Debate në Kuvend për marrëveshjen me Emiratet, Alibeaj: Kërkoni ekstradimet me Dubain. Balla: Nuk e ka asnjë vend

schedule15:25 - 15 Shtator, 2022

schedule 15:25 - 15 Shtator, 2022

E enjtja mbledh deputetët në Kuvend. Sipas rendit të ditës pritet diskutimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare në kuadër të partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për rregullat specifike te zbatimit të asistencës financiare të BE-së.

Më pas do të diskutohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe terrorizmit.

Projektligji tjetër që do të diskutohet ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e Irlandës për qëllime të lidhura me migracionin.

Urdhër dhe rendi i ditës për seancën plenare, datë 15 shtator 2022, ora 10 00 (1)

18:48- Xhaferaj: Largimi i qytetarëve nga Shqipëria është situatë alarmante, vetëm qeveria nuk shqetësohet

Deputeti i PD, Ferdinand Xhaferaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend ndërsa diskutohej marrëveshja mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, tha se opozita do të jepte votën e saj pro teknikaliteteve në Komisionin e Sigurisë, por raportet tregojnë se braktisja e Shqipërisë nga shqiptarët është në shifra alarmante.

Sipas tij shqiptarët largohen nga keqqeverisja dhe nga rrogat e ulëta.

Në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare ne dhamë votën pro, nuk kemi asnjë kundërshtim për dhënien e informacionit, por e gjithë shoqëria shqiptare ka shumë gjëra kundër për përmasat e frikshme që ka marrë emigracioni.

Jemi pro marrëveshjes sa i përket teknikaliteteve, ne jemi pushteti më i lartë bazuar në Kushtetutë, kemi detyrimin të analizojmë shkaqet për këtë fenomen nga më të rëndit.

Vetëm dy ditë më parë kishim në Komisionin e Sigurisë zv.Ministren e Brendshme, e cila an dha raportet se çfarë ka ndodhur me largimin e shqiptarëve.

Nga 1 janari deri në 30 qershor kanë qenë 127278 shtetas të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, dhe kjo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar e kuptoni ku jemi. Sipas INSTAT në vitin 2021 u larguan 33 mijë persona nga vendi, shifrat janë dramatike, këtë këmbanë të frikshme vetëm, qeveria nuk ka vesh të dëgjojë. 11066 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil. Shihni statistikat si janë. Gjatë viti 2020 një anketim zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshironin të largohen nga vendi, nga ana tjetër 95% e atyre që studiojnë jashtë shtetit nuk donin të riktheheshin. Kjo është situata e 3 viteve të fundit. Kush ka qenë përqasja e kryeministrit, Rama në një përballje me studentët për t’iu përgjigjur largimit tha se nuk kemi formulë magjike, madje tha se largimi i shqiptarëve nga Shqipëria nuk është fundi i botës. Arsyet pse largohen shqiptarët lidhen me standardet e ulta të jetesës, pagat e ulta”, tha Xhaferaj.

17:15- “Këtu kërcet arma, në Dubai hapet shampanja”, Alibeaj: Pse s’kërkoni marrëveshje ekstradimi me Emiratet?

Në Kuvend diskutohet sot marrëveshja e sigurisë mes Shqipërisë, Britanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi se marrëveshja me Emiratet është thjeshtë shkëmbim të dhënash.

Ai theksoi se Shqipërisë i duhet një marrëveshje ekstradimi me këtë shtet, pasi Dubai është kthyer në strehën e shumë personazheve të krimit të organizuar shqiptar. Sipas tij, kjo do të ishte arritje, ndërsa theksoi se qeveria nuk po tregon vullnet për ta realizuar.

“Çfarë është kjo marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe? Dubai iu thotë gjë, banda e Durrësit, banda e Elbasanit, të gjitha bandat në këtë vend kanë gjetur parajsën e tyre në Dubai, në Emirate.

Ministrin e Brendshëm e kuptoj që thotë unë e kam bërë punë time. Kjo marrëveshje është shkëmbim të dhënash, që kanë dalë në mexhlis, që i ka kushdo sot në internet, të banditëve dhe gjithçka. Dhe kjo quhet një arritje? Do të duhet të ishte imazhi i Shqipërisë, teksa Emiratet kanë kërkuar këtë marrëveshje do të thotë se atyre iu ka lindur një problem. Shteti shqiptar do të duhet të kërkonte diçka tjetër, marrëveshjen e ekstradimit. Ministri nuk tregoi nëse ka kërkuar një marrëveshje ekstradimi me Emiratet. Kjo tregon mungesë vullneti për të luftuar krimi.

