Pavarësisht se ëndërronim një nisje historike, të aventurës së dytë, në finalet e një Kampionati Evropian të futbollit, “Të Kaltërit” e Italisë na treguan se jemi ende larg të qënurit “të barabartë” me “gjigantët” e futbollit, në “kontinentin e vjetër”, teksa në sfidën e parë, të Euro 2024 u mundëm me rezultatin e ngushtë 2 me 1, nga kampionët në fuqi të Evropës dhe tashmë kemi nisur të mendojnë për sfidën e radhës.
Kështu, pas përfundimit të përballjes në Dortmund, “Legjionarët” janë rikthyer në kampin e tyre stërvitor, në Kaiserau, aty ku kanë vijuar përgatitjet, për sfidën e mesditës së 19 qershorit, ndaj Kroacisë, sfidë e cila do të vendosë përfundimisht fatin e Kombëtares “kuqezi”, në këtë rrugëtim, që shpresojmë të jetë i gjatë.
Me rikthimin në kampin bazë kanë filluar edhe dalje në konferencë për shtyp, nga “Kuqezinjtë” tanë, ku pas Ylber Ramadanit, Elseid Hysajt, Arlind Ajetit, Qazim Laçit e Kristjan Asllanit, tashmë para mediave ka dalë anësori i mbrojtjes, Mario Mitaj, i cili fillimisht ka theksuar emrin e lojtarit, që mund të kthehet në një “hero” te “Legjionarët”, dhe më tej ka folur për përgatitjet ndaj Kroacisë.
“Besoj se në përgjithësi të gjithë lojtarët luftojnë të luajnë sa më mirë për Kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja e Asani, që luftojnë shumë e kanë një goditje fantsatike, por jemi një shtet i vogël, me këtë grup lojtarësh dhe duhet të japim maksimumin tonë, por mendoj se një lojtar që mund të bëjë mirë është Broja.
E kemi harruar shijen e hidhur që na la Italia. Tani kemi filluar të përgatitemi sa më shumë për Kroacinë, duam pikë. Grupi është gati dhe tashmë kërkojnë të bëjmë një ndeshje shumë më të mirë se ajo e para”,- u shpreh anësori i Kombëtares. /i.m /abcnews.al