Listat, Kim: Ka emra për t’u shqetësuar, PD ishte e qartë me Doshin, dëshiroj të shoh edhe PS-në

schedule23:05 - 23 Mars, 2021

schedule 23:05 - 23 Mars, 2021

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u shpreh në një intervistë ekskluzive për ABC se në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prilli ka emra për t’u shqetësuar.

Mendoj që ka emra për t’u shqetësuar. Por në përgjithësi më lejoni të them këtë gjë. Mendoj që pjesa më e madhe e partive kanë bërë përmirësim në cilësinë e listave të tyre. Disa nga emrat e dukshëm nuk janë përfshirë në to.

Por në të njëjtën kohë është edhe e qartë që mund të kishin bërë më mirë. Dhe sikundërse e them: tashmë është një proces që është i lidhur me punën e KQZ-së, Prokurorët duhet të bëjnë punën e tyre. Por në fund të ditës janë votuesit shqiptarë të cilët duhet ta marrin vendimin se kush do t’i përfaqësojë ata. Se kush ja vlen që të ulet në Kuvend” tha ajo.

E ndërsa vlerësoi kërkesën e PD-së drejtuar KQZ për largimin nga lista të Tom Doshit, të njëjtën gjë, Kim dëshiron edhe nga PS.

Ju më bëtë pyetje mbi personin të cilit i është bërë përcaktimi. Dua të them që është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë.

Dëshiroj të shoh që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë. Eshte krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar cdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë” theksoi Kim./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!