Është e vërtetë ajo që Salianji ka thënë këtu kërcet dyfeku, atje hapet shampanja. Kjo është një kambanë alarmi. Është kjo kapje nga krimi? Është parajsa për banditët. Nëse do të sillni një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e keni votën tonë.

Problemi më i madh është fakti i pengesave që i keni nxjerrë SPAK-ut. Kanë thënë ata që ka problem me zgjatjen e procedurave. E pra, ndaj kësaj marrëveshje kaq të thjeshtë fshihen kanë probleme të mëdhaja. Parajsa kriminale është atje. Sa të kërcasë prapë kallashi i radhës është një nder që duhet ta bëjmë që sot”, deklaroi Alibeaj.

16:18- Marrëveshjet me Britaninë dhe Emiratet e Bashkuara, Çuçi: Dekurajomë skllavërinë moderne dhe luftojmë krimin

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi prezantoi në seancën e sotme në Kuvend dy marrëveshjet për sigurinë mes Shqipërisë, Britanisë si dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Çuçi theksoi mes të tjerash se këto dy akte që miratohen sot në Kuvend i mundësojnë autoriteteve të sigurisë më shumë instrumente për të luftuar grupet kriminale, por jo vetëm që veprojnë në këto dy vende.

Gjithashtu, ministri tha se kjo marrëveshje me Britaninë do të dekurajojë emigracionin e paligjshëm dhe “skllavërinë moderne”, siç e quajti ai.

Në këtë klimë, vijnë edhe këto dy marrëveshje që sjellim sot. Qoftë ajo me Britaninë e Madhe që adreson migracionin e paligjshëm, qoftë ajo me Emiratet e Bashkuara Arabe.

E para siç thashë lidhet me bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në fushën e emigracionit të paligjshëm. Është përgjegjësi e jona që si vend ku në Britani janë qindra e mijëra shqiptarë që të dekurajomë skllavërinë moderne si një fenomen i ri që po shfaqet në shumë vende. Dhe dekurajon emigracionin e paligjshëm. Duke u ndalur te shqetësimi i palës britanike, nëpërmjet kësaj marrëveshje që midis dy vendeve të kemi një shkëmbin të informacionit që ka lidhje me të dhëna sensitive. Të penalizojmë ata që organizojnë trafikun dhe jo viktimat.

Në kuadër të kësaj marrëveshje kemi rëndë dakord që të shtojmë prezencën tonë në Britani me një oficer ndërlidhës për të garantuar zbatimin e kësaj marrëveshje.

Ndërsa marrëveshja me Emiratet vjen pas një klime të mirë bashkëpunimi. Sjellim këtë marrëveshje që të adresojmë luftën kundër këtyre grupeve të krimit të organizuar dhe për të adresuar luftën kundër terrorizmit. Nuk është e lehtë të bësh marrëveshje të kësaj natyre me Emiratet. Shumë vende të BE nuk kanë arritur dot. Kjo është arritur në një moment shumë të mirë bashkëpunimi që kemi ne me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Aktet që do të ratifikojnë sot iu mundësojnë autoriteteve të sigurisë më shumë instrumente të dorë që tu përgjigjen shkelësve të ligjit pavarësisht se ndodhen në Britani apo Emiratet e Bashkuara Arabe”, deklaroi ministri.

14:24 – “Ik plaku Mere me gjithë tespihe!” Balla i përgjigjet Berishës: Kur flet për korrupsion, njësoj sikur flet djalli për mëkatet

Kreu i Partisë Demokratike i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të mos disbursojë fondet për Shqipërinë, nëse nuk hetohen aferat korruptive.

Berisha tha nga foltorja e parlamentit se Shqipëria e ka tejkaluar çdolloj limiti për korrupsionin dhe u bëri thirrje institucioneve europiane të tregojnë kujdes me paratë e taksapaguesve shqiptarë e europianë.

Berishës i është përgjigjur kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili u shpreh se ish-kryeministri nuk duhet të flasë për korrupsionin.

