ervin Minarolli
Ivi Kaso
Edmond Spaho

Sekretariati
Minushe Lazaj
Nade Daullja
Ledio Nuraj

Belind Këlliçi u shpreh se do të jenë 72 përfaqësues të zgjedhur për të verifikuar të gjithë delegatët përmes kodit unik.

11:31 –  Paloka hap Kuvendin e Berishës: Jemi demokratët e rrebeshit, jo të shampanjës, rithemelojmë PD

Edi Paloka ka hapur Kuvendin e thirrur nga ish-kreu i PD Sali Berisha, ditën e sotme në stadiumin Air Albania. Paloka deklaroi se kjo ditë do të hyjë në historinë e Partisë Demokratike si dita e rithemelimit të saj. Ai u shpreh se opozita e vërtetë nuk hyn në pazare me Edi Ramën.

“Mirë se keni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë. Prania juaj sot këtu në një ditë si kjo ku mesa duket edhe Zoti ka dashur të shtojë simbolikën e tij. Ne jemi demokratët e rrebeshit. Të tjerët le të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do të hyjë në historinë e PD. Për herë të parë mblidhet një kuvend me kërkesën e delegatëve. As thjesht për numrin e pazakonshëm të pjesëmarrësve.

 Pas 31 vitesh ne mblidhemi edhe njëherë për ta rithemeluar Partinë Demokratike mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritën dhe për ta vendosur përfundimisht në shinat e konservatorizmit. E kam konsideruar veten me fat që në dhjetor të vitit 1990, u bëra pjesë e lëvizjes studentore dhe njëri prej atyre që themeluan PD. Sot do themi me krenari”, tha Paloka. 

11:21 –  Zbulohet statuti që do të miratojë Kuvendi i Berishës: Basha, “non grata” dhe drejtimi PD-së

Kulmi i Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha sot në “Air Albania” do të jetë miratimi i statutit të ri të PDSH-së. Gazetari i “ABC” Juxhin Mustafaraj ka siguruar dosjen që i vendosur në dispozicion cdo delegati me ndryshimet që do të miratohen në statut.

Qëllimi kryesor është shkarkimi i Lulzim Bashës. Pas hyrjes në fuqi të statutit të ri deri ne konstatimin e organeve të reja që do të jo më vonë se katër muaj, partia do të drejtohet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit që do të përbëhet nga 15 personalitete. Më pas parashikohet një zgjedhjeve e strukturave të reja nga baza në qendër dhe kryetarit të ri sipas parimit një anëtar një votë.

Në draft statutin e ri që do të miratohet është shtuar edhe neni 66 që nuk njeh përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi u shpall “non grata” nga SHBA. “Cdo akt i organeve të partisë Demokratike i ndërmarrë para hyrjes së fuqi të këtij statuti që bie ndesh me dispozitat e tij shfuqizohet automatikisht” thuhet në nenin 66.

11:18 –  FOTO/ Krah për krah me delegatët, kush janë demokratët “VIP” në Kuvendin e Berishës

Shkallët e stadiumit në Air Albania, në tribunën e rezervuar nga demokratët për Kuvendin e thirrur nga Berisha po zihen nga delegatët që kanë firmosur për zhvillimin e tij.

Në radhët e demokratëve të tjerë në sy kanë rënë edhe personazhe të njohur të PD.

Në sy bien Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Julian Deda, Floriana Garo, Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi etj. Berisha doli nga shtëpia e tij pas orës 11:00 për të mbërritur brenda pak minutash në stadium ku është pozicionuar mes demokratëve të tjerë.

11:06 –  A do ktheheni në seli? Berisha drejt Kuvendit: Basha i pakallur, asgjë s’i pengon demokratët

Ish-kreu i PD Sali Berisha është nisur drejt stadiumit Air Albania ku do të mbahet kuvendi i thirrur prej tij. Berisha tha se asgjë nuk i pengon djemtë dhe vajzat e PD për t’u bashkuar në rithemelimin e PD.

Berisha tha se Kuvendi merr vendimet e veta ndërsa kreun e PD e cilësoi të pakallur që jep mesazhe turpi. Ai la pa përgjigje pyetjen nëse do kthehen në selinë e Partisë Demokratike në përfundim të Kuvendit.

“Në historinë e lirisë së këtij kombi. Triumfi i revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit. Asgjë nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për t’u bashkuar në rithemelimin e PD. Mesazhi më i bukur që ata i dërgojnë sot shqiptarëve kudo ku janë.

Miqve tanë në Europë dhe botë. Ai (Basha) është prej kohësh një i pakallur. Por kuvendi merr vendimet e veta. Mesazhet janë histori turpi dhe morën përgjigjen më të shkëlqyer nga demokratët.”, tha Berisha.

A do ktheheni në seli sot

Mirupafshi, mirupafshim… (Largohet, nuk përgjigjet)

10:56 –  Vishuni trashë, Berisha u jep mëngjes delegatëve

Sali Berisha mbrëmjen e djeshme u bëri thirrje delegatëve dhe simpatizantëve të tij që vishen trashë në momentin që të nisen për në Kuvendin që do të mbahet në “Air Albania”.

Por ish-kryeministri përpos kësaj është kujdesur edhe për ushqimin.

10:36 –  Dosja e statutit, Boçi për ABC: Jam i impresionuar, delegatët duan shkarkimin e Bashës

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi shprehet i impresionuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Në një prononcim për “ABC” ai tha se delegatët kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës.

Pjesëmarrja është impresionuese. Sipas statutit Kuvendi është mëse i ligjshëm dhe politikisht është i ligjshëm dhe pas ndryshimeve do të veprohet sipas statutit dhe pritet dhe ka një kërkesë nga delegatët për shkarkimin e kryetarit të PD-së. Votimi do të jetë i fshehtë. Masat janë me dhomë të fshehtë. Hapësirat janë siguruar.

Kuvendi është thirrur nga pjesa më e madhe e delegatëve” shprehet ai. Gazetari Juxhin Mustafaraj tha se në ulëset e cdo delegati është vendosur një dosje me ndryshimet që propozohet që të miratohen në Kuvendin e sotëm.

10:26 –  Pamjet brenda stadiumit, Strazimiri dhe Balliu drejtojë delegatët e Kuvendit të Berishës

Prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm vijon futja e delegatëve dhe militantëve, mbështetës të Sali Berishës në stadiumin “Air Albania”.

Gazetari i ABC, Juxhin Mustafaraj raporton se në pikat e hyrjes së stadiumit ndodhen dy ish-deputetët Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri.

Check-ini për delegatët nuk po bëhen në hyrje, por do të realizohet sipas organizatorëve në momentin që do të ulen në stadium në vendin e caktuar.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!