Balla: Ik plaku Mere me gjithë tespihe! Kur dëgjon Saliun të flasë për korrupsionin është njëlloj sikur të dëgjosh djallin të flasë për mëkatet. E vërteta është që sot humbi një tjetër mundësi që të fillojë të tregojë mëkatet e veta. Dua të flas për një tjetër çështje të rëndësishme, financimin e depërtimeve të financimeve ruse. Kur unë e kam ngritur këtë çështje në vitin 2017 në këtë sallë, edhe Mondi (sa herë çoheshe këtu thoshe Taulanti ia fut kot), edhe Gjekmarkaj në studiot televizive…ne nuk jemi imunë. Kallëzimin për këtë çështje e kam bërë unë dhe çështja vijon të jetë dyer e drejtësisë sepse do ta çoj deri në fund. Kur ishit me Lulin bashkë thoshit nuk është e vërtetë, tani që jeni prishur me Lulin, thoni është e vërtetë. Është koha që ne të ndërmarrim të gjitha nismat ligjore përfshirë punën që po bëhet në komisionin e posaçëm të reformës. Si është ajo shprehja “dëgjuam krisma.” E vërteta është që paska pasur krisma. “Non grata” e Bosnjes dhe ajo e Shqipërisë janë problem për gjithë Ballkanin. Nëse ju doni të bëni parti me një “non grata” udha e mbarë ju qoftë. Do vijë një ditë që do hani njëri-tjetrin.

14:19 – Berisha thirrje Komisionit Europian: Mos disbursoni fondet për Shqipërinë pa u hetuar aferat

Kreu i Partisë Demokratike i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të mos disbursojë fondet për Shqiëprinë, nëse nuk hetohen aferat korruptive.

Berisha tha nga foltorja e parlamentit se Shqipëria e ka tejkaluar çdolloj limiti për korrupsionin dhe u bëri thirrje institucioneve europiane të tregojnë kujdes me paratë e taksapaguesve shqiptarë e europianë.

“Kjo qeveri po vjedh qytetarët shqiptarë. Të marrin fund tenderat sekrete. Imponojini qeverisë të përdorë manualin e ndërtimit të BE-së,  sepse Shqipëria është vendi me kostot me të larta të ndërtimeve publike. Sepse një shkollë kushton 600 mijë euro, ndërsa shkolla që ndërtohet me manual të Edi Ramës kushton 5.4 milionë euro.

Mbikëqyrni çfarë ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë. I bëj thirrje BE-së, KE-së të mos disbursojë asnjë qindarkë nëse nuk bëhet hetim i plotë transparent nëse nuk vendoset para ligjit Edi Rama, Engjell Agaçi, Arben Ahetaj, Erion Veliaj.

I bëj thirrje KE-së të mbajë qndrimin më të rreptë, të mos disbursojë asnjë qindarkë pa kontrolluar aferën e portit të Durrësit, që së fundi del se përfitues përfundimtar është dikush i afërt i Vuçiçit. Porti i Durrësit është shpallur nga sekretariati i transportit të BE si port strategjik. Rama me ministrat duan të ndërtojnë Dubain e tyre, pa garë, pa konsultë.

Ju lutem, kini mëshirë edhe për taksat e qytetarëve shqiptarë dhe taksat e qytetarëve europianë. Paratë e taksapaguesve europianë janë përdorur në aferën e djegësave.

I kërkoj KE-së të mos disbursojë asnjë qindarkë pa hetuar aferën e Butrintit.

Shqipëria ka tejkaluar çdolloj limiti, çdolloj linje të kuqe sa i ëprket korrupsionit”, tha Berisha.

11:34- “Zgërdhirje”, Grida Duma-mazhorancës: Keni ngecur, i hidhni vaj “kapsllëku” makinës së propagandës

E ashpër është treguar deputetja Grida Duma, me qeverinë, duke hedhur akuza ndaj tyre se edhe ato fonde që na fal Bashkimi Europian, ata mundohen që t’i vjedhin.

Ndërkohë Duma nuk i ka kursyer aforizmat, duke thënë nga foltorja e kuvendit, se mazhoranca kërkon që të shëroj një të sëmurë mendor duke i hedhur vaj “kapsllëku”.

“Nuk shërohet një i sëmurë mendor duke i dhënë si ilaç vaj kapsllëku. Të ngecur plotësisht dhe bëni me sikur me integrimin. Keni menduar se po i hidhni vaj makinës së propagandës, vaj kapsllëku. Kjo është zgërdhirje, keni bërë me sikur. Ka tre kolona, shteti i së drejtës, Ekonominë e rregullt dhe llogaridhënien dhe marrje përgjegjësish.” tha Duma.

Duke u ndalur tek programi i ndihmës IPARD, Duma shtoi se janë shumë miliona që jepen. Ndërsa theksoi se në Tiranë, qeveria po tenton të legalizoj prona që në fakt e dinë se si janë ndërtuar.

“Çfarë po legalizoni. Dëgjova se IPA3 do kemi shumë milion. Sot ju po legalizoni çfarë? Prona që nuk i keni parë? Në mes të Tiranës? Ku hani dreka dhe darka dhe nuk keni parë këtë pronën që kishte mbir aty? Për këtë pronën do merrni prapë disa milion euro nga BE, për të thënë se kemi plotësuar standardet. Nëse ne japim 100 milion euro në vit, sa dinë këta me këto fonde. A korruptohen apo jo këta? Ne edhe rrugët e reja na duken të vjetra. Në ndërtojmë rrugë në jug, me 6 fishin e kostove. Por ku është fondi i mirëmbajtjen? “tha Duma.

10:49- “Jemi të parët në rajon”, Belinda Balluku: Shqipëria jep mbi 22 milion euro mbështetje qytetarëve për energjinë

Teksa fliste nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku, është ndalur edhe tek kriza energjitike, duke thënë se sot mblidhen 99.6% e faturave të energjisë elektrike, ndryshe nga sa ndodhte në vitin 2013.

Balluku është ndalur tek një problematikë që kanë pallatet e vjetra me ngrohjen duke thënë se ato kanë zero eficencë për të ruajtur të ngrohtin.

“Nuk flitet për konsumator që nuk kanë mundësi, por për ata që nuk kanë kushtet e duhura të kushteve të shtëpisë. Shtëpi jo eficente që ka vonesa me pagesa energjitike. Kështu thuhet në raport. Kemi nisur një fushatë për energjinë dhe eficencës. Pallatet e komunizimit kanë zero kushte të eficencës energjitike. Edhe kushtet e ngrohjes këta konsumator kanë vështirësi për ngrohjen. Të marrësh këtë raport dhe të thuash 40% nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e energjisë është e pavërtetë” tha Balluku.

Për sa i përket ndihmës, Balluku theksoi se Shqipëri është vendi i parë në rajon, ku sipas saj jepen si ndihmë për qytetarët mbi 22 milion euro.

“Për sa i përket ndihmës, Shqipëri jep 22 milion e 205 mijë euro. Vendi i dytë pas Shqipërisë është Bosnje Hercegovina. Serbia jep mbështetje 9 milion, Kosova, 4.5 milion. Këto janë shifrat. Pra Shqipëria sot dhe vitet që kanë kaluar, i mbështet grupet në nevojë me mbi 22 milion euro.” tha Balluku.

“Deri në fund të shtatorit, është konsumuar 300 milion nga buxhetet elektrike. 140 milion janë marrë nga buxheti i shtetit. Shifra që kur përmbytej Shqipëri dhe prodhonim 11 terra, dilnim në importe. Por sot megavatori është më shumë se 600 euro. Sektori energjitike është i bazuar me fakte.” tha Balluku.

“Në Shqipëri nuk do aplikohen ndërprerje energjitike dhe kufizime. Kemi më shumë se një vit që i mbrojmë qytetarët dhe duke e ruajtur çmimin nën 9.5 lekë.”tha Balluku.

10:48- “Pandit i qenka shëruar goja”, debate mes Majkos dhe Alibeajt për financimin rus të PD: Bën mirë të shkosh te dentisti

Fondet ruse për Partinë Demokratike janë bërë temë debati mes deputetëve në Kuvend.

Deputeti socialist Pandeli Majko kujtoi faktin se PD ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia dhe tha se ky është vetëm fillimi i kësaj çështjeje.

Ndërkohë, demokrati Enkelejd Alibeaj iu kundërpërgjigj, duke thënë se lajmi ishte i pavërtetë.

Debati:

Majko: Tema që po diskutojmë është shumë sensitive, bëhet fjalë për fondet e BE. Sot në kufijtë e 24 orëve, drejtuesit e PD, si ata që janë më zyra si ata pa zyra është konfirmuar lajmi se PD ka marrë 500 mijë dollar nga Rusia. Kur flasim për fondet europiane të flasim edhe për ato antieuropiane. Para se ti kërkoni llogari Beqjas tonë, kërkojini llogari Beqjas tuaj. Dilni këtu dhe jepni llogari, ky është vetëm fillimi.

Alibeaj: Më në fund Pandit i qenka shëruar goja. I vetmi që nuk duhet të fliste duhej të ishe ti. Di një gjë, që është e pavërtetë, është makinacion që e ka bërë ai që mungon sot, “Mother Jons-i”, i fmashëm. Prit dhe ca orë se do përgënjeshtrohesh, dhe kur të përgënjeshtrohesh, bën mirë të shkosh te dentisti.

Majko: Unë i respektoj shumë këta tipat që kanë mjekër të bardhë dhe flokë të zezë. Dua që të jetë kështu, që gjysmë milioni dollar nuk janë marrë nga PD. Ajo që keni diskutuar ju edhe midis vedit është një akuzë e cila dje është ripërsëritur. Unë uroj që zoti Basha të shkojë normalisht në SHBA.

10:43- “Shqiptarët nuk kanë mundësi të paguajnë”, Balluku i kundërpërgjigjet Tabakut: Gënjen, sot energjinë e paguajnë 99.6% e qytetarëve

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka listuar disa problematika lidhur me marrëveshjen e miratuar nga Kuvendi të IPA II për distrubimin e fondeve. Tabaku tha në kuvend se ndërrimet e shpeshta të këtyre proceseve nuk sjellin efiçencë, pasi copëzohet.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e ministres së Energjitikës, Belinda Balluku, e cila ka theksuar se akuzat e Tabakut nuk janë të vërteta. Sipas saj angazhimet e qeverisë për të thithur fondet nga programet e huaja është maksimale.

“Fakti që kemi ndryshuar 4 herë koordinatorin, në qeverinë Rama ne nuk i kemi bazuar arritjet apo fitoret tek një drejtues i vetëm, por tek puna në grup. Ekspertët e projekti IPA janë ato që kanë qenë dhe vijojnë në punën e tyre. Në vendosim të angazhojmë më shumë forca por kjo nuk krijon vakume. IPA 2, janë 533 milion euro, pritshmëria shkon në 435 milion euro. Ka nisur një pjesë e projekteve dhe po shkon drejt përfundimit. IPA3 ka ndryshime.” tha Balluku.

Balluku, është ndalur edhe tek kriza energjitike, duke thënë se sot mblidhen 99.6% e faturave të energjisë elektrike, ndryshe nga sa ndodhte në vitin 2013. Deputetja Jorida Tabaku tha se 40% e qytetarëve nuk kanë mundësi të paguajnë, por sipas Balluku sot të gjithë e paguajnë energjinë elektrike.

“Vazhdon dhe dezinformohet populli shqiptar. Unë dua të flas me fakte. KA thënë se shqiptarët nuk paguajnë dot energjinë elektrike. Në 2013 mblidhej vetëm 43 %, sot mblidhen 99.6% e faturave. Sot paguhet energjia. Është shërbim që ofrohet pa ndërprerje, dhe të dalësh e të thuash se 40% e shqiptarëve nuk e paguan, duhet të kesh fakte. Nuk e di kujt i referohet.”

“Nuk flitet për konsumator që nuk kanë mundësi, por për ata që nuk kanë kushtet e duhura të kushteve të shtëpisë. Shtëpi jo eficente që ka vonesa me pagesa energjitike. Kështu thuhet në raport. Kemi nisur një fushatë për energjinë dhe eficencës. Pallatet e komunizimit kanë zero kushte të eficencës energjitike. Edhe kushtet e ngrohjes këta konsumator kanë vështirësi për ngrohjen. Të marrësh këtë raport dhe të thuash 40% nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e energjisë është e pavërtetë” tha Balluku.

13:13 – Deputetët mbajnë 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II

Në nisje të seancës së sotme u mbaj një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II.Në Kuvend ka mbërritur ambasadori britanik Alastair King-Smith.

Sipas rendit të ditës pritet diskutimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare në kuadër të partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për rregullat specifike te zbatimit të asistencës financiare të BE-së.

Më pas do të diskutohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe terrorizmit.

Projektligji tjetër që do të diskutohet ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e Irlandës për qëllime të lidhura me migracionin./Abcnews.al/ 

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!